artikull

Prill 2022


PSE JEZUSI DUHEJ TË LARGOHEJ NGA TOKA

Ndërsa vdekja po i afrohej, Jezusi u përqendrua gjithnjë e më shumë në ruajtjen e gëzimit të dishepujve të vet përballë krizës që po afronte. Te Gjoni 16:40-24, Ai përballet me dy kërcënime kryesore për gëzimin e tyre. Së pari, Ai po i lë ata dhe po shkon tek Ati. Së dyti, Ai do të vdesë së shpejti. Të dyja këto duket se rrezikojnë vazhdimësinë e gëzimit të tyre.

Si një përgjigje ndaj hutimit të tyre, Jezusi flet në një mënyrë që i kapërcen shekujt për të stabilizuar gëzimin tonë të lëkundur. Kjo nuk është diçka e rastësishme. Është ajo që Ai donte të bënte: “Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë” (Gjoni 15:11).

Trishtimi juaj do të zgjasë pak

Së pari, Ai po i lë ata. Ky lajm nuk tingëllon mirë në veshët e tyre. “Por tani unë po shkoj tek ai që më dërgoi... për shkak se ju thashë këto gjëra, trishtimi e ka mbushur zemrën tuaj” (Gjoni 16:5-6). Ky pikëllim vjen për shkak të dashurisë dhe të padijes. Vjen për shkak të dashurisë, sepse gëzimi i tyre është në Të. Dhe vjen për shkak të padijes, sepse ata nuk e kanë idenë se si mungesa e Tij fizike mund të jetë në avantazhin e tyre.

Prandaj, Jezusi kërkon të përforcojë gëzimin e dishepujve në mungesë të Tij, jo duke e pakësuar dashurinë, por duke hequr paditurinë. Ai thotë: “Megjithatë unë ju them të vërtetën: Është më mirë për ju që unë të shkoj, sepse po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi, por po shkova, unë do t’jua dërgoj” (Gjoni 16:7). Mes shumë arsyeve që kjo është në avantazhin e tyre, kryesorja është se Fryma do ta bëjë më reale lavdinë e Jezusit. Po, më reale sesa po të ishte Ai atje në mish: “Por kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, do t’ju prijë në gjithë të vërtetën... Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej simes dhe do t’ua kumtojë. Gjithçka sa ka Ati janë të miat” (Gjoni 16:13-15).

Kjo të lë pa frymë. A e kuptojmë se çfarë do të thotë kjo për dishepujt, dhe për ne? Sa të krishterë sot thonë: “Sikur të kisha qenë atje dhe ta shihja Atë ballë për ballë!” Ose: “Sikur të mund të kisha një vizion të Jezusit, ashtu siç Ai ishte në të vërtetë në histori–diçka të prekshme!”

Ëndje të tilla tregojnë një padituri të madhe për avantazhet që kemi, pikërisht sepse Jezusi vdiq, u ringjall dhe nuk është këtu në formë trupore, por i pranishëm përmes Frymës së Tij. Ndihmuesi, Fryma e së vërtetës, që Ati dërgon është Fryma e Krishtit të ringjallur. “Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju” (Gjoni 14:18). Kur vjen Fryma, vjen Jezusi. Dhe kjo prani, thotë Ai, është më e mirë sesa prania trupore e ditëve të Tij tokësore.

Pasja e Frymës së Krishtit që vepron në ne, që përlëvdon Krishtin e ringjallur dhe na e bën reale gjithçka që Ati është për ne në Krishtin dhe në triumfin e Tij mbi vdekjen, është një mrekulli shumë më e madhe se ajo që dishepujt përjetuan në kohën e tyre. Nuk ka lavdi më të madhe se lavdia e Perëndisë në fytyrën e Krishtit të ringjallur (2 e Korintasve 4:6). Sa më të mbushur të jemi me Frymën e Shenjtë, aq më qartë e shohim dhe e shijojmë këtë lavdi.

Kjo është mënyra e parë se si Jezusi kërkoi të ruante gëzimin e dishepujve në këto orë të fundit dhe të errëta para vdekjes së Tij. Edhe pse do të largohej për një kohë të gjatë, Ai do të ishte me ta në një mënyrë edhe më të mirë sesa po ta zgjaste pa afat qëndrimin e Tij mbi tokë.

Trishtim i vërtetë për pak kohë

Mënyra e dytë se si Jezusi e stabilizon gëzimin e tyre është po aq e jashtëzakonshme. Dishepujt e Tij menduan se e dëgjuan saktë kur Ai tha: “Unë po shkoj tek Ati im e nuk do të më shihni më” (Gjoni 16:10). Ata e kuptuan se ky largim ishte për një kohë të gjatë, ndoshta për gjithë jetën e tyre.

Por befas, Jezusi tha këto fjalë të papritura: “Edhe pak dhe nuk do të më shihni më, edhe përsëri pak pastaj e do të më shihni sërish” (Gjoni 16:16). Tani ata vërtet u hutuan. Ai kishte thënë: “Unë po shkoj tek Ati.” Pra, në vend të Tij do të dërgonte Frymën e së vërtetës. Por nuk e kishte fjalën për një kthim të shpejtë. “Thoshin pra: ‘Ç’është kjo, “Pak”, për të cilën flet? Nuk s’dimë se ç’flet!’” (Gjoni 16:18).

Sa herë që Jezusi u përpoq t’u shpjegonte dishepujve se shtegu i Tij drejt Atit kalonte përmes kryqëzimit të tmerrshëm, ata i rezistonin ose hutoheshin. “Por ata nuk i kuptonin këto fjalë dhe kishin frikë ta pyesnin” (Marku 9:32). Për këtë do të fliste Ai tani. Ata ende nuk e kuptonin se sa i madh do të ishte kërcënimi për gëzimin e tyre në tri ditët e ardhshme. Ai duhej t’i përgatiste për këtë, në mënyrë që gëzimi i tyre të ishte i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm.

Jezusi i përgatit duke i paralajmëruar se pikëllimi po vjen. Ai nuk përpiqet ta ruajë gëzimin e tyre duke u thënë se jeta do të jetë pa pikëllim. Përkundrazi, hidhërimi do të jetë i fortë. Dhe do të vijë shumë shpejt–në vetëm “pak kohë”. Kështu, Ai thotë: “Edhe pak e nuk do të më shihni më.” Ky është burimi i pikëllimit të tyre. Çfarë Ai nuk thotë drejtpërdrejt është: “Nuk do të më shihni sepse do të vdes.” Por kjo është ajo që Ai nënkupton. Jezusi i quan “shëmbëlltyra” fjalët e Tij jo të drejtpërdrejta (Gjoni 16:25).

Mënyra se si Jezusi e bën të mundur që pranimi i pikëllimit të tyre t’i shërbente stabilizimit të gëzimin, është fillimisht duke thënë se pikëllimi do të jetë i shkurtër (“...Edhe pak e nuk do të më shihni më”), dhe më pas duke e ballafaquar pikëllimin e tyre me tri gjëra: (1) gëzimin e botës, (2) gëzimin e tyre në të ardhmen dhe (3) me gëzimin e nënës pas lindjes.

1. Trishtim i vërtetë në krahasim me gëzimin e pavdekshëm

Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them se do të qani dhe do të vajtoni, por bota do të gëzohet. (Gjoni 16:20)

Pse Jezusi e thotë këtë në orët e fundit të pikëllimit të tyre? Sepse gjërat e vështira kanë më pak gjasa të trondisin botën tënde, nëse e di se do të vijnë. Kjo është mënyra e Jezusit për të thënë: Bota do të hedhë kripë në plagën e pikëllimit tuaj për vdekjen time. Gjatë vajtimeve tuaja të forta, do të dëgjoni zërat tallës: “Të tjerët i shpëtoi, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë!” (Luka 23:35).

Dishepujt duhet ta dinë këtë. Kjo është pjesë e planit të Perëndisë për çlirimin e tyre. Loja tallëse e Herodit me paradën e Jezusit ishte pjesë e planit të përjetshëm (Veprat e Apostujve 4:27-28). Ky gëzim i botës për vdekjen e Jezusit nuk e bëri Atë të ulte vigjilencën. Ai e dinte se vuajtjeve të vdekjes së Tij do t’i bashkoheshin talljet e pamëshirshme. “Bota do të gëzohet.”

Dishepujt duhet ta dinë këtë. Njohja e kësaj nuk i bën ata më pak të prirur ndaj pikëllimit. Por kjo i bën ata më pak të prekshëm në atë pikëllim. Tani ata e dinë se edhe gëzimi tallës i vrasësve është pjesë e planit të Perëndisë. Dhe Jezusi po u thotë atyre: Edhe pse pikëllimi është i sigurt, ai do të jetë i shkurtër.


2. Gëzimi i tyre i ardhshëm

Ju do të hidhëroheni, por hidhërimi juaj do të kthehet në gëzim (Gjoni 16:20)

Ky është interpretimi i Jezusit për thënien që atyre iu duk aq turbulluese: “Edhe pak dhe nuk do të më shihni më, edhe përsëri pak pastaj e do të më shihni sërish” (Gjoni 16:16). Pas pak orësh, Jezusi do të vdiste dhe do të varrosej. Ata nuk do ta shihnin më dhe do të ishin të hidhëruar. Tepër të hidhëruar. Pastaj, pas tri ditësh, do ta shihnin. “Edhe përsëri pak pastaj e do të më shihni sërish.” Dhe “hidhërimi juaj do të kthehet në gëzim” (Gjoni 16:20).

Pas vdekjes sime, thotë Ai, është ringjallja ime. Përtej hidhërimit tënd është gëzimi yt. Kur të shohësh tmerret nesër në mëngjes, mos harro se ta kam thënë këtë. Lëre dashurinë tënde për mua të të thyejë zemrën me dhimbje, por mos lejo që padituria jote të thyejë shpresën tënde.

Gëzimi i botës do të ndryshohet papritmas. Ajo që e bëri botën të lumtur dhe ty të hidhëruar, nuk do të jetë më. Unë do të jem gjallë. Ata do të kenë dështuar. Ata që do të gëzoheni tani jeni ju, jo ata. Dhimbja jote duhet të vijë, ashtu siç duhet të vijë vdekja ime, por ti nuk do të qëndrosh në hidhërim më shumë se sa do të jem unë në varr.

3. Një nënë pas lindjes

Gruaja, kur lind, ka hidhërim, sepse i erdhi ora; por, si ta lindë fëmijën, nuk kujton më ankthin, prej gëzimit që lindi një njeri në botë. (Gjoni 16:21)

Kjo shprehje figurative tregon më shumë se thjesht faktin e dukshëm që gëzimi i lindjes pason dhimbjet e lindjes. Kjo është e vërtetë dhe domethënëse. Së pari dhimbje, pastaj gëzim. Kjo do të jetë e vërtetë edhe për Jezusin dhe dishepujt e Tij në tri ditët e ardhshme.

Por dhimbjet e lindjes jo vetëm që i paraprijnë një fëmije; por ato sjellin foshnjën. Nuk ndodh që të ketë dhimbje lindjeje, dhe më pas në orar fiks, një lejlek të fluturojë përmes dritares për të sjellë beben. Foshnja nuk vjen thjesht pas dhimbjeve të lindjes. Ai vjen përmes këtyre dhimbjeve.

Kështu ndodh edhe me këtë gëzim të ri në pas vdekjes së Jezusit. Dhimbjet e lindjes së nënës në këtë shëmbëlltyrë nuk i referohen vetëm largimit të Jezusit (“nuk do të më shihni më”), por edhe shqetësimeve të Tij. Jo vetëm ikjes së Tij, por edhe dhimbjes së Tij. Prandaj, gëzimi në anën tjetër nuk vjen vetëm pas asaj dhimbjeje; por vjen me anë të saj. Dhimbja e Jezusit në kryq nuk i parapriu vetëm gëzimit të ri; por e prodhoi atë.

Jezusi e thekson këtë me formulimin që përdor në vargun 20. Ai thotë: “Hidhërimi juaj do të kthehet në gëzim”. Ai nuk thotë se hidhërimi yt “do të zëvendësohet me gëzim”, por fjalë për fjalë “do të kthehet në gëzim”. Henry Alford shprehet kështu: “Jo thjesht që u kthye në gëzim, por u shndërrua në gëzimin vetë–kështu që vetë çështja e hidhërimit do të bëhet çështje gëzimi; pasi Kryqi i turpit të Krishtit është bërë lavdia e të krishterit, Galatasve 6:14” (Greek New Testament, vëll. 1, 870).

Nga kjo anë e kryqit dhe ringjalljes ku ne qëndrojmë, është më e qartë se si agonitë e kryqit bëhen gëzimi ynë. Vuajtjet e Krishtit largojnë mëkatin tonë dhe zemërimin e Perëndisë, dhe na sjellin te Perëndia dhe te gëzimi. “Edhe Krishti ka vuajtur  një herë për mëkatet... për të na çuar te Perëndia” (1 e Pjetrit 3:18), dhe “ka plot gëzim në praninë tënde” (Psalmi 16:11). “Me anë të të cilit [d.m.th., përmes vuajtjeve të Tij] edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë” (Romakëve 5:2).

Pra, kur Jezusi thotë se pas lindjes së një fëmije, një nënë “e harron vuajtjen nga gëzimi se ka lindur një njeri në botë”, Ai dëshiron të thotë se dhimbjet e lindjes janë shndërruar nga kujtime ankthi në përçuese të gëzimit. Kështu është me dhimbjet e Jezusit dhe efektin e tyre te dishepujt. Jezusi donte që ata ta dinin këtë para kohe, në mënyrë që gëzimi i tyre të mos lëkundej: I gjithë ky “hidhërimi juaj do të kthehet në gëzim” (Gjoni 16:20).

Ekziston edhe një gjë tjetër mahnitëse që Jezusi thotë për gëzimin e dishepujve që duhet t’i bëjë ata mjaftueshëm të qëndrueshëm për t’i bërë ballë stuhisë së të Premtes së Madhe. Shprehja figurative e fëmijës së lindur nga kjo grua, përfaqëson Jezusin pas ringjalljes. Dhe Jezusi, pas ringjalljes, nuk mund të vdiste kurrë më. “Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më ” (Romakëve 6:9). Kur dhimbjet e lindjes lindin jetën, ajo jetë është e pavdekshme.

Kjo do të thotë se gëzimi që premton Jezusi është gëzim i pavdekshëm. “Por unë do t’ju shoh përsëri dhe zemra juaj do të gëzohet, dhe askush nuk do ta heqë gëzimin tuaj nga ju” (Gjoni 16:22). Ky gëzim i pathyeshëm është sepse “do t’ju shoh përsëri”. Do të ngrihem prej së vdekurish. Unë do të jem i gjallë dhe me ju, me anë të Frymës tim, përgjithmonë. Nuk mund t’jua heqin gëzimin tuaj, sepse nuk mund do të më largojnë dot mua prej jush. Unë jam gëzimi juaj (Gjoni 15:11; 17:13). “Nuk do t’ju lë bonjakë. Do të vij te ju” (Gjoni 14:18).

Askush nuk mund të ta heqë këtë gëzim

Vështirë se mund ta dëgjojmë shpesh që ishte më mirë për ne që Jezusi të na linte dhe të shkonte tek Ati. “Është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi, por, po shkova, unë do t’jua dërgoj” (Gjoni 16:7).

Sigurisht, Fryma e Shenjtë–Ndihmuesi–ishte aktiv në botë përpara se Jezusi të shkonte tek Ati. Por një gjë nuk e bëri kurrë para ringjalljes së Jezusit: Ai kurrë nuk e lavdëroi Zotin e ringjallur të universit! Tani kjo është puna e Tij kryesore në botë. “Ai do të më përlëvdojë!” (Gjoni 16:14). Ai e bën atë çdo ditë dhe e bën në mënyrë sovrane, te të gjithë fëmijët e Perëndisë. Sa herë që shohim lavdinë e Krishtit ndodh sepse: “Si prej Frymës së Zotit” (2 e Korintasve 3:18). Pa këtë, ne të gjithë do ta fundosnim besimin tonë.

Me anë të kësaj vepre lartësuese të Krishtit, Fryma përmbush premtimin e Jezusit se askush nuk do të na e heqë gëzimin tonë (Gjoni 16:22). Mendo për këtë! Skeptikët dhe tallësit nuk mund të ta heqin gëzimin që ke. Mjeku me raportin e biopsisë nuk mund të ta heqë gëzimin. Bashkëshorti yt kurorëshkelës nuk mund ta heqë gëzimin tënd. Fëmijët e tu rebelë nuk mund të ta heqin gëzimin. Klima politike, terrori global, të shtënat në shkolla, padrejtësia racore, katastrofa financiare, papunësia, polemika teologjike, ëndrrat e parealizuara, kujtimet e dështimit tuaj–të gjitha këto nuk mund ta heqin gëzimin tënd. Askush nuk mundet!

“Por unë do t’ju shoh përsëri dhe zemra juaj do të gëzohet, dhe askush nuk do ta heqë gëzimin tuaj nga ju” (Gjoni 16:22). Kjo do të thotë: Unë do të ngrihem prej së vdekurish. Këtë do ta vërtetoj duke të parë në fytyrë. Pastaj do të shkoj tek Ati dhe do të derdh mbi ty Frymën tim. Dhe derisa të vij përsëri, Fryma im do ta bëjë lavdinë time aq të vërtetë për ty, saqë askush nuk do ta marrë gëzimin tënd.


Jo vetëm gëzim

Jezusi nuk premton vetëm gëzim. “Në botë do të keni shtrëngim, por merrni zemër, unë e kam mundur botën!” (Gjoni 16:33). Merr zemër me të vërtetë! Si të mos marrim! Ai jo vetëm që e ka mposhtur botën–ferrin, djallin dhe vdekjen–por Ai mbetet me ne dhe në ne, si një luftëtar i fuqishëm kundër të gjithë armiqve tanë. “Por ju jeni prej Perëndisë, o djema, dhe i keni mundur ata, sepse ai në ju është më i madh se ai në botë” (1 e Gjonit 4:4).

Po, e vërtetë që do të ketë mundime. Do të ketë pikëllime të shumëllojshme në këtë botë të rënë, të cilat nuk mund t’i numërojmë dot. Gjithsesi, bota që na bën kaq të pikëlluar nuk e ka fjalën e fundit. Prandaj, motoja e të krishterit në këtë botë është: “Të brengosur, por gjithmonë të gëzuar” (2 e Korintasve 6:10). Përmes çdo pikëllimi, ne po ruhemi nga fuqia e Ndihmuesit. Prandaj, “për këtë ngazëllehuni, ndonëse tani, në qoftë se duhet, për pak kohë, duhet të trishtoheni në tundime të ndryshme” (1 e Pjetrit 1:6).

Ti mund të tundohesh që të ulërish: “Oh, sikur të kthehesha pas dhe ta shihja Jezusin siç ishte në mish!” Por mbaj mend, ti sheh më shumë prej Tij tani me anë të Frymës në fjalën e Tij, sesa panë dishepujt gjatë jetës së Tij tokësore. Ti do ta shohësh Atë përsëri, por jo ashtu siç ishte. Fytyra e Tij do të jetë “si dielli që ndrin me gjithë forcën e tij” (Zbulesa 1:16). Merr zemër nga fjalët e Pjetrit: “Megjithëse ju nuk e keni parë, e doni, duke besuar në të dhe ngazëlleheni me hare të patregueshme dhe të lavdishme” (1 e Pjetrit 1:8-9). Ky është gëzimi që nuk mund të të hiqet.

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i Kolegjit dhe Seminarit Betlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i Kishës Baptiste Betlehem, në Miniapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Katër prej librave të John Piper janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e Shko Dëm Jetën, Pesë Pika–Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë, Virusi Korona dhe Krishti dhe Lajm i Mirë, Gëzim i Madh.


Përktheu: Joana Muhameti | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje:  https://www.desiringgod.org/articles/no-one-will-take-your-joy-from-you  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim
>