“Por ata nuk e kuptonin këtë thënie dhe kishin frikë për ta pyetur.” MARKU 9:32

Imagjinoni një studente që është ulur në një klasë dhe ia ka ngulur sytë një formule në dërrasë. Simbolet e formulës janë krejtësisht të pakuptimta për të, mirëpo ajo ka frikë për ta ngritur dorën dhe për të bërë një pyetje për qartësim. Ka të ngjarë që shumë prej nesh të kenë përjetuar një situatë të ngjashme dhe të jenë kapur në një dilemë: nga njëra anë, kemi frikë se do të biem në sy apo për faktin se ku mund të na çojë përgjigjja nëse pyesim, ndërsa nga ana tjetër, e dimë se do të ngecim në një problem të pazgjidhshëm nëse nuk pyesim.

Edhe pse dishepujt jetonin në shoqërinë e Jezusit, e dëgjonin rregullisht mësimin e Tij, merrnin udhëzimet e Tij dhe shihnin veprat e Tij të mrekullueshme, ata ende e kishin të vështirë ta kuptonin tablonë e madhe të shërbesës së Tij. Shumë herë, Jezusi foli qartë me ta në lidhje me atë që e priste — tradhtia, vdekja dhe ringjallja e Tij. Megjithatë, ata u përballën me vështirësitë më të mëdha: “Por ata nuk e kuptonin këtë thënie dhe kishin frikë për ta pyetur.”

Pjetri, Jakobi dhe Gjoni sapo kishin qenë dëshmitarë të shndërrimit të pamjes së Jezusit (Marku 9:2-8). Ata e dinin se Ai ishte Biri i Perëndisë. Mirëpo kuptimi që kishin dishepujt për faktin se çfarë do të thoshte që Ai të ishte realisht Mesia, nuk i afrohej sinqeritetit të besimit të tyre në Jezusin si Mesia. Perceptimi i tyre për Mesian ishte i turbullt dhe i paplotë, dhe kjo gjë shkaktonte pështjellim dhe frikë. Ndoshta ata nuk e pyetën Jezusin që t’ua shpjegonte më tej, sepse nuk donin ta pranonin padijen e tyre; ose ndoshta ngaqë nuk ishin të gatshëm për t’u ballafaquar me rrjedhojat e asaj që Ai po u thoshte atyre, si për Veten e Tij (v. 30-31), ashtu dhe për ata (8:34-35).

Madje edhe pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit, dy dishepujt që po shkonin në Emaus, kishin nevojë që Ai t’i kalonte nëpër panoramën e plotë të Biblës, në mënyrë që ata të mund ta kuptonin vuajtjen e Tij dhe t’i lidhnin të gjitha gjërat bashkë (Luka 24:26-27). Pak para lartësimit të Tij, dishepujt ishin ende të pasigurt në lidhje me natyrën e mbretërisë së Krishtit. Megjithatë, këtë herë, ata e pyetën Jezusin; dhe ai nuk u tha: Prapë me të njëjtën pyetje ju? Sa herë duhet të ma bëni këtë pyetje? Përkundrazi, me shumë dashamirësi, Ai u shpjegoi se mbretëria e Tij nuk do të vinte përmes rithemelimit të tempullit në Jerusalem, por do të përparonte përmes punës së Frymës së Shenjtë në secilin prej dishepujve (Veprat e Apostujve 1:8).

Ndoshta ti identifikohesh me dishepujt në këtë pikë, pasi e ke të vështirë ta kuptosh gjithçka që mësohet në fjalën e Perëndisë, ose nuk je i sigurt nëse do me të vërtetë të balla­faqohesh me rrjedhojat e asaj që ke filluar ta kuptosh. Mirëpo situata jote nuk ka pse të karakterizohet nga frika. Sa mirë që Jezusi është një mësues kaq i dashur dhe i duruar — kaq i dashur dhe i duruar me dishepujt e Tij, kaq i dashur dhe i duruar edhe me ty dhe mua. Sa gjë e mirë është që Fryma e Shenjtë banon brenda teje, duke të aftësuar për të bërë gjithçka që Zoti yt të thërret (Ezekieli 36:26-27; Galatasve 5:16). Prandaj, sot, nëse e sheh se të mungon urtësia dhe të kuptuarit, thjesht kërkoji Perëndisë, “…që u jep të gjithëve bujarisht e pa qortuar…” (Jakobi 1:5).