dhjetor 13

Dhjetor 2022


E thamë dhe më herët, por ka akoma. Krishtlindja është zëvendësimi i hijeve me atë që është e vërtetë. Hebrenjve 8:1-2, 5 është pak a shumë një deklaratë përmbledhëse. Ideja është që prifti, i cili ndërmjetëson për ne para Perëndisë, që na bën të drejtë para Tij dhe që i lutet Perëndisë për ne, nuk është një prift i zakonshëm, i dobët, mëkatar dhe vdekatar, si në kohën e Dhiatës së Vjetër. Ai është Biri i Perëndisë–i fortë, pa mëkat dhe me një jetë të pashkatërrueshme.

Jo vetëm kaq, por Ai nuk po shërben në një tabernakull tokësor, me tërë kufizimet e vendit dhe madhësisë, një tabernakull që shkatërrohet, që brehet prej tenjës, që laget, digjet dhe vidhet. Jo, Hebrenjve 8:2 thotë se Krishti po shërben për ne në “tabernakullin e vërtetë, të cilin e ngriti Perëndia e jo njeriu”. Kjo nuk është hije, kjo është diçka reale në qiell. Ky është realiteti, hija e të cilit ra mbi Malin Sinai që Moisiu ta kopjonte.

Sipas Hebrenjve 8:1, diçka tjetër madhështore për realitetin që është më i madh se hija, është se Kryeprifti ynë është ulur në të djathtë të Madhërisë në qiej. Asnjë prift i Dhiatës së Vjetër nuk mund ta thoshte dot kurrë këtë gjë.

Jezusi merret drejtpërdrejt me Perëndinë Atë. Ai ka një vend nderi përkrah Perëndisë. Ai është i dashur dhe i respektuar pafundësisht prej Perëndisë. Jezusi është vazhdimisht me Perëndinë. Kjo nuk është hija e realitetit siç ishin perdet, legenët, tryezat, qirinjtë, rrobat, kupat, delet, dhitë dhe pëllumbat. Ky është realiteti i fundit dhe përfundimtar: Perëndia dhe Biri i Tij që bashkëveprojnë në dashuri dhe shenjtëri për shpëtimin tonë të përjetshëm.

Realiteti përfundimtar ka të bëjë me personat e Hyjnisë, të cilët janë në marrëdhënie bashkëveprimi me njëri-tjetrin për manifestimin e madhështisë, shenjtërisë, dashurisë, drejtësisë, mirësisë dhe së vërtetës së tyre në një popull të shpenguar.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>