dev spurgeon 9
Janar 2023

Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira.

Zanafilla 1:4

Mund të themi se drita është e mirë, sepse shpërtheu nga urdhri dashamirës: “U bëftë drita!”. Ne që kënaqemi me dritën, duhet të jemi më tepër mirënjohës për të dhe duhet ta shohim më shumë Perëndinë në të dhe përmes saj. Salomoni na thotë që drita natyrore është e ëmbël, por drita e ungjillit është pafundësisht më e shtrenjtë, sepse na zbulon gjërat e përjetshme dhe i shërben natyrës sonë të pavdekshme. Kur Fryma e Shenjtë na mbush me dritën frymërore dhe na i hap sytë për të parë lavdinë e Perëndisë në fytyrën e Jezu Krishtit, nisim ta shohim mëkatin ashtu siç është në të vërtetë dhe veten tonë ashtu siç jemi në realitet. E shohim Perëndinë, Shumë të Shenjtin, ashtu siç na e zbulon Ai Veten, planin e mëshirës ashtu siç na e paraqet Ai dhe botën të marrë formë ashtu siç na e përshkruan Fjala. Drita frymërore ka plot rreze dhe shumë ngjyra ylberi, por çfarëdo qofshin ato, njohuri, gëzim, shenjtëri ose jetë, janë të gjitha hyjnisht të mira. Nëse drita që kemi marrë është kaq e mirë, si do të jetë vallë kjo dritë në thelbin e saj dhe sa i lavdishëm do të jetë vendi ku e zbulon Ai Veten e Tij. O Zot, meqë Drita është kaq e mirë, na jep më shumë prej saj dhe më shumë prej vetes Sate, dritës së vërtetë. 

Sapo vjen një gjë e mirë në këtë botë, menjëherë lind nevoja e ndarjes. Drita dhe errësira nuk qëndrojnë dot bashkë; Perëndia i ka ndarë—le të mos i ngatërrojmë ato. Bijtë e dritës nuk duhet të kenë përbashkësi me veprat, doktrinat ose mashtrimet e errësirës. Fëmijët e ditës duhet të jenë të përkorë, të ndershëm dhe të guximshëm në punën e tyre për Zotin, duke ia lënë veprat e errësirës atyre që do të banojnë përjetësisht në të. 

Nëpërmjet disiplinës, kishat tona duhet të ndajnë dritën nga errësira dhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë, duke u ndarë në mënyrë të dallueshme nga bota. Në gjykim, veprim, dëgjim, mësim dhe shoqërim duhet të bëjmë dallimin mes të çmuarës dhe të neveritshmes, dhe të ruajmë dallimin e madh që bëri Zoti në ditën e parë të botës. 

O Zoti Jezus, qofsh drita jonë gjatë gjithë ditës së sotme, sepse drita Jote është drita e njerëzve!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin