“Dhe duhet të mësojnë edhe tanët për të kryesuar në vepra të mira për nevojat e domosdoshme, që të mos jenë të pafrytshëm.” TITIT 3:14

Ti nuk je këtu rastësisht, por sepse Perëndia ka zgjedhur që të jesh këtu. Ti nuk e shpike veten tënde dhe madje nuk kishe asnjë rol në krijimin tënd. Ti u ende në barkun e nënës sate (Psalmi 139:13). Dora e Perëndisë të formoi për të qenë ky person që je tani; Ai të krijoi pikërisht në çastin që dëshironte Ai, dhe të ka vendosur në këtë pikë të historisë që ti, në Krishtin, me anë të hirit, nëpërmjet besimit, të mund të bësh vepra të mira — vepra të mira të cilat Ai i ka planifikuar që t’i bësh ti (Efesianëve 2:10).

Me fjalë të tjera, ti ke marrë hir mbi hir, që të mund të bësh të mirën.

Edhe pse koncepti i “bërjes mirë” mund të mos jetë mendimi ynë i parë kur marrim parasysh ndikimin që ka mbi ne hiri transformues i Perëndisë, ky, në fakt, ishte mendimi numër një në listën e apostullit Pal. Në letrën e tij drejtuar Titit, ai shkruan se Perëndia, në Jezusin “i cili e dha vetveten për ne, me qëllim që të na shpengonte nga çdo paligjshmëri dhe të pastronte për veten e vet një popull të veçantë, të zellshëm për vepra të mira” (Titit 2:14, theksimi i shtuar). Ky theksim shfaqet disa herë nëpër letrat e tij dhe arrin kulmin në nxitjen e Palit: “Dhe duhet të mësojnë edhe tanët për të kryesuar në vepra të mira.”

Zelli i veçantë i Pali për vepra të mira ishte dhe është tërësisht kundër kulturës, si në kohën e tij, ashtu edhe në tonën. Ne jetojmë në një botë që është e mbushur plot me joshje për t’i rënë pas një jete të ngeshme që ka veten në qendër. Prandaj, si duhet ta imitojmë Palin dhe të kryesojmë në vepra të mira?

Së pari, duhet të tregohemi të qartë se përpjekja për të bërë vepra të mira nuk e fiton favo­rin e Perëndisë. Ne nuk bëjmë vepra të mira që të shpëtohemi, por për shkak se jemi shpëtuar. Pa hirin për themel, thirrja për një jetë të virtytshme është thjesht fasadë dhe ose do të na rropatë, ose do të na bëjë krenarë. Së dyti, ne kemi nevojë që të kujtojmë se përpjekja jonë për të bërë vepra të mira i sjell kënaqësi Perëndisë; ne jetojmë “jo si duke u pëlqyer njerëzve, por Perëndisë që provon zemrat tona” (I Selanikasve 2:4). Prandaj, ne duhet të karakterizohemi nga mirësia që nderon Perëndinë dhe lartëson Krishtin, mirësi që shërben si një dëshmi për shpëtimin tonë të madh.

Pali thotë gjithashtu se aftësia jonë për të bërë mirë është edhe një sjellje që e mësojmë. Ne jemi thirrur që të mësojmë “për të kryesuar” në mirësi. Veprimet tona nuk duhet të jenë thjesht rezultat i një shpërthimi emocional ose të vijnë vetëm kur ndihemi se duam t’i bëjmë ato. Përkundrazi, ne duhet të përpiqemi çdo ditë të bëjmë punën e mbretërisë që Perëndia ka planifikuar për secilin prej nesh dhe ta bëjmë atë qëllimisht dhe ta kthejmë në zakon. Ne duhet të shohim ata që kanë ecur më përpara në besim dhe që jetojnë këtë lloj jete, dhe pastaj të përpiqemi të mësojmë prej tyre.

Në Krishtin, të gjitha ditët dhe veprat e tua mund të jenë të mira për dikë dhe për diçka. Mëso ta nisësh çdo ditë duke kërkuar ndihmën e Tij për t’u bërë mirë të tjerëve si reagim ndaj hirit të Tij ndaj teje, duke besuar se Ai do të të aftësojë me hirin e Tij, që të japësh prova të besimit tënd përmes veprimeve të tua.