Tetor_3

Tetor 2022


Perëndia është i tejmbushur me dashuri dhe besnikëri.

Dy imazhe më vijnë në mendje për këtë:

  1. Zemra e Perëndisë është si një burim i pashtershëm uji në majë të malit, që gufon me dashuri dhe besnikëri. Burimi vazhdon të derdhet shekuj pas shekujsh.
  2. Ose zemra e Perëndisë është si një vullkan aq i vrullshëm dashurie, saqë e shpërthen majën e malit dhe vazhdon të derdhë llavën e dashurisë dhe besnikërisë vit pas viti.

Kur Perëndia përdor fjalën “i pasur”–“i pasur në mirësi dhe në besnikëri”–ai do që të kuptojmë dhe të ndiejmë që burimet e dashurisë së tij janë të pakufizuara. Ti mund të pish nga burimi i malit gjatë gjithë ditës, vit pas viti, brez pas brezi, dhe ai nuk thahet kurrë.

Madje mund të rrezikosh e të thuash se Perëndia është si një qeveri që thjesht shtyp më shumë para kur ato nevojiten. I pashtershëm, apo jo? Epo ka një dallim. Perëndia ka një thesar të pafundmë dashurie të artë për ta mbështetur tërë paranë që shtyp. Qeveria jeton në një botë ëndrrash. Perëndia realisht mbështetet në burimet e pafundme të hyjnisë së Tij.

Ekzistenca absolute, liria sovrane dhe gjithëfuqia e Perëndisë janë plotësia vullkanike që shpërthejnë në një vërshim dashurie. Madhështia absolute e Perëndisë do të thotë se Ai nuk ka nevojë që ne të plotësojmë ndonjë mangësi tek Ai. Përkundrazi, vetëmjaftueshmëria e Tij e pafundme derdhet në dashuri ndaj nesh, mëkatarëve, që kemi nevojë për Të dhe për dhuratën e vetes së Tij në Jezusin.

Ne mund të mbështetemi në dashurinë e Tij, pikërisht sepse besojmë në ekzistencën e Tij absolute, në sovranitetin e lirisë së Tij dhe në pakufishmërinë e fuqisë së Tij.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>