“Kështu Jozefi banoi në Egjipt, ai dhe shtëpia e të atit, dhe jetoi njëqind e dhjetë vjet… Pastaj Jozefi u tha vëllezërve të tij: ‘Unë po vdes; por… Perëndia me siguri do t’ju vizitojë; atëherë ju do t’i hiqni kockat e mia që këtej.’” ZANAFILLA 50:22, 24-25

Pothuajse 60 vitet e fundit të jetës së Jozefit janë përmbledhur në frazën “Jozefi banoi në Egjipt”. Mendohet se këto ishin kohë më të qeta në krahasim me dramën e regjistruar të viteve të tij më të hershme. Mirëpo 60 vjet sigurisht që nuk janë pa kuptim. Kur mendoj­më për këto vite në jetën e Jozefit, nuk ka se si të mos reflektojmë: Për çfarë po jetojmë ne? Çfarë po planifikojmë të bëjmë me kohën që na ka dhënë Perëndia?

Është shumë e lehtë që ta kalojmë jetën tonë duke ndjekur horizontet e botës si, për shembull, suksesi në karrierë, siguria financiare apo lukset e rehatshme. Miti është shumë joshës: që jeta ka të bëjë me të punuarit si skllav në punën tënde për aq kohë sa të mundesh, me qëllim që të përgatitësh folenë në të cilën planifikon të rehatohesh — se qëllimi i jetës është përgatitja për vitet e pensionit. Pikërisht në çastin që besimtarët janë në një pozitë — financiare, emocionale dhe shoqërore — për të pasur shumë kohë të lirë për të shërbyer në mbretërinë e Perëndisë, atëherë ata nisin të flasin për gjumin dimëror.

Si ndjekës të Jezusit, ne nuk duhet të jetojmë sikur kjo botë është gjithçka që ekziston. Megjithatë, disa prej nesh nuk mund të thonë dot me integritet: “Ka shumë më tepër se thjesht kjo jetë”, pasi gjithçka që bëjmë me kohën, talentet dhe paratë tona duket sikur thotë: “Kaq është jeta! Ja pse punoj 60 orë në javë. Ja pse nuk vij herët në shtëpi dhe nuk bëj pushime. Ja pse nuk erdha në kishë të dielën e kaluar. Ja pse nuk kaloj kohë dhe nuk ndërmarr rreziqe për të shërbyer dhe për t’u shpallur ungjillin fqinjëve të mi. Pasi kaq është jeta.”

Është një gjë të kesh një besim të gjallë dhe të palëkundur kur je në mes të betejës; mirëpo është sfidë krejt tjetër që të jetosh një jetë në bindje të qëndrueshme përmes rutinës së përditshme. Në mënyrë që jeta të shpenzohet si duhet — sidomos në lidhje me burimet dhe trashëgiminë tonë — ne duhet të kemi parasysh jo vetëm atë që duam në jetë, por edhe atë që duhet të bëjmë me jetën. Kemi nevojë për një vizion të horizontit qiellor.

Jozefi kishte një qëllim për jetën e tij dhe për ato vite të fundit dhe më të qeta. Vizioni i tij i kalonte kufijtë e Egjiptit. Ai nuk ishte i përqendruar te vetja; ai ishte përgjegjës për t’u siguruar që fëmijët e tij dhe fëmijët e fëmijëve të tij të mos rehatoheshin shumë në Egjipt, përkundrazi, të mos e bënin atë vendin e tyre, në mënyrë që një ditë të mund të zinin vend në Tokën e Premtuar. Perëndia i kishte dhënë atij paqe, prestigj dhe begati në Egjipt — gjithçka që kërkojnë shumë prej nesh sot. Megjithatë, ai gjithmonë shikonte përtej kufijve të Egjiptit. Ai e dinte se ky nuk ishte vendi ku duhej të ishin me të vërtetë ai ose njerëzit e Perëndisë. Ai nuk kishte arritur ende në shtëpi. Edhe ne duhet të jetojmë në një mënyrë të tillë që t’i ndihmojmë të dashurit tanë dhe vetë zemrat tona për të aspiruar “një atdhe më të mirë, domethënë qiellor” (Hebrenjve 11:16). Pavarësisht se çfarë ke apo nuk ke sot, kujto që nuk ke arritur ende në shtëpi. Ka më shumë dhe më mirë se kjo jetë. Sigurohu që koha, talentet dhe paraja jote të reflektojnë këtë njohuri.