tetor 20

Tetor 2022


Në Lutjen e Zotit, Jezusi na mëson që përparësia e parë në lutje është t’i kërkojmë Atit tonë qiellor të bëjë që emri i Tij të shenjtërohet. Në ne. Në kishë. Në botë. Kudo.

Vër re se kjo është një kërkesë, një lutje, jo deklaratë apo shpallje. Pra, nuk është një shprehje lavdërimi, por një kërkesë. Për vite me radhë e kisha lexuar gabim Lutjen e Zotit, sikur ajo të fillonte me lavdërim: “Lavdi Perëndisë, emri i Zotit është shenjtëruar, druajtur, përnderuar!” Ama nuk është një shpallje, por një përgjërim. Ajo është një kërkesë drejtuar Perëndisë që Ai të garantojë që emri i Tij të shenjtërohet.

Kjo është njësoj me një varg tjetër, Mateu 9:38, ku Jezusi na thotë t’i lutemi Zotit të të korrave që Ai të dërgojë punëtorë në të korrat e Tij. Mahnitem vazhdimisht që ne, ne punëtorët, duhet të udhëzohemi për t’ju lutur pronarit të fermës, i cili i njeh të korrat më mirë se ne, të dërgojë më shumë punëtorë në fermën e Tij.

A nuk kemi të njëjtën gjë edhe këtu në Lutjen e Zotit–Jezusi po na thotë t’i kërkojmë Perëndisë, i cili është pafundësisht i zellshëm për nderin e emrit të Tij, të garantojë që emri i Tij të shenjtërohet, që do të thotë të nderohet, të druhet, të lartësohet si pafundësisht i çmuar?

Epo, ndoshta na mahnit, por ja ku është. Gjithashtu ajo na mëson dy gjëra.

  1. Njëra është që lutja nuk e shtyn Perëndinë të bëjë gjëra që Ai nuk është i gatshëm t’i bëjë. Çdo synim që Ai ka, është të bëjë që emri i Tij të shenjtërohet. Asgjë nuk është më lart në listën e përparësive të Perëndisë. Por ne duhet të kërkojmë pavarësisht këtij fakti.
  2. Tjetra është që lutja është mënyra e Perëndisë për t’i përshtatur përparësitë tona me të Tijat. Perëndia ka për qëllim t’i bëjë gjërat e mëdha rrjedhojën e lutjeve tona, kur ato janë rrjedhoja e qëllimeve të Tij të mëdha.

Sille zemrën tënde në përputhje me xhelozinë e Perëndisë për ta shenjtëruar emrin e Tij, dhe kështu do të lutesh me një efektshmëri të madhe. Lutja jote e parë dhe gjithëpërcaktuese qoftë për shenjtërimin e emrit të Perëndisë, dhe lutjet e tua do të marrin nga fuqia e xhelozisë së Perëndisë për emrin e Tij.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>