“Pastaj Jozefi u tha vëllezërve të tij: ‘Unë po vdes; por Perëndia do t’ju vizitojë me siguri dhe do t’ju çojë me siguri nga ky vend në vendin që i premtoi me betim Abrahamit, Isakut dhe Jakobit’… Pastaj Jozefi vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç…” ZANAFILLA 50:24, 26
Fakti që Bibla është e mbushur plot me tregime për vdekjet e individëve të ndryshëm, duhet të na bëjë që më në fund të ballafaqohemi me realitetin e vdekjes sonë. Të gjithë ne kemi një sasi të kufizuar ditësh. Perëndia nuk ka zgjedhur të na e tregojë ditën e largimit tonë, mirëpo psalmisti na thotë se çdo ditë e jetës sonë ishte shkruar në Librin e Perëndisë përpara se ndonjëra prej tyre të ekzistonte (Psalmi 139:16). Jozefi jetoi njëqind e dhjetë vjet — megjithatë, si të gjithë ne, ai duhej të ballafaqohej me vdekshmërinë e tij.
Jozefi e kuptoi dhe e pranoi vdekjen e tij. Nuk pati protestë kundër vdekjes së dritës, nëse përdorim fjalët e poetit Dylan Thomas,1 përkundrazi, shohim atë që etërit tanë puritanë do ta kishin quajtur një “vdekje e mirë”. Çfarë na jep mundësi që të përballemi denjësisht me vdekjen? Një teologji e fortë — një kuptim i thellë se kush ishte dhe është Perëndia. Në fund, Jozefi e forcoi besimin e tij duke kujtuar provat e kujdesit të provanisë së Perëndisë gjatë gjithë jetës së tij, si dhe premtimet që Ai u kishte bërë njerëzve të Tij. Për shkak të besimit të tij në mirësinë e Perëndisë, ai ishte në gjendje për t’u ballafaquar hapur me vdekjen. Ai nuk ishte i frikësuar ose egoist; nuk u kap pas hijeve dhe as pas shpresave të kota. Përkundrazi, fjalët e tij ishin të shkurtra dhe përqendroheshin te familja dhe Perëndia i tij. Një përgjigje e tillë mund të vijë vetëm kur pikëpamja për botën ndikohet nga karakteri dhe qëllimi hyjnor.
A besojmë edhe ne, ashtu siç besonte Jozefi, se Perëndia do ta çlirojë popullin e Tij? A mund të shohim prova të këtij besimi në jetën tonë? A e kemi hedhur vështrimin pas te besnikëria e Perëndisë dhe të zbulojmë se, pavarësisht nga shqetësimi dhe thyerja që mund të jemi duke kaluar, ne mund të themi bashkë me psalmistin: “Te Perëndia është shpëtimi im dhe lavdia ime; kështjella ime e fortë dhe streha ime janë te Perëndia” (Psalmi 62:7)?
Është teologjia e mirë, jo ndjenjat, ajo që do të na forcojë në jetë dhe do të na ngushëllojë kur të përleshemi me vdekjen. Kur vijnë ditët e vështira, pikërisht atëherë kapemi fort pas asaj që e dimë se është e vërtetë. Nga Jozefi dhe nga jeta e tij mund të mësojmë këtë të vërtetë të mahnitshme: Perëndia që na formoi, i ka caktuar të gjithë hapat tanë në të gjitha ditët tona dhe Ai i ndërthur jetët tona në historinë e madhe të përmbushjes sovrane të premtimeve të Tij për popullin e Tij. Me besim në këtë Perëndi, ne mund të përballemi me vdekjen duke kënduar:
Me mëshirë dhe me gjykim
Pëlhurën e kohës sime e thuri Ai;
Madje edhe vesa e pikëllimeve
Praruar ishte me dashurinë e Tij;
Dorën që e drejtoi, do ta bekoj,
Zemrën që e planifikoi, do ta bekoj,
Në tokën e lavdishme të Emanuelit
Atë ditë mbi fron kur të qëndroj.2