Për çfarë duhet të lutemi?

Janar 2022                                                                      


Për çfarë duhet të lutemi?

Ndoshta njësoj si unë, ti zbulon që herë pas here jeta e lutjes ka nevojë për një shkundje që të dalë nga rutina, në të cilën ka rënë. Priremi të themi vazhdimisht  të njëjtat fraza. Priremi t’u kthehemi automatikisht frazave të lodhura. Ne biem në grackën e modeleve përsëritëse të pamenduara.

Djalli e urren lutjen. As mishi ynë nuk e do natyrshëm lutjen. Prandaj, lutja nuk del e gjallë, e plotë dhe plot pasion nga thellësia e zemrës tonë. Duhet një disiplinë e vazhdueshme.

Vite më parë, kur kam shkruar librin Let the Nations Be Glad, (U ngazëllofshin kombet) argumentova se lutja është një radiomarrëse lufte dhe jo një citofon shtëpiak. Perëndia i ngjan më tepër një gjenerali në Komandën Qendrore sesa një shërbëtori që pret të të sjellë një jastëk tjetër për strofkën e rehatisë. Sigurisht që Ai është gjithashtu Atë i Dashur, Mik, Mjek, Bari, Ndihmës, Mbret, Shpëtimtar, Zot, Këshilltar; por në këtë “botë të rënë dhe të mbushur me djaj”, në luftën e besimit, lutja do të funksionojë më mirë kur e mbajmë frekuencën të intonuar me Komandën Qendrore.

Ja pse kur e shkrova atë libër, i mblodha në një vend të gjitha gjërat për të cilat u lut kisha e hershme. E printova dhe doli që ishte një prej “shkundjeve” për të cilën kam nevojë. Mendoj se mund të jetë e dobishme për ty. Ndoshta e printon dhe e mban për njëfarë kohe në Bibël, si ndihmë për lutjen.

Ka një siguri të fortë, e cila rritet kur ti e di se nuk po lutesh çuditshëm. Ndaj të lutush ashtu si Dhiata e Re na mëson, është një mënyrë e sigurt dhe e fuqishme për t’u lutur.

“Herë pas here, jeta jonë e lutjes ka nevojë për një shkundje që të dalë nga rutina, në të cilën ka rënë.”

Lutja vazhdon të jetë një nga misteret më madhështore dhe të lavdishme në gjithësi. Është e mahnitshme se si Perëndia i gjithëdijshëm, me gjithë urtësinë dhe sovranitetin e Tij të plotë, ka caktuar që ta qeverisë botën e Tij duke reaguar ndaj lutjeve tona. Kjo është dëshmia e vazhdueshme e Shkrimit. Perëndia i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve të popullit të Tij. Oh, mos e shpërfillni këtë mënyrë të mahnitshme për të ndikuar kombet, lëvizjet, institucionet, kishat dhe zemrat e njerëzve, veçanërisht zemrën tënde. 

Nëse do të lutesh për çfarë u lut kisha e hershme...

Lutu që Perëndia të madhërojë emrin e Tij në botë.

“Ju, pra, lutuni kështu: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.’” 

(Mateu 6:9)

Lutu që Perëndia ta zgjerojë mbretërinë e Tij në botë.

“Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.” 

(Mateu 6:10)

Lutu që ungjilli të përparojë dhe të nderohet.

“Së fundi, o vëllezër, lutuni për ne, që fjala e Zotit të përhapet e të lëvdohet, siç ndodhi edhe mes jush.” (2 e Selanikasve 3:1, versioni Së Bashku)

Lutu për plotësinë e Frymës së Shenjtë.

“Nëse ju, pra, që jeni të ligj, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati në qiell do t’u japë Frymën e Shenjtë atyre që ia lypin.” (Luka 11:13, krahaso Efesianëve 3:19

Lutu që Perëndia t’i japë të drejtë popullit të vet në kauzën e tyre.

“Vallë Perëndia nuk do t’u japë të drejtë të zgjedhurve të tij që bërtasin ditë e natë ndaj tij?” (Luka 18:7)

Lutu që Perëndia të shpëtojë jobesimtarët.

“Vëllezër, dëshira e zemrës sime dhe lutja që i drejtoj Perëndisë për Izraelin është për shpëtim të tij.” (Romakëve 10:1)

Lutu që Perëndia të drejtojë përdorimin e shpatës.

“Merrni... shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë, duke u lutur në çdo kohë me çdo lutje dhe përgjërim në Frymë.” (Efesianëve 6:17-18)

Lutu për guxim në shpallje.

[Lutu] “në çdo kohë në Frymë... edhe për mua, që kur të hap gojën time, të më jepet të flas me guxim për ta bërë të njohur misterin e ungjillit.” (Efesianëve 6:18-19)

“Dhe tani, Zot, vështro kërcënimet e tyre dhe jepu shërbëtorëve të tu të flasin fjalën tënde me çiltërsi.” (Veprat e Apostujve 4:29)

Lutu për shenja dhe mrekulli.

“ Dhe tani, Zot, ... jepu shërbëtorëve të tu të flasin fjalën tënde me çiltërsi... duke e shtrirë dorën tënde për të shëruar dhe që të kryhen shenja dhe mrekulli në emër të Birit tënd të shenjtë Jezusit.” (Veprat e Apostujve  4:29-30)

“Elia ishte një njeri njësoj si ne me pasione, dhe u lut duke kërkuar që të mos binte shi, edhe nuk ra shi mbi dhe për tre vjet e gjashtë muaj. Dhe u lut përsëri dhe qielli dha shi edhe dheu dha frytin e tij.” (Jakobi 5:17-18)

Lutu për shërimin e shokëve të plagosur.

“Të luten përmbi të, mbasi ta lyejnë me vaj në emër të Zotit, dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta ngrejë atë.” (Jakobi 5:14-15)

Lutu për shërimin e jobesimtarëve.

“Dhe ndodhi që i ati i Publiusit dergjej në shtrat, i sëmurë me ethe dhe me dizenteri; Pali i shkoi dhe, si u lut, vuri duart mbi të dhe e shëroi.” (Veprat e Apostujve 28:8)

Lutu për dëbimin e demonëve.

“Dhe ai u tha atyre: ‘Ky lloj nuk mund të dëbohet ndryshe, përveçse me lutje dhe agjërim.’” (Marku 9:29)

Lutu për çlirime të mrekullueshme.

“Por, ndërsa Pjetri u ruajt në burg, nga ana e kishës bënin lutje të vazhdueshme te Perëndia për të... dhe, si u kthjellua [ai ishte çliruar] erdhi te shtëpia e Marisë, nënës së Gjonit, të mbiquajtur Mark, dhe shumë ishin mbledhur dhe po luteshin.” (Veprat e Apostujve 12:5, 12)

“Por aty nga mesnata Pali dhe Sila po luteshin dhe i këndonin himne Perëndisë; dhe të burgosurit i dëgjonin. Por befas u bë një tërmet i madh.” (Veprat e Apostujve 16:25-26).

Lutu për ringjalljen e të vdekurve.

“Por Pjetri i nxori jashtë të gjithë, u gjunjëzua dhe u lut. Pastaj iu kthye trupit dhe tha: ‘Tabitha, ngrihu!’ Dhe ajo i hapi sytë dhe, si pa Pjetrin, u ngrit ndenjur.” (Veprat e Apostujve 9:40)

Lutu që Perëndia të plotësojë nevojat e ushtrisë së tij.

“Bukën tonë të përditshme na e jep sot.” (Mateu 6:11)

Lutu për urtësi strategjike.

“Por në qoftë se ndonjërit prej jush i mungon urtësia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, edhe atij do t’i jepet.” (Jakobi 1:5)

Lutu që të caktojë udhëheqje në frontet e tij.

“Dhe mbasi u caktuan atyre pleqtë sipas kishave, u lutën me agjërime, ia lanë Zotit, në të cilin kishin besuar.” (Veprat e Apostujve 14:23).

Lutu që Perëndia të dërgojë përforcime.

“Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.” (Mateu 9:38)
“Dhe ndërsa po kryenin shërbesën e Zotit dhe agjëronin, Fryma e Shenjtë tha: ‘M’i ndani veç Barnabën dhe Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur.’ Atëherë, pasi agjëruan e u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën.” (Veprat e Apostujve 13:2-3)

Lutu për suksesin e misionarëve të tjerë.

“Dhe ju lutem, o vëllezër, për Zotin tonë Jezu Krisht dhe për dashurinë e Frymës, të luftoni bashkë me mua në lutje te Perëndia për mua, që unë të shpëtoj nga jobesimtarët në Jude, dhe që shërbesa ime që po bëj për Jerusalemin, të jetë e pranueshme për shenjtorët.” (Romakëve 15:30-31)

Lutu për unitet dhe harmoni mes radhëve të ushtrisë.

“Tani unë nuk lutem vetëm për ta, por edhe për ata që do të besojnë në mua me anë të fjalë së tyre, që të gjithë të jenë një, ashtu si ti o Atë, në mua dhe unë në ty që edhe ata të jenë një në ne, që bota të besojë që ti më dërgove.” (Gjoni 17:20-21)

Lutu për inkurajimin e të qenët së bashku.

“Duke u lutur tej mase shumë, natë e ditë, që të shohim fytyrën tuaj dhe të plotësojmë gjërat që ende i mungojnë besimit tuaj.” (1 e Thesalonikasve 3:10)

Lutu për një mendje dalluese.

“Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo perceptim, që të shqyrtoni cilat janë gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe të papenguar për ditën e Krishtit.” (Filipianëve 1:9-10)

Lutu për njohjen e vullnetit të Perëndisë.

“Prandaj edhe ne, që nga ajo ditë që e dëgjuam këtë, nuk pushojmë së luturi për ju dhe të kërkojmë që të mbusheni me njohjen e vullnetit të tij me çdo urtësi dhe mençuri frymërore.” (Kolosianëve 1:9)

Lutu për ta njohur Perëndinë më mirë.

[Nuk pushojmë së luturi për ju] “që të rriteni në njohjen e Perëndisë.” (Kolosianëve 1:10, krahaso Efesianëve 1:17)

Lutu për fuqi për të njohur dashurinë e Krishtit.

“Po i ul gjunjët e mi përpara Atit... që të jeni në gjendje të kuptoni me të gjithë shenjtorët se cila është gjerësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia, dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri.” (Efesianëve 3:14, 18-19)

Lutu që të përjetosh më fort shpresën e sigurt.

“Nuk pushoj së falënderuari për ju, duke ju kujtuar në lutjet e mia... që të dini cila është shpresa e thirrjes së tij dhe cila është pasuria e lavdisë së trashëgimisë së tij në shenjtorët.”(Efesianëve 1:16, 18)

Lutu për forcë dhe qëndrueshmëri.

[Nuk pushojmë së luturi për ju që] “duke u fuqizuar me çdo fuqi, pas pushtetit të lavdisë së tij, për çdo durim e zemërgjerësi, me gëzim.” (Kolosianëve 1:11, krahaso me Efesianëve 3:16)

Lutu që të përjetosh më fort fuqinë e Perëndisë brenda teje.

“Nuk pushoj së falënderuari për ju, duke ju kujtuar në lutjet e mia... që të dini... cila është madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së tij ndaj nesh që besojmë.” (Efesianëve 1:16, 18-19)

Lutu që besimi yt të mos mpaket.

“Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të kthehesh, forco vëllezërit.” (Luka 22:32)

“Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të qëndroni para Birit të njeriut.” (Luka 21:36)

Lutu për besim më të madh.

“Menjëherë babai i fëmijës, duke bërtitur me lot, tha: ‘Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim.’” (Marku 9:24, krahaso Efesianëve 3:17)

Lutu që të mos biesh në tundim.

“Dhe mos lejo të biem në tundim.” (Mateu 6:13)

“Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim; sepse fryma është gati, por mishi është i dobët.” (Mateu 26:41)

Lutu që Perëndia të përmbushë qëllimet e tua të mira.

“Ne lutemi gjithnjë për ju, që Perëndia t'ju bëjë të denjë për të përmbushur thirrjen e tij dhe që me fuqinë e tij të arrini çdo qëllim të mirë e të përsosni çdo vepër të besimit tuaj.” (2 e Thesalonikasve 1:11, versioni Së Bashku)

Lutu që të bësh vepra të mira

[Nuk pushojmë së luturi për ju] “që të ecni në mënyrë të denjë për Zotin, që t’i pëlqeni në çdo gjë, duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë.” (Kolosianëve 1:10)

Lutu për faljen e mëkateve të tua

“Dhe na i fal fajet tona, siç ua falim edhe ne fajtorëve tanë.” (Mateu 6:12)

Lutu për mbrojtje nga i ligu

“Na shpëto nga i ligu.” (Mateu 6:13)

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.


Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/what-should-we-pray-for  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God, Lutja

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim
>