spurgeon dev 25 dhjetor am
Dhjetor 2023

Ja, e virgjra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel.

Isaia 7:14

Le të shkojmë sot në Bethlehem dhe së bashku me barinjtë e mahnitur dhe dijetarët e përulur në adhurim, le ta shohim Atë që lindi si Mbreti i judenjve, sepse përmes besimit mund të shpallim se kemi pjesë në Të dhe mund të këndojmë: “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë” (Isaia 9:5).

Jezusi është Perëndia i mishëruar, Zoti dhe Shpëtimtari ynë, por gjithashtu edhe vëllai dhe miku ynë; le ta adhurojmë dhe ta admirojmë Atë. Së pari, le t’i kushtojmë vëmendje ngjizjes së Tij të mrekullueshme. Ishte një gjë e padëgjuar deri atëherë, një vepër e pashoqe deri më sot, që një virgjëreshë të mbetej shtatzënë dhe të lindte një djalë.

Premtimi i parë kishte të bënte me farën e gruas, jo me pasardhjen e burrit. Përderisa gruaja “guximtare” i hapi udhën mëkatit, gjë e cila solli humbjen e parajsës, ajo dhe vetëm ajo, e sjell në botë Rifituesin e Parajsës.

Shpëtimtari ynë, edhe pse ishte njeri në kuptimin e plotë të fjalës, në natyrën e Tij njerëzore ishte po ashtu edhe i Shenjti i Perëndisë. Le të përulemi me nderim përpara Fëmijës së shenjtë, pafajësia e të cilit i kthen njerëzimit lavdinë e dikurshme; dhe le të lutemi që Ai të formohet në ne, shpresa e lavdisë. 

Nuk duhet të të shpëtojë pa e vënë re prejardhjen e Tij të zakonshme. E ëma e tij përshkruhet thjesht si “e virgjra”, jo një princeshë apo profeteshë, dhe as grua me pushtet. Vërtet në venat e saj rridhte gjaku i mbretërve; dhe nuk ishte një çupë e pamësuar dhe mendjelehtë, sepse ajo mund të këndonte ëmbëlsisht një këngë lavdërimi. Mirëpo, sa i ulët ishte statusi i saj shoqëror, sa i vobektë ishte burri me të cilin ishte fejuar dhe në ç’gjendje të mjerueshme ishte streha që u sigurua për Mbretin e porsalindur! 

Emanuel-Perëndia me ne në natyrën tonë, në pikëllimin tonë, në punët tona të përditshme, në ndëshkimin tonë, në vdekjen tonë dhe tashmë me ne, ose më saktë, ne me Të, në ringjalljen, ngjitjen, ngadhënjimin dhe shkëlqimin e ardhjes së Tij të dytë.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>