“…nuk ka asnjë që la shtëpi apo vëllezër, apo motra, apo nënë, apo atë, apo fëmijë, apo ara për shkakun tim dhe të ungjillit, që të mos marrë njëqindfish tani, në këtë kohë, shtëpi dhe vëllezër, dhe motra, dhe nëna, dhe fëmijë, dhe ara, bashkë me përndjekje; dhe në epokën që vjen, jetë të përjetshme. Por shumë të parë do të jenë të fundit dhe të fundit të parë.” MARKU 10:29-31

Përparësia e Jezusit nuk është që ne të jemi rehat. Kur një bisedë me Jezusin në lidhje me trashëgimin e jetës së përjetshme u mbyll me të riun pasanik që u largua i trishtuar, pasi nuk ishte gati që të ndahej nga pasuria e tij për të ndjekur Jezusin, Ai u tha ndjekësve të Tij se “Më e lehtë është që një deve të kalojë përmes një vrime gjilpëre, sesa një i pasur të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë” (Marku 10:25). Duke reaguar ndaj kësaj, Pjetri, të cilit i pëlqente të fliste në raste të tilla, vuri në dukje sakrificat që ai dhe dishepujt e tjerë kishin bërë për ta ndjekur Jezusin (v. 28).

Me sa duket, Pjetri po përpiqej të dëgjonte një fjalë që do ta siguronte sërish, se ai dhe dishepujt e tjerë ishin “të sigurt” nga paralajmërimi i Jezusit, përderisa ata i kishin lënë pas zotërimet e tyre. Dhe, në fakt, Jezusi u përgjigj duke i dhënë inkurajimin se kushdo që sakrifikon shumë për hir të Tij dhe për ungjillin, sigurisht që do të marrë shumë në shkëmbim. Me fjalë të tjera, Perëndia do të kujdeset për ata si në këtë jetë, ashtu edhe në epokën që do të vijë. Mirëpo Jezusi nuk ishte i interesuar që thjesht t’i bënte dishepujt të ndiheshin mirë në lidhje me veten e tyre. Prandaj, ai i pasoi këto fjalë me një paralajmërim thumbues: “Por shumë të parë do të jenë të fundit dhe të fundit të parë.”

Ne mund ta imagjinojmë Pjetrin që, kur i dëgjoi ato fjalë dhe e krahasoi veten me të riun pasanik, po ndihej shumë i sigurt në vetvete. Mirëpo kjo nuk duket se është ideja që po theksonte Jezusi. Ai tashmë i kishte trajtuar pasuritë. Përkundrazi, duket sikur Jezusi po i paralajmëronte dishepujt e Tij: Kini kujdes që të mos ju pushtojë vetëkënaqësia. Ka nga ata që supozojnë se janë “të parët” — shumë nga ata të cilëve u thuhet, nga bota ose kisha, se janë “të parët” — të cilët një ditë do të tronditen nga vlerësimi i Jezusit për ta. Ata që i dhanë Atij gjithçka që kishin, shpesh në mënyra që nuk u dalluan nga të tjerët, do të jenë ata për të cilët Jezusi rezervon lavdërimin më të lartë.

Ndoshta edhe ne, ashtu si Pjetri, ndihemi sikur jemi të mbrojtur nga sfidat e Jezusit për pasurinë dhe për të qenët “të parët”, ose ngaqë nuk kemi pasuri, ose ngaqë tashmë kemi sakrifikuar shumë për Jezusin. Ne gjithmonë mund të gjejmë dikë që është më i pasur se ne ose që ka hequr dorë nga më pak gjëra se ne, dhe kështu e bazojmë ndjesinë tonë të sigurisë mbi atë krahasim. Mirëpo Jezusi nuk është i interesuar për të na bërë të ndihemi rehat. Përkundrazi, Ai na bën thirrje që të dalim nga vetëkënaqësia jonë dhe ta ndjekim Atë me devotshmëri. Varfëria relative nuk është një virtyt, ashtu sikurse nuk është as pasuria relative. Ai ka premtuar se do të kujdeset për ne dhe na ka thirrur që ta gjejmë sigurinë tonë në punën e Tij të përfunduar për ne dhe jo në atë që po bëjmë ne për Të. Mos iu dorëzo vetëkënaqësisë që lind nga krahasimi me të tjerët. Përkundrazi, dëgjoje thirrjen e Jezusit drejtuar Pjetrit kur, në një rast të mëvonshëm, ky i fundit e pyeti Zotin e tij nëse jeta e Gjonit do të shkonte ndryshe nga e tija: “Ti më ndiq” (Gjoni 21:22).