Dhjetor 2024
Jam mësuese fëmijësh prej 35 vitesh. Mirëpo, ndërsa kthej kokën mbrapa te pesë vitet e para, kuptoj se materialet që më kishin dhënë dhe trajnimet që kisha bërë, nuk ishin projektuar për të prekur të gjithë qenien e fëmijës. Po, kisha mësime biblike (kurikula përfshinte një histori biblike të përmbledhur, që duhej lexuar), megjithatë nuk më dukej sikur po e përdorja Biblën në mënyrë aktive për të udhëzuar mendjet e tyre, nuk po i angazhoja zemrat e tyre në mënyrë kuptimplotë apo t’i inkurajoja a t’i sfidoja në hapa specifikë drejt bindjes së mbështetur në besim. Po irritohesha gjithnjë e më shumë. Diçka mungonte…
Lou Priolo e përmbledh shumë mirë irritimin tim në vitet e para:
| Për të krishterët, të mësuarit nuk janë thjesht fakte të mësuara, por të vërteta të jetuara.
Sally Michael thellohet pak më shumë në këtë mendim:
| Të mësuarit që ka për qëllim të informojë vetëm intelektin, nuk e arrin potencialin që kemi për t’i dhënë formë zemrës së fëmijëve në përgjigje ndaj të vërtetës së Perëndisë. Edhe pse njohja e së vërtetës është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme që besimi të lindë e të rritet (Romakëve 10:17), fëmijët duhet të veprojnë në bazë të së vërtetës, duke e zbatuar në jetën e tyre e duke ecur në të.
Për këtë arsye, që prej fillimit të shërbesës sonë, i kemi shkruar e i kemi projektuar qëllimisht materialet dhe trajnimet tona, në mënyrë që t’i ndihmojmë prindërit dhe mësuesit të arrijnë qenien e plotë të fëmijës – mendje, zemër dhe vullnet – me Fjalën e pakrahasueshme dhe jetëtransformuese të Perëndisë. Ja një përshkrim i shkurtër i asaj që përfshihet:
Udhëzimi i mendjes
Nëse duam që fëmijët ta njohin, ta nderojnë dhe ta çmojnë Perëndinë përmes Krishtit, ata duhet të njohin mirë Fjalën e Tij. Për të arritur këtë synim, ata duhet të kenë mjetet dhe aftësitë e duhura për të studiuar, për të interpretuar dhe për të aplikuar Shkrimin. Kurikula jonë përdor një model ndërveprues të mësimdhënies, që i udhëzon nxënësit të angazhohen personalisht me leximin dhe studimin e Biblës, duke filluar që me klasën e parë. Ky model përfshin mendimin kritik dhe aftësitë arsyetuese, që janë të rëndësishme për të pasur siguri dhe për të mbrojtur besimin e krishterë.
Përfshirja e zemrës
Edhe pse ne e pranojmë plotësisht se vetëm Perëndia mund të sjellë besim në Jezusin të lindur prej frymës e të varur prej hirit dhe vetëm Ai mund të japë aftësinë për të ecur si dishepujt e Tij besnikë, ne besojmë se është përgjegjësia jonë për të udhëzuar, frymëzuar dhe për t’u lutur, që nxënësit të kenë reagim personal e të sinqertë ndaj të vërtetës së Perëndisë. Ajo që mësohet në mendje duhet të transformohet në zemër dhe vullnet. Për këtë arsye, kurikulat përfshijnë elementë që kanë për qëllim të sfidojnë dhe t’i drejtojnë nxënësit me hir , në mënyrë që ta duan, t’i binden e të kënaqen në Perëndinë përmes Krishtit.
Ndikimi i vullnetit
Jemi të bindur se besimi i vërtetë shpëtues do të provohet prej një dëshire gjithnjë e në rritje për të ecur në bindje ndaj Perëndisë. Edhe pse kjo varet nga puna e Frymës së Shenjtë, Perëndia pret që fëmijët e Tij të bëjnë përpjekje, të zgjedhin çdo ditë t’i besojnë Krishtit, t’i nënshtrohen Atij dhe ta ndjekin në bindje. Për këtë arsye, çdo mësim përfshin pjesë nga Shkrimi dhe nxitje për diskutim që udhëzojnë, sfidojnë dhe i inkurajojnë nxënësit drejt mendimeve, fjalëve, veprimeve dhe sjelljeve që janë në ngjashmëri me Krishtin. Për më tepër, këto diskutime bëhen me qëllim për të treguar vlerën e pakrahasueshme dhe gëzimin e përjetshëm të të jetuarit të dorëzuar plotësisht në vullnetin e përsosur të Jezusit.
A janë burimet që ti po përdor tani, të përqendruara në arritjen e TË GJITHË qenies së fëmijës, siç përshkruhet më sipër? A po frymëzohen, po pajisen dhe po trajnohen prindërit dhe mësuesit në kishën tënde, për t’i përmbushur këto qëllime? Nëse do të doje të mësoje më shumë, ja disa alternativa:
“A Vision for Teaching the Word of God” (video 15-minutëshe nga David and Sally Michael)
“A Vision for Encouraging Faith in Christ in the Next Generation” (video 15-minutëshe nga David and Sally Michael)
“The Theological & Philosophical Foundation of Truth78 Teaching Resources” (6 faqe PDF)
“The Importance of Biblical Literacy for the Next Generation” (seminar nga Jill Nelson)
“Reaching the Heart: The Importance of Application” (seminar nga Sally Michael)
Përkthyer me leje: https://truth78.org/blogs/blog/are-you-reaching-the-whole-child
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2024