korrik 13

Korrik 2022


Besimi ka një oreks të pangopur për të përjetuar sa më shumë nga hiri i Perëndisë që të jetë e mundur. Prandaj, besimi ecën me këmbëngulje drejt lumit ku hiri i Perëndisë rrjedh më lirshëm, domethënë, drejt lumit të dashurisë.

Çfarë force tjetër do të na nxjerrë jashtë dhomave tona të rehatisë për të duruar parehatitë dhe vuajtjet, që kërkon dashuria?

Çfarë do të na motivojë...

  • të përshëndesim të panjohurit kur na vjen turp?
  • të shkojmë te një armik dhe t’i përgjërohemi për pajtim kur ndihemi të indinjuar?
  • të japim të dhjetën kur nuk e kemi provuar kurrë ta japim?
  • të flasim me kolegët tanë për Krishtin kur jemi të ndrojtur?
  • të ftojmë fqinjë të rinj në një studim Bible?
  • të shkojmë në një kulturë të re me ungjillin?
  • të krijojmë një shërbesë të re për alkoolistët?
  • të kalojmë një mbrëmje duke transportuar njerëz me furgon?
  • të investojmë një mëngjes duke u lutur për ripërtëritje?

Asnjë nga këto vepra të kushtueshme dashurie nuk ndodh vetë. Ato motivohen nga një oreks i ri–nga oreksi i besimit për përjetimin më të plotë të hirit të Perëndisë. Ne duam më tepër nga Perëndia. E duam këtë më tepër sesa rehatinë, e sigurinë tonë pa shqetësime dhe private.

Besimit i pëlqen të mbështetet në Perëndinë dhe ta shohë atë të bëjë mrekulli në ne. Prandaj, besimi na shtyn në rrymën ku fuqia e hirit të ardhshëm të Perëndisë rrjedh më lirshëm–në rrymën e dashurisë.

Mendoj se kjo është ajo që Pali donte të thoshte kur tha se duhet të mbjellim për Frymën (Galatasve 6:8). Me anë të besimit, duhet t’i vendosim farat e energjisë tonë në brazdat ku e dimë se Fryma është duke punuar për të dhënë fryt–në brazdat e dashurisë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>