Tetor_2

Tetor 2022


“Por Perëndia ynë është në qiejt dhe bën tërë atë që i pëlqen” (Psalmi 115:3). Ky varg nënkupton që Perëndia ka të drejtën dhe pushtetin të bëjë gjithçka që e bën Atë të lumtur. Ky është kuptimi i të thënit se Perëndia është sovran.

Mendo pak për këtë: Nëse Perëndia është sovran dhe mund të bëjë çdo gjë që i pëlqen Atij, atëherë asnjë nga qëllimet e Tij nuk mund të pengohet. “ZOTI e bën të dështojë planin e kombeve dhe asgjëson synimet e popujve. Plani i ZOTIT mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez” (Psalmi 33:10-11).

Nëse asnjë nga qëllimet e Tij nuk mund të pengohet, atëherë Ai duhet të jetë qenia më e lumtur nga të gjitha.

Lumturia e pafundme dhe hyjnore është burimi, nga i cili pi i krishteri (hedonisti) dhe dëshiron të pijë edhe më tepër.

A e përfytyron dot se si do të ishte nëse Perëndia që sundon botën, do të ishte i palumtur? Po sikur Perëndia të ishte i dhënë pas ankesave, vrerosjes dhe depresionit sikur të ishte njëfarë gjiganti si Xheku majë bimës së fasules në qiell? Po sikur Perëndia të ishte i irrituar, i dëshpëruar, i zymtë, i vrenjtur, i pakënaqur dhe i brengosur?

A do të bashkoheshim me Davidin dhe të thonim: “O Perëndi, ti je Perëndia im, unë të kërkoj në mëngjes; shpirti im është i etur për ty; ty të dëshiron mishi im në tokë të thatë dhe të djegur, pa ujë” (Psalmi 63:1). Mendoj se jo.

Ne të gjithë do të lidheshim me Perëndinë si fëmijë të vegjël që kanë një baba të irrituar, të zymtë, të vrenjtur dhe të pakënaqur. Ata s’mund të kënaqen me të. Thjesht mund të përpiqen që të mos e bezdisin, ose ndoshta të përpiqen të punojnë për të, që të fitojnë pak favor.

Por Perëndia nuk është i tillë. Ai nuk preket kurrë nga irritimi ose dekurajimi. Siç thotë edhe Psalmi 147:11: Ai “kënaqet... me ata që shpresojnë në mirësinë e tij.” Prandaj, synimi i hedonistit të krishterë nuk është që ta shmangë këtë Perëndi, t’ia mbathë nga Ai, apo të ecë pa u ndier përmes dhomës nga frika se mos zymtësia e Tij kthehet në zemërim. Jo. Synimi ynë është që të shpresojmë në dashurinë e Tij të palëkundur. Të vrapojmë tek Ai. Të jemi të lumtur në Perëndinë, të gjejmë kënaqësi në Të, ta çmojmë dhe ta shijojmë bashkësinë dhe favorin e Tij.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>