Për shumë prej nesh, jeta jonë e përditshme nuk është gjë tjetër veçse bashkëveprim me gjëra kryesisht artificiale. Hamë ushqim të blerë në një dyqan apo restorant, shumica e të cilit është i përpunuar ose artificial. Udhëtojmë në rrugë të drejta artificialisht, të ndërtuara prej makinerive, duke përdorur automjetet, shpejtësitë dhe mjediset brenda të cilave janë po aq artificiale. Harxhojmë orë të tëra duke parë ose duke dëgjuar gjëra që na paraqiten në mënyrë artificiale, përmes ekraneve, pajisjet dhe programet e të cilave janë prodhuar në një fabrikë ose në një tjetër. Jemi mësuar të besojmë dhe të ndiejmë se e gjithë bota jonë, gjithçka e mirë dhe e vlefshme, është një artefakt i krijuar nga njeriu.

Natyrisht, “artifica” nuk është medoemos e keqe. Shkrimi njerëzor, buka e ngrohtë a një pikturë janë që të gjitha “artificiale”, sepse janë bërë prej qenieve njerëzore. Mirëpo ekziston një “prag artificialiteti” përtej të cilit fillojnë e shfaqen gjithnjë e më shumë efekte negative. Mbase efekti më negativ i mundshëm është vështirësia jonë në rritje e sipër, për ta parë Perëndinë si Krijuesin dhe Dhënësin e të gjitha gjërave.

Si mund ta shohim Perëndinë si Dhënësin bujar të të gjitha gjërave të mira, në qoftë se gjithë sendet e përdorimit të përditshëm e kanë njeriun si krijues dhe bërës të tyre?

Dhënësi që nuk ka nevojë për asgjë

Kur rrëfejmë Besoren e Apostujve, ne ia nisim duke shpallur këto fjalë: “Unë besoj në Perëndinë Atin e Plotfuqishëm, Krijuesin e qiellit e të tokës.” E dimë nga Bibla se ato gjëra që i ka bërë Perëndia, shpallin se janë vepër e Tij. Mirëpo begatia e pafund e botës sonë nuk na tregon thjesht dhe vetëm se Perëndia është Krijuesi i saj (edhe pse pa dyshim që e dëshmon këtë). Shkrimi i Shenjtë dhe vetë krijimi shpallin gjithashtu se Perëndia është Dhënësi përsosurisht i mirë i krijimit.

Fakti që krijimi nuk është Perëndia, nuk është aspak i parëndësishëm, madje na mëson diçka jashtëzakonisht thelbësore. Na kujton që Perëndia nuk ka nevojë për krijesat që të jetë Perëndi, që të jetë Trinia e shenjtë dhe e përsosur që është. Na kujton gjithashtu që e gjithë ekzistenca jonë varet nga bujaria e Tij e vullnetshme. Kjo ndodh sepse plotësia e Perëndisë nuk “derdhet” në mënyrë të pavullnetshme; përkundrazi, në mënyrë të vullnetshme, Ai krijon jetë atje ku më parë nuk kishte. Me gëzim, Ai zgjedh t’u japë jetë dhe ekzistencë të gjitha krijesave. Megjithatë, duke krijuar, Perëndia nuk bëhet më pak se ç’është; po ashtu, nga ana tjetër, Ai nuk fiton asgjë më shumë se ç’është. Ai mbetet pafundësisht dhe përsosurisht Vetvetja. Prandaj, ekzistenca jonë është tërësisht dhuratë, dhe veprimi i Perëndisë për t’u dhënë jetë krijesave është një vepër dashurie.

“Ekzistenca jonë është tërësisht dhuratë, dhe veprimi i Perëndisë për t’u dhënë jetë krijesave është një vepër dashurie.”

Krijimi mbart vulën e Perëndisë, Krijuesit të vet. Krijimi, në fundshmërinë e vet, është i pasur (I Timoteut 6:17), i bukur (Predikuesi 3:11), si dhe shumë i mirë (Zanafilla 1:31). Siç këndon Rich Mullins-i në këngën “The Color Green”, vetë ngjyra e gjelbër e grurit të dimrit na bën thirrje ta lëvdojmë Perëndinë për gjithë zemërbutësinë që ka shfaqur në çdo vepër të duarve të Tij. Ndonëse vetëm Perëndia ka jetë të pafundme në Vetvete dhe prej Vetes, disa pjesë të krijimit të Tij të fundmë, nëse ruhen të paprekura dhe përdoren siç duhet, janë, brenda vetë kufijve të tyre, në thelb “të pashtershme”. Në ciklin e tij vjetor të lindjes, dhënies së jetës, vdekjes dhe të rilindjes, një kopsht i kultivuar me kujdes mund të dëshmojë se Perëndia është “Zoti dhe Dhënësi i jetës”.

Në qoftë se Perëndia është I Mirë dhe, për analogji, edhe krijesat janë të mira, atëherë si Perëndia, ashtu edhe krijesat janë të denja që ne të gjejmë kënaqësi dhe t’i shijojmë ato, secilën në masën e duhur. Në saje të krijimit të drejtë të Perëndisë, krijesat ekzistojnë sipas një rendi të duhur, pra, kanë një mënyrë jetese në harmoni me gjithçka tjetër. Kjo harmoni u dëmtua prej rënies, sepse mëkati solli rrëmujë e çrregullim në botë. Mirëpo mëkati nuk i zhbëri gjërat e krijuara dhe as mirësinë e tyre. Madje mëkati dhe padrejtësia japin dëshmi, megjithëse negative, të rendit fillestar që ishte një herë e një kohë (dhe që do të jetë sërish një ditë). Në epokën tonë, një pjesë e veprës së Frymës së Shenjtë është të na ripërtërijë mendjen dhe zemrën, që të mund ta shohim dhe ta njohim ashtu siç duhet marrëdhënien e vërtetë që kanë krijesat me Krijuesin e tyre të përsosur, me qëllim që ta njohim dhe ta duam Atë në Jezu Krishtin (Hebrenjve 11:3; II Korintasve 4:1–6).

Dhurata të çmuara

Neve qenieve njerëzore na është dhënë jeta “në shëmbëllimin” e Perëndisë. Duke pasur këtë ngjashmëri me Krijuesin tonë, neve na është dhënë sundimi mbi gjithë gjërat e krijuara (Zanafilla 1:26–27). Mirëpo si duhet ta ushtrojmë këtë nënsundim? Të paktën një mënyrë për ta bërë këtë na duket e qartë: meqenëse jemi krijuar sipas shëmbëllimit të Zotit dhe Dhënësit të jetës, i cili është edhe Krijuesi i shtëpisë sonë, në të cilën krijesat mund të jetojnë e të lulëzojnë, atëherë duhet të gjejmë mënyra veprimi që janë ngjashmërisht jetëdhënëse, me qëllim që krijesat të lulëzojnë në vendbanimin e tyre. Këto mënyra do t’i nderonin dhuratat që na janë besuar ashtu siç na i ka dhënë Perëndia, duke i trajtuar ato me admirim të vetëdijshëm dhe me mirënjohjen e duhur ndaj Perëndisë (Psalmet 92:4).

Mirëpo, për më tepër, këto mënyra jetëdhënëse duhet të nderojnë Dhënësin që na i dha këto gjëra për t’i njohur, për t’i dashur, për t’i shijuar dhe për t’i përdorur ato. Ai Vetë kënaqet me to (Zanafilla 1:31; Sofonia 3:17). Psalmisti i bën thirrje Jahveh-ut që të gëzohet me veprat e Jahveh-ut (Psalmet 104:31), dhe këto vepra përfshijnë dhuratat e shiut dhe ujërave të burimeve (104:10–13), si dhe barin dhe bimësinë tjetër që rritet si pasojë e këtyre ujërave (104:14). Psalmi reflekton rreth ushqyerjes së bimëve, zogjve, bishave dhe peshqve, duke thënë se Zoti Perëndi i ushqen të gjitha ato, me qëllim që të jetojnë.

Kjo litani e veprave të Zotit përfshin gjithashtu, si rrjedhojë e dhuratave të Perëndisë, edhe veprat njerëzore të bukës dhe verës (104:14–15). E po, më duket se, nëse këto vepra të duarve njerëzore do ta përlëvdojnë Zotin, i cili na ka dhënë gjithë ekosistemin që prodhon grurin dhe rrushin (përfshirë edhe kafshët që përhapin farat e tyre dhe plehërojnë tokën ku ato rriten), atëherë mënyra se si i prodhojmë dhe i përdorim bukën dhe verën duhet të jetë e mirë, sa më shumë që të jetë e mundur e në çdo aspekt. Buka duhet të jetë bukë e mirë, vera duhet të jetë verë e mirë; vetitë e tyre natyrore dhe jetëdhënëse nuk duhet të shkatërrohen, por duhet të pasurohen përmes veprës së duarve tona, duke u shkaktuar sa më pak dëm krijesave të tjera gjatë përdorimit të tyre.

Idealisht, përmes mënyrës se si i krijojmë dhe i përdorim gjërat, jeta jonë njerëzore do të ushqehej po aq sa edhe jeta e gjallesave të tjera, nga të cilat varet jeta jonë. Në fund të fundit, nëse bari që do të bëhet ushqimi ynë, rritet gjithashtu nga Perëndia për të ushqyer bagëtinë (Psalmet 104:14; Zanafilla 1:28–30), atëherë pjesë e përdorimit të barit në një mënyrë që e nderon Perëndinë, është të mos e shkatërrojmë atë, me qëllim që të mbetet edhe për brezat e ardhshëm si të njerëzve, ashtu edhe të gjallesave të tjera. Nëse do të mësonim t’i shijonim krijesat e Perëndisë dhe të kujdeseshim për to në përputhje me natyrën që Ai u ka dhënë dhe jo në kundërshtim me të, duke punuar së bashku me frytshmërinë që Perëndia ka vendosur në to, atëherë do të fillonim të shihnim më qartë se si ato — ashtu si edhe dhe ne — pasqyrojnë jetën e pafundme dhe të pashtershme të Perëndisë Trini.

Kënaqësia jonë mirënjohëse

I njëjti Pal që na thotë se Perëndia na i jep të gjitha gjërat pasurisht për t’i shijuar (I Timoteut 6:17), po ashtu na thotë se mirënjohja ndaj Perëndisë, Dhënësit, është një prej mënyrave më të efektshme për të parandaluar idhujtarinë, mëkatin që e harron bujarinë e Perëndisë dhe që, në mënyrë të ligë, e vendos krijesën në vend të Perëndisë (Romakëve 1:20–23). Në qoftë se mund ta disiplinojmë mendjen tonë që ta falënderojmë Perëndinë për dhuratat praktike të ujit, diellit, barit, frutave, si dhe fqinjëve, vetes, trupit dhe shpirtit — gjëra të cilat Perëndia nuk kishte absolutisht asnjë nevojë që t’i krijonte! — atëherë prej kësaj mirënjohjeje do të buronte edhe një kënaqësi e dashur në këto dhurata dhe në përdorimin e tyre me dashuri. Mirëpo çka është më e rëndësishme, kjo mirënjohje e butë dhe plot gëzim për dhuratat e Perëndisë do të përlëvdojë Vetë Perëndinë, Dhënësin e mirë dhe të përsosur të të gjitha gjërave.

Matt Crutchmer shërben si ndihmësprofesor i teologjisë pranë Kolegjit dhe Seminarit Bethlehem.