Zotimet e vitit të ri për lavdinë e Perëndisë, jo për tonën

Janar 2022                                                                      


Zotimet e vitit të ri për lavdinë e Perëndisë, jo për tonën

Duket sikur çdo dhjetor shumë njerëz bëjnë zotime të mirëmenduara për vitin e ri. Ata rrëmbehen nga shpërthime entuziaste në një vorbull veprimtarish të çuditshme e ndonjëherë publike, që hutojnë edhe fëmijët e lagjes. Ne bëhemi dëshmitarë të premtimeve befasuese dhe manifestimeve për vitin e ri dhe të ndryshimeve gjithëpërfshirëse që mund të vijnë në vitin e ri. 

Vëzhguesi skeptik mund të pyesë: A është i vërtetë gjithë ky entuziazëm i vitit të ri? A është i dobishëm? A është vërtetë i nevojshëm? Për më tepër, vëzhguesi kureshtar mund të pyesë: A është me vend të bëhen zotime? Në fund të fundit, a nuk duhet të kërkojmë në çdo kohë dhe stinë të jetojmë me mençuri e bindje dhe si Bibla na mëson?

Disa madje mund të thonë se zotimet nuk janë biblike, bazuar në faktin që vetë Fjala e Perëndisë na jep një sërë zotimesh të plota dhe autoritare të Perëndisë, që ne si populli i Tij duhet t’u bindemi. Bërja e një liste tonën të zotimeve është pak e tepërt, do të thonin ata, dhe kjo është më e pakta. Këto janë pyetjet që kam konsideruar gjithmonë kur bëhet fjalë për çështjen e marrjes së zotimeve, dhe kam një parandjenjë se shumë nga vëllezërit e mi të mirëinformuar biblikisht mendojnë për të njëjtat pyetje. Por ne e dimë se është e drejtë dhe e justifikueshme biblikisht që të zotohesh për të vendosur disa parime dhe prioritete në jetë që të mund t’u shërbejmë të tjerëve me besnikëri dhe të lartësojmë Perëndinë në gjithçka mendojmë, themi dhe bëjmë. Megjithëse nuk e kam pasur zakon të zotohem për vitin e ri, jam përpjekur gjithmonë të vendos dhe të mbaj disa prioritete dhe parime, përmes të cilave dua të jetoj përditë dhe të lutem që Zoti të më ndihmojë çdo ditë të jetoj sipas atyre prioriteteve dhe parimeve për lavdinë e Tij, dhe vetëm për lavdinë e Tij dhe jo për lavdërimet dhe duartrokitjet e atyre rreth meje. 

Kështu pra, teksa mendojmë si të përlëvdojmë Perëndinë në gjithçka bëjmë në rrethanat dhe thirrjet tona specifike, është me vend të caktojmë dhe të mbajmë disa prioritete dhe parime, ndërsa kërkojmë të duam dhe ndjekim Krishtin si dishepuj të Tij, deri në pikën kur u bindemi gjithë urdhërimeve që na ka dhënë. Për disa, zotimet mund të jenë një mënyrë për të bërë këto që sapo thamë, pavarësisht se kur i marrin këto zotime, në fillim ose përgjatë vitit të ri. I marrim apo jo zotimet, ne bëjmë mirë të kujtojmë se prioritetet dhe parimet mund t’i mbajmë në jetë vetëm përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë, duke qenë të sigurt se përmes besimit, dhe vetëm përmes besimit, jemi drejtësuar nga Ati për shkak të drejtësisë së Birit. 

Nëntëmbëdhjetë vjeçari Jonathan Edwards i dinte dobësitë e tij dhe ishte i vetëdijshëm për natyrën shkatërruese të mëkatit të tij, prandaj u zotua të caktonte disa prioritete dhe parime në përpjekje për të jetuar plotësisht për lavdinë e Perëndisë. Ai na e shtroi rrugën, sepse i përmblodhi shtatëdhjetë zotimet e tij me këto fjalë:

Duke arsyetuar se nuk mund të bëj asgjë pa ndihmën e Perëndisë, i përgjërohem atij me përulje që përmes hirit të Tij të më ndihmojë t’i mbaj këto zotime, për aq kohë sa ato janë në dakordësi me vullnetin e Tij, për hir të Krishtit.

Këto fjalë hyrëse dhe të thjeshta të Edwards jo vetëm që na sigurojnë një copëz të mendjes së një prej mendimtarëve më të mëdhenj të historisë, por na sigurojnë gjithashtu një copëz të lavdishme të zemrës së një djali të ri, i cili u përul para mjeshtrit të tij, Zotit Perëndi të Plotfuqishëm. Për këtë arsye do të bënim mirë t'i merrnim parasysh vërejtjet pararendëse të Edwards, ndërsa përpiqemi të lavdërojmë Perëndinë dhe ta lartësojmë Atë përgjithmonë në kishat, shtëpitë dhe zemrat tona.

Të zotohesh arsyeshëm

Edwards e nis parathënien e tij me “Duke arsyetuar”. Pra, ne duhet të jemi racional, të arsyeshëm, kur zotohemi. Nëse ngutemi në zotime nisur nga iluzioni se jemi të përsosur e pa mëkat, ka mundësi të dështojmë në përpjekjen për t’i mbajtur këto zotime dhe kemi më pak gjasa të zotohemi në të ardhmen për qëllime të ngjashme. Kur zotohemi duhet ta nisim me lutje dhe me studim të thellë të Fjalës së Zotit. Zotimet tona duhet të jenë në dakordësi me Fjalën e Perëndisë; prandaj, çdo zotim që marrim duhet të na lejojë të përmbushim thirrjet specifike për jetën tonë. Duhet t’i mendojmë të gjitha pasojat e zotimeve tona dhe të jemi të kujdesshëm të zotohemi duke pasur të tjerët në mendje, edhe nëse kjo do të thotë se do të merren zotime të reja me kalimin e kohës. 

Të zotohesh duke qenë i varur

“Nuk mund të bëj asgjë pa ndihmën e Perëndisë” – pranon Edwards. Duhet të jemi të ndershëm për të pranuar të vërtetën e thjeshtë që çdo zotim duhet bërë në varësi nga Perëndia. Çdo i Megjithëse çdo i krishterë do të përgjigjej duke thënë: “Epo, patjetër që duhet të varemi te Perëndia për të gjitha gjërat” shumicës së të krisherëve u është shitur fatura e të mirave të botës.krishterë do të përgjigjej duke thënë: “Epo, patjetër që duhet të varemi te Perëndia për të gjitha gjërat”, por shumicës së të krishterëve u është shitur sapuni për djathë. Ata mendojnë se pasi të varen nga Perëndia do të marrin menjëherë forcë. Ata përsërisin moton e botës: “Çfarë nuk më vret, më bën më të fortë!” Edhe pse parimi është përgjithësisht i vërtetë, një sjellje e tillë mund t’i japë formë një qëndrimi krenar e të pavarur. Ne duhet të kuptojmë se të jesh në gjendje të bësh gjithçka me anë të Krishtit që na forcon, do të thotë se duhet të varemi vazhdimisht në forcën e Tij për të bërë gjithçka dhe për të mbajtur zotimet tona (Efesianëve 3:16; Filipianëve 4:13; Kolosianëve 1:11). Në të vërtetë ajo që nuk na vret, na dobëson përmes hirit ngushëllues të Perëndisë që në dobësitë tona të mbështetemi vazhdimisht në forcën e Zotit tonë (2 e Korintasve 12:7-10).

Të zotohesh me përulësi

“I përgjërohem atij me përulje që përmes hirit të Tij të më ndihmojë t’i mbajë këto zotime.” Për të marrë zotime për lavdi të Perëndisë dhe përpara fytyrës së Tij, ne nuk duhet të shkojmë në praninë e Perëndisë duke rrahur gjoksin me arrogancë triumfuese, a thua se Perëndia do të na dojë e do të na bekojë më shumë tani që kemi marrë ca zotime për ta ndjekur Atë. Në të vërtetë, Zoti në provaninë e Tij mund të zgjedhë të lejojë edhe më shumë sfida për jetën tonë; në dashurinë e Tij atërore, të pandryshueshme për ne, Ai mund të vendosë të na disiplinojë edhe më shumë që të mund të përçmojmë mëkatin tonë e të kënaqemi në Të. Duhet t’i afrohemi me përulësi Perëndisë, teksa varemi në hirin e Tij, sepse nuk kërkojmë vetëm bekimet, por Atë që bekon. 

Të zotohemi për hir të Krishtit

“Për aq kohë sa ato janë në dakordësi me vullnetin e Tij për hir të Krishtit.” Ne nuk mund të zotohemi të bëjmë asgjë me një sjellje të krekosur përpara Perëndisë. Çështja e zotimeve nuk është thjesht vendosja e qëllimeve për të pasur jetë më të lumtur. Ne jemi thirrur nga Perëndia për të jetuar sipas vullnetit të Tij, jo tonit–për hir të Krishtit, jo tonin–sepse e gjithë lavdia i takon Atij, jo neve (Psalmi 115:1).


Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina
Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/new-years-resolutions-gods-glory-not-own  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaLigonier, Ungjilli

Postime të ngjashme

Cili është emri i Perëndisë?
A ka nivele mëkati?
Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë
A ka Jezusi një apo dy natyra?
>