Një ëndërr përpara fronit të gjykimit të Perëndisë
Atë ditë leximi im i mbrëmjes ishte Romakëve 1–8. Teksa faqja e fundit u mbyll, më zuri gjumi dhe pashë një ëndërr si asnjë tjetër.
Qëndroja jashtë një salle gjyqi që quhej Selia e gjykimit. Madhështore dhe hijerëndë siç ishte, ajo gjykatore m’u shfaq si vendmbërritja kryesore drejt së cilës drejtohej mbarë dheu. Hyra me dashje, edhe pse pastaj e pyeta veten nëse kisha ndonjë zgjedhje për të hyrë a jo.
Brenda saj gjendej një turmë e madhe demonësh dhe engjëjsh. Dëgjova një engjëll t’i thoshte tjetrit: “Gjykimi duhet të fillojë nga shtëpia e Perëndisë.” Zura vendin tim në atë sallë gjyqi, megjithëse disa sy më shihnin sikur unë të mos e kisha vërtet vendin atje.
Para se të mund t’i kushtoja edhe një mendim tjetër kësaj çështjeje, dyert u hapën me vrull dhe heshtja pllakosi mbi të gjitha krijesat. Madje edhe qeniet më keqdashëse, ata perëndi të kombeve, u detyruan të heshtnin, duke nxjerrë vetëm nënqeshje përçmuese dhe të mbytura. Hyri një burrë i lidhur me zinxhirë, me kokën të ulur poshtë, i cili quhej Amartōlos[1] — megjithëse dridhej vetëm nga mendimi se ky emër ishte i tiji. Dukej sikur po ecte si një burrë që po e çonin drejt dënimit me vdekje. Ai u ul me një gatishmëri të çuditshme në karrigen e tij që quhej Turp, dhe kjo gjë e la të habitur një engjëll të ulur pas meje, i cili tha se shumica ulej në atë karrige vetëm pas një përpjekjeje të madhe.
Thirrja e fuqishme “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë” drodhi sallën e gjyqit teksa gjyqtari zuri vendin e tij, një pamje që mund të krahasohet me diellin që ngjitet në fronin e tij në mesditë. Seanca filloi dhe prokuroria e nisi çështjen duke thirrur si dëshmitar një person të quajtur Shpirti i epokës, i cili jepte dëshmi më këmbë të partnerit të tij të biznesit, Botës.
Dëshmitari i parë: Shpirti i epokës
“Gjyqtar dhe juri dhe shpirtra të mirë në mes nesh”, ia nisi shpirti, “ndoshta tashmë e keni kuptuar se mes kuvendit të të drejtëve gjendet dikush që në të vërtetë nuk e ka vendin këtu.”
Pas këtyre fjalëve u gëlltita kaq fort, saqë mendova se i dëgjova jehonën.
“Ky njeri”, dhe ndërkohë bëri shenjë drejt njeriut që i kishin vënë nofkën Tolos, “oh, sa me ngurrim dëshmoj përpara Jush për turpin e tij, o i Madhi dhe i Shenjti! A nuk keni thënë, vallë, në Librin tuaj të madh të ligjit se ky njeri nuk duhet ta dojë botën, as gjërat që janë në botë? Po, vërtet, kështu keni thënë. Ja ku e kam atë varg: “Mos e doni botën dhe as gjërat në botë. Po ta dojë dikush botën”, dhe vëreni pjesën tjetër, Gjyqtar dhe juri e mirë, “dashuria e Atit nuk është në të”.[2] A nuk thoni ju gjithashtu: “O kurorëshkelës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë?! Cilido, pra, që të dojë të jetë mik i botës, e cakton veten si armik të Perëndisë”[3]?
“Urdhërimi është i qartë dhe i pakundërshtueshëm, por a e shkeli këtë urdhërim ky i gjori? Si dëshmi paraqes dy dekadat e para të jetës së tij, sepse pema njihet prej frutës së saj. Shikoje me syrin e drejtësisë, jo të mëshirës, sepse thuhet: ‘Syri yt nuk do të ketë mëshirë për të’[4], dhe ju do të shihni prova të bollshme të kësaj në çdo fjalë dhe vepër. Gjithë jeta e tij rrjedh prej një burimi të fëlliqur. Pa asnjë dyshim, ai ka shërbyer si një skllav i zellshëm i dëshirimit të mishit, dëshirimit të syve dhe krekosjes së jetesës.[5]
“Pa vini pak re larminë e madhe të mëkateve që gjendet përpara jush, mëkate të cilat apostulli i ka renditur i shtyrë prej frymëzimit hyjnor, si përgojimet, shpifja, urrejtja e Perëndisë, mendjemadhësia, krenaria, mburrja, mosbindja ndaj prindërve dhe madje edhe shpikje të reja të këqijash.[6] Pa shiheni pak këtë keqbërës — ai është mosbesues, i pamend, i pandjeshëm e i pamëshirshëm![7] Çfarë mund të njihej për Shumë të Lartin, ishte e dukshme për të, sepse ai i njihte mirë cilësitë e padukshme të tij, qoftë fuqinë e tij të përhershme dhe qoftë hyjnishmërinë e tij, por ky njeri as e nderoi Perëndinë dhe as e falënderoi atë.[8] Përkundrazi, ai e këmbeu lavdinë e Shumë të Lartit me gjërat e krijuara dhe hyri në partneritet me mua dhe kolegun tim të nderuar.[9] Ai e dinte të vërtetën, por e shtypi atë në padrejtësi. A i mohon i pandehuri këto akuza? A mund të thotë ai të vërtetën dhe ta nxjerrë Perëndinë gënjeshtar?[10] A nuk është ai i ‘pashfajësueshëm’[11]?”
Sytë e gjithë të pranishmëve u ngulën mbi atë burrë që, për ta, nuk ishte më i madh se një djalë. Pa e çuar kokën, ai bëri të fliste me vështirësi: “Nuk kam asnjë mbrojtje, I Nderuar. Kundër Teje, vetëm kundër Teje kam mëkatuar dhe kam bërë të keqen në sytë e tu. Me qëllim që të përligjesh në fjalët e tua dhe, kështu, do të dalësh fitues në të gjykuarit tënd.”[12]
I dyti: Paditësi i vëllezërve
Në këtë pikë, procesi gjyqësor mund të kishte përfunduar, por hetimi vazhdoi prej një prokurori shumë të zellshëm që mbante titullin Paditësi i vëllezërve.
“Një fillim i shkëlqyer, i madhi Shpirt, një fillim i shkëlqyer. Tani, që në krye, më duhet të shpjegoj marrëdhënien time me të pandehurin, që të mos gjykohem se po e prish peshoren e drejtësisë. Njeriu përpara jush është biri im; ai ka qenë imi që nga lindja dhe kam qenë i tiji në mënyrën më vëllazërore të mundshme. Çështja ime paraqitet qartë në dekretet e përjetshme: ‘Ai që ushtron mëkatin është prej djallit, sepse djalli mëkaton nga fillimi.’[13] Po të shkojmë ca vargje më poshtë, vija ndarëse bëhet edhe më e qartë, gremina edhe më e thekshme, apo phanera, nëse mund të citoj origjinalin. ‘Prej kësaj janë të dukshëm fëmijët e Perëndisë dhe fëmijët e djallit: kushdo që nuk ushtron drejtësinë, nuk është prej Perëndisë; as edhe ai që nuk do vëllain e tij.’[14]
“E po, megjithëse nuk dua t’ia prish rehatinë gjithësisë me hallet e mia familjare, duhet ta dini se ky nuk është thjesht fajtor, por, faktikisht, ai është im bir dhe nuk është biri i Shumë të Lartit. Ai është imi dhe do të përfitojë nga trashëgimia ime, të bëhet ç’të bëhet. A nuk u betua Shumë i Larti se mes pasardhjes së gruas dhe simes do të ketë ‘armiqësi’[15]? Megjithëse nuk po ngre ndonjë kundërshtim rreth kësaj, duhet të jetë e ditur për të gjithë se, meqë identifikohet me mua, duke ndjekur drejtimin tim dhe rrugët e mia, dhe duke prodhuar veprat e mia, ai nuk ka sesi të mos ketë të njëjtin fat me mua, siç mësojnë qartë edhe ligjet madhore. Në qoftë se një formë drejtësie do të veprojë mbi mua, atëherë duke ndjekur të njëjtin parim, drejtësia duhet të veprojë edhe mbi ata që janë të mitë. I lutem gjykatës që të mos e prishë peshoren e drejtësisë.
“Në qoftë se ky qen i ngordhur dëshiron ta hedhë poshtë pretendimin tim mbi të apo të ma mohojë shërbimin që më takon, atëherë do të heq dorë nga çdo sjellje e hirshme në këtë mbledhje dhe do t’i sulem me akuza kaq të dhunshme dhe po aq të vërteta, edhe pse është im bir. E kuptoni se xhelozia për shpirtin e tij do të më shtyjë që ta bëj këtë. Tashmë e pranoi se ka mëkatuar jo vetëm kundër ligjit, por edhe kundër Jush, Shumë të Lartit, dhe tanimë druhem se ky maskara po përpiqet të bëjë të njëjtën gjë me mua. ‘Nëse unë, pra, jam ati’, atëherë, o mbledhje e nderuar, ‘ku është nderi im?’[16].”
Pas këtyre fjalëve, burri nuk lëvizi fare. U dëgjua vetëm një psherëtimë: “Sa njeri i mjerë jam unë! Kush do të më çlirojë prej trupit të kësaj vdekjeje?!”.[17]
I treti: Ndërgjegjja
I fundit që doli për të dëshmuar — dhe, sipas mendimit tim, ky dëshmitar ishte po aq dënues sa edhe ai përpara tij — ishte ndërgjegjja e atij burri që dha një dëshmi të zjarrtë kundër tij, sikur kjo të ishte e vetmja mundësi që i ishte dhënë për të folur pas kaq shumë vitesh. Oh, sa gjatë, sa me fjalë të zgjedhura e sa saktë që foli ky dëshmitar! Ai renditi shkelje të panumërta, në shumë prej të cilave kishte qenë vetë dëshmitar, duke protestuar në mënyrë të zjarrtë, por e përzunë me ashpërsi, e përqeshën, e tallën dhe më në fund e detyruan të heshtte. Sekretet më të thella të shpirtit u zhveshën lakuriq, që ne të gjithë të mund t’i shihnim, madje në një mënyrë kaq shteruese, saqë vetë Akuzuesi i Madh mbajti shënim prova të reja, duke buzëqeshur me kënaqësi. Do të preferoja më mirë të jetoja në mes të gjirizeve, teksa minjtë më të ndyrë më kafshonin trupin dhe sëmundja më bluante kockat, sesa t’i nënshtrohesha një hetimi kaq të saktë e të hollësishëm të mëkateve të mia.
Përgjërimi i Tolosit
Më së fundi i erdhi radha njeriut të përgjigjej.
“Kurrë nuk ma kishte marrë mendja se do ta urreja veten kaq shumë sa e urrej në këto çaste”, u përgjigj Tolosi, duke këqyrur dëshmitë. “Çfarë batakçiu që paskam qenë! Kënaqësitë e mia më të mëdha kanë mbledhur zemërim për të keqen time.[18] Gryka ime është një varr i hapur, i mbushur me mallkim e hidhësi.[19] Kam zgjedhur shkatërrimin e mjerimin dhe kam jetuar pa frikën e Perëndisë, duke mos e konsideruar të vlefshme njohjen e tij në mendimet e mia. Goja ime është e kyçur. Jam përgjegjës përpara Perëndisë. E meritoj dënimin dhe kjo për shkak të dëshmisë sime.[20]E shpall veten fajtor, fajtor, fajtor për të gjitha akuzat. Në qoftë se drejtësia duhet të bëhet ashtu siç duhet, atëherë ajo që meritoj unë, është zemërim dhe furi e pareshtur.[21]
“Mirëpo kjo është arsyeja përse kam ardhur.” Më së fundi e ngriti kokën. “Kam ardhur që të gjykohem përpara kohe, sepse në Librin tuaj kam lexuar më shumë gjëra sesa vetëm rreth ligjit dhe mëkatit tim. Drejtësi ‘pavarësisht nga Ligji… drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë ata që besojnë’[22]. Të gjitha këto duken si fjalë të mëdha për të zgjuar shpresën time.
“Unë mund të shpallem jofajtor, i pafajshëm ligjërisht dhe madje absolutisht i drejtë ‘me hirin e tij [si një dhuratë], nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus’[23]. Kur unë, që jam i keq, u bëj dhurata fëmijëve të mi, nuk pres që ata të më paguajnë për këtë. Gjithçka që kërkoj prej tyre, është një dorë e hapur. Kështu që, ja ku është dora ime, e zbrazur prej meritave të saj, e njollosur, e ndotur nga mëkati, fajtore për krime të panumërta, e megjithatë gati për të marrë mëshirë prej duarve të shpuara nga gozhdët. Kjo sepse po aq qartë sa e lexoj regjistrin e krimeve të mia, e lexoj edhe regjistrin e meritave të Shpëtimtarit. Shoh se sa përsosurisht e përmbushi Ai çdo pikë dhe çdo germë të Ligjit. Si u dërgua për shkak të mëkatit, që ta dënonte ‘mëkatin në mish’[24], duke e dënuar atë që donte të më dënonte. I mjeri jam unë, por i mjerë u bë Ai për mua, Ai ‘të cilin Perëndia e paraqiti si vendshlyerje në gjakun e tij, të arritshëm nëpërmjet besimit’[25]. Unë e pranoj Atë!
“Libri thotë — dhe mezi guxoj ta besoj — se për të gjithë ata që besojnë, dënimi për një jetë të tërë mëkati dhe ligësie të mishit është ekzekutuar mbi dru. Atje ju e provuat se Perëndia është ‘i drejtë dhe drejtësues i atij që është prej besimit në Jezusin’[26]. Lutja ime është e njëjtë si ajo e Abrahamit, që ‘i besoi… Perëndisë dhe kjo iu llogarit për drejtësi’[27]. Ky është besimi që na drejtëson dhe na lë si trashëgimi ‘paqe me Perëndinë’[28].
“Pra, dëshmoj kundër vetes, po, dhe pranoj para kësaj gjykate se jam plotësisht dhe tmerrësisht fajtor. Mirëpo tani e tërheq gjithë vëmendjen e gjykatës te vepra e përfunduar e Jezu Krishtit, e kryer në vendin tim dhe për mua. Me anë të gjakut të tij, unë jam drejtësuar dhe jo vetëm kaq, por ai më shpëton nga zemërimi i Perëndisë.[29] Unë besoj me gjithë zemër dhe jam bërë i drejtë; e rrëfej atë dhe kam marrë premtimin e shpëtimit.[30] Unë nuk i drejtohem ligjit të veprave, sepse ‘prej veprave të Ligjit nuk do të drejtësohet asnjë mish përpara tij’[31]. Unë i drejtohem ligjit të besimit, ligjit të Frymës së jetës që më çliron nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.[32] Këtë besoj dhe vetëm këtë mund të besoj, pra, që njeriu drejtësohet me anë të besimit, ‘pavarësisht nga veprat e ligjit’[33]. Dëshiroj t’ju tërheq vëmendjen ndaj dekretit të ungjillit:
Ndërsa atij që nuk punon, por që beson në atë që drejtëson të papërshpirtshmin, besimi i tij i llogaritet për drejtësi; sikundërse shpreh edhe Davidi lumninë e njeriut të cilit Perëndia i llogarit drejtësi pa vepra:
‘Lum ata, paligjshmëritë e të cilëve u falën
dhe mëkatet e të cilëve u mbuluan!
Lum ai njeri, mëkatin e të cilit Zoti
kurrë nuk do ta llogaritë !’.[34]
“Prandaj, kam ardhur me vullnetin tim, përpara se të më thërrasë vdekja, duke besuar, thjesht duke besuar. E shpall veten fajtor; e meritoj vdekjen e përjetshme. Mirëpo, Ti, o Gjykatës, u ke premtuar jetë atyre që vijnë te Ti dhe u premton atyre një drejtësi të panjollë, drejtësinë e Shpëtimtarit tim. Ai do të më çlirojë nga ky vend i turpit, sepse më është premtuar: ‘…ai që beson në të, nuk do të turpërohet’[35]. Ai mbajti mëkatin tim, veshi zemërimin tim, ‘u dorëzua në vdekje për shkeljet tona dhe u ngjall për drejtësimin tonë’[36]. Ai është gjithë përgjërimi im. Në qofsha mallkuar, ecni dhe m’i shkulni krahët prej këmbëve të tij, sepse pas tyre jam kapur fort.”
Vendimi
Heshtje, një heshtje e tillë që ia mbyll gojën madje edhe perëndive, pllakosi mbi gjykatore. Atëherë, një zë si zhaurima e shumë ujërave foli nga froni fjalë që janë gdhendur në mendjen time për jetë e mot:
“Si rrjedhim, tani nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus.”[37]
Paskëtaj, themelet e gjykatores u lëkundën, të tronditura prej ulërimave që u mbytën shpejt prej këngëve. Hordhia e paktë e shpirtrave të ferrit lëshoi britma dhe u tkurr nga tërbimi, ndërsa ushtria e fuqishme shpërtheu në një këngë të re drejtuar Gjykatësit:
“I denjë je për të marrë rrotullën
dhe për të hapur vulat e saj,
sepse u there dhe me gjakun tënd bleve për Perëndinë
njerëz prej çdo fisi dhe gjuhe, dhe populli, dhe kombi,
dhe i bëre ata një mbretëri dhe priftërinj për Perëndinë tonë,
dhe do të mbretërojnë mbi tokë.”[38]
Gjykatësi, duke u shfaqur mjaft i bezdisur prej tërbimit blasfemues, i ndërpreu britmat e djajve, duke shpallur plot patos:
“Kush do të ngrejë akuzë kundër të zgjedhurve të Perëndisë? Perëndia është ai që drejtëson. Kush është ai që dënon? Krishti Jezus është ai që vdiq, po për më tepër ai që u ngjall dhe i cili është në të djathtë të Perëndisë, dhe i cili ndërhyn për ne.” [39]
Teksa Gjyqtari po e mbyllte Librin, m’u duk sikur pashë vraja në duart e tij dhe një emër të shkruar në pëllëmbët e tij: Amartōlos.
Greg Morse është autor pranë shërbesës “Desiring God” dhe i diplomuar pranë Kolegjit dhe Seminarit Bethlehem. Ai dhe e shoqja, Abigail-i, jetojnë në Saint Paul me dy djemtë dhe tri vajzat e tyre. Lexoni më shumë rreth Greg-ut.
[1] Në greqisht për “mëkatar”.
[2] I e Gjonit 2:15.
[3] Jakobi 4:4.
[4] Ligji i Përtërirë 19:13.
[5] I e Gjonit 2:16.
[6] Romakëve 1:29–30.
[7] Romakëve 1:31.
[8] Romakëve 1:19–21.
[9] Romakëve 1:23.
[10] Romakëve 3:4.
[11] Romakëve 1:20.
[12] Psalmi 51:4; Romakëve 3:4.
[13] I e Gjonit 3:8.
[14] I e Gjonit 3:10.
[15] Zanafilla 3:15.
[16] Malakia 1:6.
[17] Romakëve 7:24.
[18] Romakëve 2:5.
[19] Romakëve 3:13–14.
[20] Romakëve 3:19–20.
[21] Romakëve 2:8.
[22] Romakëve 3:21–22.
[23] Romakëve 3:24.
[24] Romakëve 8:3.
[25] Romakëve 3:25.
[26] Romakëve 3:26.
[27] Romakëve 4:3.
[28] Romakëve 5:1.
[29] Romakëve 5:9.
[30] Romakëve 10:10.
[31] Romakëve 3:20.
[32] Romakëve 8:2.
[33] Romakëve 3:28.
[34] Romakëve 4:5–8.
[35] Romakëve 9:33.
[36] Romakëve 4:25.
[37] Romakëve 8:1.