“Çfarëdo që të bëni, punoni prej shpirtit, si për Zotin e jo për njerëzit, duke ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin e trashëgimisë. Shërbejini Zotit Krisht!” KOLOSIANËVE 3:23-24
Puna është pjesë e planit krijues të Perëndisë dhe, si rrjedhim, është edhe pjesë e qëllimit tonë në jetë.
Puna ekzistonte para rënies në mëkat: Perëndia i dha Adamit dhe Evës kopshtin që njeriu “ta punonte dhe ta ruante” (Zanafilla 2:15). Ne nuk u krijuam që të rrinim duarkryq dhe të mos bënim asgjë! Përkundrazi, ne u krijuam në shëmbëllimin e Perëndisë, të cilit i pëlqen të punojë dhe të krijojë.
Shkrimtarët e Besëlidhjes së Re presin që besimtarët të punojnë — jo vetëm që të imitojmë Krijuesin tonë, por edhe për të ndihmuar “për nevojat e domosdoshme, që të mos [jemi] të pafrytshëm” (Titit 3:14). Kjo thirrje për të punuar “prej shpirtit” nuk është përtej mundësive tona; kjo nuk është një nxitje për të qenë supernjerëz. Përkundrazi, kjo është një ftesë për të jetuar qetësisht, për të parë punën tonë dhe për të punuar me duart tona (I Selanikasve 4:11), që të mund të sigurojmë jo vetëm për veten tonë, por edhe për ata që kanë një nevojë të veçantë. Veprimtaritë e zakonshme të jetës janë provani hyjnore, që ne të punojmë “prej shpirtit, si për Zotin e jo për njerëzit”. Në të gjitha përgjegjësitë dhe përkushtimet tona të përditshme — pavarësisht nëse këtu përfshihet investimi i shumave të mëdha të parave apo ndërrimi i pelenave, puna në fabrikë, lërimi i tokës apo takimi i bordit — ne mund t’i shohim ato si vetë instrumentet që Perëndia do t’i përdorë për qëllimet e Tij dhe për ta përlëvduar emrin e Tij.
Puna e madhe brenda caqeve që Perëndia ka caktuar për ne, e heq qafe shqetësimin në lidhje me punën e personit përkrah nesh. Në fund të fundit, nuk jemi ne ata që po mbajnë llogari dhe as ata nuk janë! Perëndia, i cili kënaqet kur ne punojmë me zell për detyrat që na ka caktuar, është Ai që do t’i japë shpërblimet në ditën kur të qëndrojmë para Tij. Miratimi i punës sonë prej Tij, mënyra se si mendojmë për të dhe si e kryejmë atë, janë ato që kanë më së pari rëndësi, dhe jo miratimi i shefit, i kolegëve dhe i vetes sonë.
Në udhëzimin e Palit nuk gjejmë asnjë përjashtim. Kjo është një nxitje e drejtpërdrejtë për të punuar dhe për të punuar fort. Në vende të tjera në Shkrim, Pali e inkurajon edhe Timoteun që t’i urdhërojë bashkëbesimtarët të sigurojnë për të afërmit e tyre, sidomos për anëtarët e shtëpisë së tyre, “me qëllim që ata të jenë të paqortueshëm” (I Timoteut 5:7). Rrjedhoja është e qartë: kur hiri është duke vepruar në jetën tonë, ne do të jemi të përkushtuar për t’i plotësuar nevojat e atyre që varen prej nesh dhe të atyre që janë në nevojë.
Ne u bëmë në shëmbëllimin e Perëndisë dhe u krijuam për vepra të mira. Nuk ka rëndësi se në çfarë vendi apo faze të jetës jeni, sot ju keni punë për të bërë në krijimin e Perëndisë. Sigurohuni që ta bëni me gjithë zemër dhe sa më mirë që të mundeni. Sigurohuni që ta bëni me perëndishmëri, duke u interesuar më shumë për opinionin e mirë të Perëndisë sesa për atë të kujtdo tjetër. Sigurohuni që ta bëni me gëzim, pavarësisht se sa e zakonshme, sa rutinë ose sfiduese që mund të jetë, sepse duke e bërë kështu, po i shërbeni Krishtit dhe po i sillni lavdi emrit të Tij. Kjo është e mjaftueshme për ta transformuar çdo detyrë në diçka të lavdishme!