gospel1

Qershor 2022


Ungjillëzimi në kohën e mosbesimit

Në një shoqëri pas epokës së krishterë, pas asaj moderne, pas gjithçkaje tjetër, njerëzit e Perëndisë janë thirrur të veprojnë me kurajë, jo me frikë. Dhe kur jetojmë me kurajë, duke e vendosur shpresën tonë në realitetin se kush është Perëndia dhe në atë që Ai tashmë ka arritur, ndryshon gjithçka. Ne jemi të lirë të jemi populli i Perëndisë që jeton misionin e tij, pavarësisht sfidave që na vijnë.

Si është të bësh dishepuj të ri në terma ungjillëzimi, duke marrë parasysh sfondin armiqësor kulturor në të cilin jetojmë? Dhe si e arrijmë këtë? Mendoj se do të habitesh nga përfundimi, edhe pse të them të drejtën, nuk duhet të habitesh.

Ungjillëzimi në një kohë mosbesimi

Kur flasim për kuptimin e të qenët guximtar dhe besnik në një kohë mosbesimi, duhet të flasim për urdhërimin e madh. Ky është misioni ynë! Edhe pse ka qenë gjithnjë e vërtetë, mendoj se është edhe më e vërtetë të themi se ungjillëzimi do të përfshijë mikpritjen. Mikpritja nuk është përmbledhja e kurajës apo ungjillëzimit, por të jetuarit me kurajë do të përfshijë të jetuarit mikpritës.

Ideja e mikpritjes është rrëmbyer nga kultura popullore. Kur Bibla flet për mikpritjen, duket sikur e lidh me alienët dhe të huajt–njerëzit që nuk janë si ne. Mikpritje do të thotë të pranosh ata që janë jashtë rrethit tënd normal të miqve–ata njerëz për të cilët duhet të kesh një zemër të re që t’i ftosh. Do të thotë të hapim zemrën dhe shtëpinë për ata që besojnë gjëra të ndryshme nga ne.

Mikpritja gjendet kudo në Bibël. Në fakt, është kaq e rëndësishme për Perëndinë, saqë kur Pali liston tiparet e nevojshme që një burrë të kualifikohet për të qenë plak në një bashkësi vendase, shohim se ai duhet të jetë: “i paqortueshëm, burri i një gruaje të vetme, të jetë i kthejllët, i arsyeshëm, i ndershëm, mikpritës, i aftë të japë mësim…” (1 e Timoteut 3:2). Për të qenë plak kishe, burri duhet të hapë zemrën dhe të tregojë mirësi ndaj atyre që besojnë ndryshe nga ai. Ai duhet ta hapë botën e tij ndaj atyre që janë jashtë asaj që ai beson.

Përse Perëndia flet kaq seriozisht për mikpritjen? Epo, për shkak se ai ka qenë kaq mikpritës me ne. Edhe kur jetonim si armiq të tij, ai erdhi dhe na shpëtoi. Ai hapi derën dhe na ftoi në praninë e tij. Ne tregojmë se vërtet e vlerësojmë mikpritjen hyjnore që kemi marrë, kur e zgjerojmë mikpritjen te të tjerët rreth nesh.

Nuk po sugjeroj se mikpritja biblike është çelësi që e bën të funksionojë ungjillëzimi në shekullin e njëzet e një (e di çfarë: nuk ka çelës të tillë). Po, a mos ndoshta–në kulturën tonë cinike, të polarizuar, kritikuese, gjaknxehtë–një dozë e ngrohtë mikpritjeje mund ta befasojë dikë dhe t’i hapë derën mundësive për të bërë dishepuj të Jezu Krishtit?

Katër mënyra për të treguar mikpritje

Perëndia i universit flet seriozisht për mikpritjen. Mikpritja mund të krijojë një pikë hyrëse për për të zbatuar Urdhërimin e Madh dhe për të ungjillëzuar fqinjët tanë–sidomos në kohën e mosbesimit kur shumica beson se kisha është për diçka tërësisht ndryshe. Megjithatë duhet të pyesim: “Si e tregojmë mikpritjen sot? Nuk është e komplikuar–megjithatë nuk do të thotë se është e thjeshtë.

  1. Mirëprit këdo që takon

Mendoj se hapi i parë më i mirë është të përshëndesësh këdo që takon. Është e thjeshtë nëse je i shoqërueshëm si unë–jam tërësisht ekstrovert. Është e vështirë nëse je introvert dhe ndoshta po mendon: “A mund të kalojmë te numri dy të lutem?” Por shpesh veprimet më të mira për t’u ndërmarrë janë më të vështirat për t’u bërë. Lutu për hir, kërko forcë, ndërmerr rreziqe dhe përshëndet njerëzit.

  1. Përfshiju me njerëzit

Kujto se çdo person që takon është i përjetshëm. Nuk ke takuar kurrë një të vdekshëm të thjeshtë, siç e tha edhe C. S. Lewis se ti kurrë nuk ke takuar një njeri që nuk është krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Si mund të mos kujdesesh apo të mos interesohesh për ata me të cilët takohesh? Nuk mendoj se kjo është tepër e vështirë. Thjesht na kërkohet të bëjmë pyetje të hapura, duke treguar kuriozitet.

Mund të mendojmë se është e dukshme–por shpesh tërhiqemi prapa. Duhet t’i njohim njerëzit, të interesohemi për ta dhe t’i dëgjojmë, në vend që thjesht të përpiqemi të mendojmë si mund të themi diçka të paharrueshme ose që bën shumë për të qeshur.

  1. Bëje darkën prioritet

Vazhdimisht, Fjala e Perëndisë dëshmon për shenjtërinë e të ngrënët bashkë. Darkat e gjata me ushqim të mirë, pije të mira, shoqëri të mirë dhe biseda të mira që qendërzohen në bindjet, shpresat dhe frikërat tona–kjo është një darkë e mirë. Dhe nuk po flas vetëm për darka me miq. Po, ha me grupin e vogël të kishës, fto miqtë e tu të mirë, por kujto që mikpritja do të thotë të presësh me dashuri ata që janë jashtë rrethit tënd normal të miqve. Do të thotë të hapësh jetën tënde, shtëpinë tënde, ndaj atyre që besojnë ndryshe nga ti.

  1. Duaji të mënjanuarit

Në çdo mjedis pune, në çdo lagje, njohim njerëz që për arsye të ndryshme, janë të mënjanuar. Këta burra dhe gra janë përreth nesh–ndoshta më tepër se kurrë, në botën e globalizuar. Për shkak të efektit që mëkati ka mbi ne, ne kemi tendencën t’ia mbathim nga dallimet dhe nga të qenët rreth njerëzve që mendojnë dhe duken ndryshe nga ne. Por dua të parashtroj këtë: Jezu Krishti do të shkonte drejt të mënjanuarve. Perëndia e shtriu mikpritjen e tij radikale drejt teje dhe meje. Prandaj mësojmë të duam dhe të kërkojmë të mënjanuarit–sepse ne ishim ata.

Gjithçka nis me guxim

Sado e errët dhe e tmerrshme të duket toka tani, sado boshe dhe helmuese të jetë, ne e dimë se beteja tashmë është fituar–e kjo do të thotë se ne nuk luftojmë me kushtet e botës. Kjo kohë mosbesimi mund të duket e madhe dhe frikësuese për kishën, por është thjesht një skenar i vogël i një historie më të madhe e më të bukur–historia më e jashtëzakonshme që është treguar ndonjëherë.

Dhe në një paradoks vërtet madhështor, ka një hendek të jashtëzakonshëm mes historisë së Perëndisë dhe historisë tonë. Edhe pse e dimë se ka realitete domethënëse frymërore në veprim, ne jemi thirrur për një besnikëri të thjeshtë dhe të përditshme, e cila demonstrohet në jetë të karakterizuara nga mikpritja.

Në një farë mënyre, janë skenat e mëdha me shumë dritë–gjërat që fotografojmë, të cilave u vëmë filtra dhe ua tregojmë të gjithë miqve tanë online–që vihen re më shumë, e megjithatë kërkojnë më pak përpjekje nga ne. Guxim i vërtetë i krishterë është më shumë të ftosh një grup të panjohurish në shtëpinë tënde për darkë, se sa idetë tërheqëse dhe të suksesshme që na kanë ardhur në mendje.

Ndërmarrja e rrezikut për të qenë vërtet mikpritës kërkon kurajë, sepse na detyron të varemi te Zoti ynë dhe te forca e tij, jo te e jona. Kur ne hapim shtëpitë tona dhe ndërtojmë miqësi me ata që nuk duken, me ata që nuk besojnë dhe nuk veprojnë si ne, ne hapim jetën tonë dhe bëhemi të cenueshëm. Rrezikojmë të lëndohemi dhe të bëhemi armiq me ata që nuk mendojnë dhe nuk sillen si ne. Megjithatë, ne mund ta bëjmë për shkak të shpresës, të fuqisë dhe të kurajës që kemi në Zotin.

Prandaj, përshëndeti njerëzit që sheh sot. Mëso të bësh pyetje të mira! Hape shtëpinë për ta, sidomos nëse janë të vetmuar ose të izoluar. Dhe mbi të gjitha, beso se Perëndia do ta përdorë mikpritjen tënde të dobët për të treguar fuqinë e tij.

Matt Chandler është pastori drejtues në The Village Church in DFW, president i rrjetit kishëmbjellës Acts29, dhe autor i Joy in the Sorrow: How a Thriving Church (and its Pastor) Learned to Suffer Well.


Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje nga DesiringGod:  https://www.desiringgod.org/articles/everyone-you-meet-will-live-forever  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim
>