maj 10

Maj 2022


Vështirë se mundemi ta mbitheksojmë se si rëndësia qendrore që ka emri i Perëndisë, pra, fama e Perëndisë, motivon misionin e kishës.

Kur Pjetrit iu kthye bota kokëposhtë nga vegimi i kafshëve të papastra te Veprat e Apostujve 10, dhe nga mësimi që Perëndia i dha për ungjillëzimin e johebrenjve dhe të judenjtë gjithashtu, ai u kthye në Jerusalem dhe u tregoi apostujve që e gjithë kjo ndodhi për shkak të zellit që Perëndia ka për emrin e Tij. Këtë e dimë, sepse Jakobi e përmblodhi kështu fjalimin e Pjetrit: “Burra vëllezër, më dëgjoni! Simoni ka treguar si i ka vizituar për herë të parë Perëndia kombet, që të marrë prej tyre një popull për emrin e tij” (Veprat 15:13-14).

Nuk është për t’u habitur që Pjetri do të thoshte se qëllimi i Perëndisë ishte të mblidhte një popull për emrin e Tij; sepse Zoti Jezus e kishte qortuar Pjetrin disa vite më parë me një mësim të paharrueshëm.

Të kujtohet kur, pasi një i ri pasanik u largua nga Jezusi dhe refuzoi ta ndiqte atë, Pjetri i tha Jezusit: “Ja, ne i lamë të gjitha dhe të ndoqëm [ndryshe nga ky i ri pasanik]; çfarë do të bëhet me ne?” (Mateu 19:27). Jezusi iu përgjigj me një qortim të butë, i cili me pak fjalë thoshte se kur jeton për emrin e Birit të Njeriut, ti nuk po bën ndonjë sakrificë të jashtëzakonshme, ndaj Ai i tha: “Dhe kushdo që ka lënë, për hir të emrit tim, shtëpi, ose vëllezër, ose motra, ose atë, ose nënë, ose grua, ose bij, ose ara, do të marrë njëqindfish dhe do të trashëgojë jetë të përjetshme” (Mateu 19:29).

E vërteta është e qartë: Perëndia po ndjek me kënaqësi të plotfuqishme një qëllim mbarëbotëror për të mbledhur një popull për emrin e Tij nga çdo fis, gjuhë dhe komb (Zbulesa 5:9; 7:9). Ai ka një entuziazëm të pashtershëm për famën e emrit të tij mes kombeve.

Prandaj, kur ne i sjellim ndjenjat tona në përputhje me këtë të vërtetë, dhe për hir të emrit të Tij heqim dorë nga përpjekja jonë për famën dhe rehatitë tona në botë, dhe i bashkohemi qëllimit të Tij global, atëherë përkushtimi i gjithëpushtetshëm i Perëndisë ndaj emrit të Tij shpaloset si një flamur para nesh, dhe ne s’mund të humbasim, edhe nëse do të na duhet të kalojmë përmes shumë mundimeve (Veprat 14:22; Romakëve 8:35-39).


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia