lmgm dritez 27

Dhjetor 2021



Kur 1 e Gjonit 3:8 thotë: “Prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit,” cilat janë “veprat e djallit” për të cilat flet Gjoni? Përgjigjja është e qartë nga konteksti.

Së pari, 1 e Gjonit 3:5 është një paralele e qartë: “Dhe ju e dini se ai u shfaq për të hequr mëkatet tona.” Fraza “ai u shfaq për të” përdoret në vargjet 5 dhe 8. Prandaj gjasat janë që “veprat e djallit”, të cilat Jezusi erdhi t’i shkatërronte, janë mëkatet. Pjesa e parë e vargut 8 e bën shumë të qartë: “Kush bën mëkat është nga djalli; sepse djalli mëkaton nga fillimi.”

Çështja në këtë kontekst është të mëkatuarit, nuk janë sëmundjet, makina e prishur apo oraret e ngatërruara. Jezusi erdhi në botë për të na ndihmuar të ndalojmë së mëkatuari.

E shohim akoma më qartë, nëse këtë të vërtetë e vendosim krah për krah me 1 e Gjonit 2:1: “Djema të mi, ju shkruaj këto që të mos mëkatoni.” Ky është një nga qëllimet më të mëdha të Krishtlindjes, një nga qëllimet më të mëdha të mishërimit (1 e Gjonit 3:8).

Por ka edhe një qëllim tjetër pse Gjoni shton te 1 e Gjonit 2:1-2: “Dhe në qoftë se ndokush ka mëkatuar, kemi një avokat tek Ati, Jezu Krishtin, të drejtin. Ai është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ato të të gjithë botës.”

Shiko kuptimin e kësaj: Jezusi u shfaq në botë për dy arsye. Ai erdhi që ne të mos vazhdojmë të mëkatojmë–pra, Jezusi erdhi të shkatërronte veprat e djallit (1 e Gjonit 3:8); dhe Ai erdhi që të siguronte shlyerjen për mëkatet tona, nëse mëkatojmë. Ai erdhi që të ishte një flijim zëvendësues, që heq tej zemërimin e Perëndisë për mëkatet tona. 

Rezultati i këtij qëllimi të dytë nuk është që të dobësojë qëllimin e parë. Falja nuk ka qëllim lejimin e mëkatit. Vdekja e Krishtit për mëkatet tona nuk synon që ne të rehatohemi në betejën tonë kundër mëkatit. Përkundrazi, rezultati i këtyre dy qëllimeve të Krishtlindjes është që pagesa e kryer njëherë e përgjithmonë për mëkatet tona, të jetë për ne liria dhe pushteti që na aftësojnë ta luftojmë mëkatin, jo si legalistë, duke u përpjekur të fitojmë shpëtimin tonë, as si të frikësuar se mos e humbim atë, por si fitimtarë që hidhen në betejë kundër mëkatit me gëzim dhe siguri, edhe nëse kjo na kushton jetën.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021


Postime të ngjashme

>