tracing the lamb 620

Shkurt 2024  


Koncepti i Qengjit të Perëndisë është një nga temat kyç që përshkon gjithë historinë e shpengimit. Fillimet e tij i ndeshim te Zanafilla 22, kur Perëndia e thirri Abrahamin që të shkonte në Malin Moriah dhe të ofronte atje si flijim, Isakun, të birin. Abrahami, duke iu bindur Perëndisë, bëri gjithçka gati për flijimin, por në çastin e fundit fare, pasi e kishte lidhur Isakun mbi altar dhe po bëhej gati t’i ngulte thikën në zemër, Perëndia e ndaloi me këto fjalë: “Mos e zgjat dorën kundër djalit dhe mos i bëj asnjë të keqe. Tani e di mirë që ti i druhesh Perëndisë, se për shkakun tim nuk e ke kursyer birin tënd, të vetmin bir që ke” (v. 12). Në atë moment, prapa Abrahamit u bë rrëmujë dhe kur u kthye, pa një dash të zënë për brirësh në një shkorret. Perëndia kishte siguruar një qengj si flijim zëvendësues për birin e Abrahamit. Natyrisht, te Zanafilla 22, nuk thuhet në asnjë vend se dashi që kapi dhe ofroi Abrahami si flijim në vend të Isakut, ishte një flijim fajheqës. Megjithëkëtë, ishte një flijim zëvendësues dhe ky është koncepti që shërben si pikënisje e shlyerjes që më vonë bëri Krishti. Jezusi vepron si zëvendësi ynë dhe Perëndia e derdh zemërimin e Tij për shkak të mëkatit tonë mbi Të, në vend që ta derdhë mbi ne. Pra, Perëndia siguron një qengj të Vetin dhe e pranon jetën e Atij zëvendësuesi.

"Për shkak të mëkatit tonë, Perëndia e derdh zemërimin e Tij mbi Jezusin, në vend që ta derdhë mbi ne."

Sigurisht që në mënyrë të ngjashme, e ndeshim simbolizmin e Qengjit të Perëndisë edhe te Pashka. Kur Perëndia po gatitej që të sillte plagën e fundit mbi egjiptasit, vdekjen e të gjithë meshkujve të parëlindur të Egjiptit, përfshirë këtu princin e kurorës së Faraonit, Ai e udhëzoi popullin e Tij, Izraelin, që të thernin qengja pa të metë dhe ta spërkatnin gjakun e tyre mbi shtalkat dhe arkitraun e portave të shtëpive. Perëndia premtoi se do të kalonte mbi të gjitha shtëpitë ku do ta shihte gjakun e qengjave të spërkatur mbi shtalkat dhe arkitraun e portave (Eksodi 12:3-13). Ashtu si gjaku i këtyre qengjave bëri që populli i Izraelit të kursehej prej zemërimit të Perëndisë, ashtu edhe Qengji i Perëndisë e shpengoi popullin e Vet nga ndëshkimi që meritonin për mëkatet e tyre.

Duke pasur parasysh gjuhën simbolike që përdoret te Zanafilla 22, tek Eksodi 12 dhe te pasazhe të tjera gjatë gjithë Dhiatës së Vjetër, do të ishte marrëzi nëse do të thoshim se titulli “Qengji i Perëndisë” ishte zbulimi i apostullit Gjon. Fjalët e Gjon Pagëzorit bazoheshin në njohurinë e tij rreth Dhiatës së Vjetër, e cila përbënte Shkrimet e Shenjta të hebrenjve në kohën e Krishtit.

Pavarësisht nga përdorimi i gjerë i titujve të rëndësishëm lidhur me Jezusin në kapitullin e parë të Ungjillit sipas Gjonit, pra, “Qengji i Perëndisë”, “Biri i Perëndisë”, “Mesia”, “Biri i Njeriut”, e kështu me radhë, nuk besoj se Gjon Pagëzori, Andrea, Natanaeli apo edhe dishepujt e tjerë, e kuptonin plotësisht domethënien e këtyre titujve. Gjon Pagëzori, i cili thotë në këto vargje: “Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!”, përfundoi më pas në burg dhe i dërgoi lajmëtarë Jezusit që ta pyesnin: “A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të shohim për ndonjë tjetër?” (Luka 7:20). Kjo pyetje dëshmon për faktin se Gjoni nuk e kishte kuptuar plotësisht identitetin e Jezusit, pavarësisht dëshmisë së tij dramatike rreth këtij të fundit. Problemi qëndron në faktin që edhe ai kishte pritshmëritë e veta. Ai priste që Qengji i Perëndisë të vinte dhe t’i shporrte pushtuesit romakë, ashtu siç prisnin edhe të gjithë të tjerët. Mirëpo, edhe ai mbeti i hutuar kur pa që Jezusi thjesht vazhdoi të predikonte.

Qengji i Perëndisë e shpengoi popullin e Vet nga ndëshkimi që meritonin për mëkatet e tyre.

Jezusi u tha lajmëtarëve të Gjonit: “Shkoni dhe i thoni Gjonit ç’keni parë e dëgjuar: të verbrit fitojnë përsëri të parit, të çalët ecin, lebrosët po pastrohen, të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngrihen, dhe ungjilli u shpallet të varfërve” (Luka 7:22). Jezusi vuri në dukje mrekullitë që kishte bërë për të konfirmuar identitetin e Vet përpara Gjonit dyshues. Ai gjithashtu iu referua profecisë mesianike të Isaias 61:1-2a, e cila thotë:

“Fryma e ZOTIT, ZOTI, është mbi mua,
sepse ZOTI më ka vajosur
për t’u dhënë një lajm të mirë të përulurve;
më ka dërguar të lidh plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer,
t’u shpall çlirimin atyre në robëri,
hapjen e burgut të burgosurve,
të shpall vitin e hirit të ZOTIT.”

Është njësoj sikur Jezusi t’i thoshte: “Gjon, po ta kishe studiuar si duhet Biblën, nuk do të më pyesje nëse jam Ai që duhet të vijë. Nuk ke pse kërkon për ndonjë tjetër. Herën e parë qëllove në shenjë. Unë jam Qengji i Perëndisë”.

Edhe Pjetri mbeti i hutuar ashtu si Pagëzori, madje edhe kur bëri rrëfimin e vet madhështor në Cezare të Filipisë. Duke iu përgjigjur pyetjes së Jezusit se kush mendonin dishepujt se ishte ai, Pjetri tha: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë” (Mateu 16:16). Jezusi pohoi se rrëfimi ishte i saktë dhe e shpalli Pjetrin “të lumë” që e kuptoi se kush ishte Ai. Mirëpo, menjëherë më pas, kur Jezusi i tha dishepujve të Vet se ishte nisur për në Jerusalem ku do të vuante dhe do të vdiste, Pjetri e qortoi dhe i tha: “Kjo mos të ndodhtë kurrë” (16:22b). Përpara një minute, Pjetri rrëfeu se Jezusi ishte Mesia, por vetëm një minutë më pas, tregoi qartë se nuk e kishte kuptuar aspak se çfarë domethënieje kishte fakti që Jezusi ishte Mesia.

Natyrisht, edhe ne kemi prirje që të hutohemi. Vetëm kur shohim tablonë e plotë që përfshin kryqin, ringjalljen, ngjitjen në qiell dhe derdhjen e Frymës në Ditën e Rrëshajëve, arrijmë të dallojmë thellësitë dhe pasuritë e gjithë asaj që Perëndia po na komunikonte përmes shpalljes së lajmëtarit të Tij, i cili tha: “Ja, Qengji i Perëndisë, që ngre mëkatin e botës!”

Ky artikull është një fragment i marrë nga komentari i R.C. Sproul rreth Ungjillit sipas Gjonit.


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/jesus-christ-lamb-god
Autori: R.C. Sproul  
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2024


EtiketaLigonier

Postime të ngjashme

Çfarë është shlyerja e kufizuar?
Sakrifica dhe mirëkujdestaria
5 gjëra që duhet t’i dini për Davidin