“Kini kujdes nga qentë! Kini kujdes nga punëtorët e këqij! Kini kujdes prerjen në mish! Se ne jemi rrethprerja…” FILIPIANËVE 3:2-3

Në të gjitha shkrimet e apostullit Pal, ndoshta nuk ka asnjë vend tjetër ku ai të ketë bërë një deklaratë më të fortë sesa në këtë varg. Fakti që ai iu referua mësuesve të rremë të kohës së tij si “qen”, ishte një veprim edhe më i guximshëm dhe më konfrontues sesa është sot. Mirëpo Pali nuk po e përdorte këtë lloj gjuhe thjesht për efekt; ai ishte jashtëzakonisht i shqetësuar, pasi afër kishës së Filipisë po lëviznin njerëz të rrezikshëm.

Kultet dhe mësuesit e rremë pothuajse asnjëherë nuk kanë gëzim, dhe këta burra të ligj në Filipi nuk ishin ndryshe. Ata ishin e kundërta e asaj që pretendonin se ishin, duke qenë se këmbëngulnin në pikëpamjen e tyre që ligji ceremonial i Besëlidhjes së Vjetër ishte një kusht i nevojshëm për krishterimin e vërtetë. Ata iu drejtuan besimtarëve filipianë, të cilët kishin zbuluar gëzimin në Zotin, duke i pyetur, pak a shumë me fjalët: A jeni me gjithë mend një i krishterë i vërtetë nëse nuk i kushtoni vëmendje të kujdesshme ritualit të jashtëm të rrethprerjes? Paralajmërimi “kini kujdes” i Palit kishte për qëllim t’i kujtonte kësaj kishe të re që një krishterim “me shtesa”, në fakt, e shtrembëron ungjillin e vërtetë. Kur i shtojmë diçka ungjillit, gjithmonë jemi duke ia hequr atij gëzimin dhe madje edhe shpëtimin.

Prandaj, kur lexojmë fjalën “qen” në këtë varg, ne nuk duhet të mendojmë për manarin miqësor të familjes. Pali nuk po fliste për një qen “golden retriever”. Mendoni më shumë për një qen bastard, endacak dhe të sëmurë, që shkon te koshat e plehrave dhe mund të të lëndojë keq nëse të kafshon. Pali i mëshoi fort faktit se këta burra, duke këmbëngulur që njerëzit të përmbushnin kërkesa ligjore për t’u kualifikuar për hirin e Perëndisë, ishin po aq të rrezikshëm. Ata po e largonin vëmendjen nga Krishti, po e dobësonin mjaftueshmërinë e vdekjes, ringjalljes dhe lartësimit të Tij.

Pali paralajmëroi vazhdimisht në lidhje me pasojat e mësimit të rremë — dhe, duke qenë se ai i donte njerëzit e kishës në Filipi, duke i përshkruar ata si “gëzimi dhe kurora” e tij (Filipianëve 4:1), ai po kundërshtonte këdo dhe çdo gjë që do t’i largonte ata nga udha e vetme drejt lavdisë. Ai donte që ata të qëndronin vigjilentë.

Edhe ne mund ta harrojmë lehtë që lajmi i mirë nuk është një mesazh i llojit: “Bëj më të mirën që ke mundësi dhe ji mjaftueshëm i mirë!”, por, përkundrazi: “Më e mira jote nuk është asnjëherë e mjaftueshme — por Jezusi është.”

Megjithatë, ja se cili është lajmi i mirë: duke besuar vetëm në Krishtin, ne jemi “rrethprerja” e vërtetë — domethënë, jemi ata që janë veçuar si populli i vërtetë i Perëndisë, jo sepse kemi prerë një pjesë nga mishi ynë, por për shkak se Krishti u pre për ne. Në çdo brez, ka gjithmonë nga ata njerëz që dëshirojnë të këmbëngulin në tiparet e jashtme të besimit dhe — në mënyrë të nënkuptuar apo të drejtpërdrejtë — e bëjnë kryerjen e atyre ritualeve të nevojshme për shpëtimin. Mirëpo asnjë ritual apo ceremoni e jashtme fetare nuk mund të na shpëtojë. Mos e vendosni besimin në mishin tuaj — te pjesëmarrja juaj në kishë, te leximi i përditshëm i Biblës, as tek efektshmëria juaj si bashkëshort, prind, punëtor, ungjilltar apo çfarëdolloj roli tjetër. Vendose të gjithë besimin tënd në Krishtin. Ai, dhe vetëm Ai, është i mjaftueshëm.