artikull

Korrik 2022


Kur e mbajmë gojën mbyllur për ungjillin, kjo tregon se ka diçka që nuk shkon në zemrat tona.

Të gjithë kemi momente që do të donin t’i kthenim mbrapa për t’i bërë gjërat ndryshe. Për mua, gjëja për të cilën pendohem më shumë, ishte ajo që ndodhi para vdekjes së gjyshes sime. Ose më saktë, ajo që nuk ndodhi.

Gjyshja ime vdiq me bindjen e plotë se Perëndia do ta pranonte, sepse ishte njeri i mirë. Ajo nuk besonte në Krishtin dhe ja për çfarë pendohem. Në javën para se gjyshja të vdiste, unë nuk i fola për Jezusin. U përpoqa ta doja, por nuk i thashë asgjë për Jezusin. Kur gjyshja tjetër kishte vdekur, kisha kapur dorën e saj dhe isha lutur me të, por jo me këtë gjyshe. E lashë të shkonte.

Kisha frikë

Përse nuk i fola për Jezusin? Kam kuptuar se kisha frikë nga çfarë do të më thoshte, kisha frikë edhe nga çfarë do të thoshte familja ime, sepse e dija që do të mendonin se ishte e pavend dhe e padobishme. Kisha frikë!

E doja gjyshen, edhe ajo më donte, por e vërteta e vështirë ishte se e doja veten më shumë se të. Doja që familja të mendonte mirë për mua, më shumë se ç’doja që ajo ta mendonte Krishtin si Shpëtimtarin e saj. Prandaj nuk fola me të. E doja veten më shumë se atë–dhe me tepër nga sa e doja Zotin tim.

Dhe kjo do të thotë se respekti i familjes dhe situatat e lehta ishin bërë idhuj për mua. E vërteta e hidhur është që doja më shumë që familja të më respektonte sesa t’i jepja lavdi Jezusit apo ta shihja gjyshen e shpëtuar. Ishte idhulli im–diçka e mirë që unë e kisha bërë hyjnore–dhe kisha shumë frikë se mos e humbisja, prandaj mbylla gojën.

Kamerieri hyjnor?

Shpesh kam pyetur veten se përse të krishterët e dashur, të dhembshur dhe të përkushtuar nuk ungjillëzojnë–dhe pse, ndonjëherë, as unë nuk e bëja. Për vite me radhë, nuk e kuptoja përse kaq shumë besimtarë të mësuar mirë dhe të matur në shumë drejtime, ishin apatik në ndarjen e ungjillit. Ata dinë për krijimin e ri; ata besojnë në realitetin e ferrit; ata e rrëfejnë Jezusin si Mbretin dhe Shpëtimtarin e tyre. Sidoqoftë nuk kishin dëshirën për t’u treguar të tjerëve për të.

Ja se në çfarë përfundim dola për ata të krishterë të përkushtuar, por jo ungjillëzues: Në zemrat e tyre, ata po i shërbenin diçkaje të mirë, të cilën e kishin bërë zotin e tyre–idhullin e tyre. Kjo po i pengonte të ungjillëzonin.

Çdokush adhuron diçka. Nga natyra, jemi njerëzit që Pali përshkruan te Romakëve 1:25: “I kanë shërbyer krijesës dhe jo krijuesit.” Gjithçkaje që i shërbejnë, përveç Perëndisë, është e krijuar, është një idhull. Paratë, reputacioni, fuqia, karriera, familja e kështu me radhë–zemrat tona rrëmbehen.

Kur ne adhurojmë një idhull, e kthejmë Perëndinë në një kamerier hyjnor. Ai është aty për të na shërbyer ëndrrat tona me sy hapur. E rastisim të dielave; i japim ca porosi përmes lutjes; mund t’i japim edhe ndonjë bakshish të mirë. Pra, Perëndia është aty për të na dhënë atë që ne ndiejmë se na nevojitet–idhullin tonë. Dhe ne zemërohemi shumë me të, nëse nuk na i shërben ato gjëra.

Dëshmia është një provë e thesarit tonë

Kur bëhemi të krishterë, nuk shërohemi automatikisht apo menjëherë nga ky adhurim idhujsh. Në qendër të çdo mëkati është idhujtaria në zemër–të duash dhe t’i shërbesh diçkaje tjetër veç Perëndisë. Unë jam vazhdimisht në luftë për ta mbajtur Zotin Jezus në qendër të zemrës sime, për ta gjetur identitetin, sigurinë dhe qëllimin e kënaqësinë në të.

E nëse nuk bëj kështu, nuk flas për të. Në fund të fundit, ne flasim për gjërat që duam. Nëse ke pasur ndonjë mik që sapo është fejuar dhe e ke dëgjuar të flasë pa pushim për orë të tëra, për të fejuarin/fejuarën (ose ndoshta ke qenë vetë ai person!), e di se kjo që po them është e vërtetë.

Prandaj, për aq kohë sa Jezusi nuk është dashuria ime më e madhe, do të hesht për të, që t’i shërbej dashurisë time më të madhe, idhullit tim. Do të hesht për të, sepse kam frikë mos humb dashurinë time më të madhe, idhullin tim. Mbytja e së vërtetës për Krishtin është efekti i adhurimit tonë për gjërat e krijuara dhe e zemëron Perëndinë:

Sepse, zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli mbi çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi. (Romakëve 1:18)

Një zemër dhe mendje idhujtare

Pra, nëse e dimë ungjillin, por nuk e ndajmë atë, ndodh sepse zemrat tona janë diku tjetër. Ndodh në fakt sepse, ajo që duam më shumë, është një jetë e rehatshme apo një reputacion i mirë me miqtë dhe kolegët, ose një situatë e qëndrueshme në familjen tonë, e kështu me radhë.

Edhe nëse e dimë gjithçka mirë në mendjen tonë, arsyeja përse nuk dëshmojmë është për shkak të asaj që ndodh në zemrat tona. Prandaj themi mjaftueshëm sa për të qetësuar ndërgjegjen–flasim për kishën, ose për dashurinë e Jezusit, apo sa mirë është të lutesh–por nuk themi mjaftueshëm që t’i ndihmojmë njerëzit të shpëtohen. Nuk flasim për vdekjen, për mëkatin, për ferrin apo për shpëtimin.

Duhet të pyesim veten: “Çfarë ka më të lehtë të dojë zemra ime më tepër se Jezusin? Çfarë më ndalon të mos i bindem Perëndisë për të folur për Birin e tij? Ne duhet t’i dallojmë idhujt tanë, që të mund t’i rrëfejmë ata, kështu mund të fillojmë të kërkojmë atë që kemi pritur nga këta idhuj në vendin e vetëm ku gjendet vërtet–Zoti Jezus. Duhet t’i zevendësojmë idhujt tanë me Perëndinë e vertetë: Krishtin.

Nëse do ndajmë për Krishtin, duhet së pari ta duam vërtet Krishtin. Duhet t’i kërkojmë Frymës të veprojë në zemrat tona me ungjillin, që ta duam Krishtin gjithnjë e më shumë, dhe ai do t’i largojë idhujt tanë. Prandaj, kur të flasim për gjërat që duam, do të flasim për të dhe nuk do të na vijë keq se nuk folëm me dikë kur të jetë shumë vonë.

Rico Tice është ndihmës pastor i All Soul’s Langham Place, London dhe themelues i Christianity Explored Ministries. Libri i tij më i fundit është Honest Evangelism: How to talk about Jesus even when it’s tough.


Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje nga DesiringGod:  https://www.desiringgod.org/articles/we-talk-about-what-we-love      
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim
>