“Ju do të pasuroheni në gjithçka për çdo lloj bujarie, e cila prodhon nëpërmjet nesh falënderim për Perëndinë.” II KORINTASVE 9:11

Perëndia nuk është një lezetprishës kozmik. Ai nuk na kërkon që të durojmë një ekzistencë zhgënjyese, në të cilën ne rrimë këmbëkryq dhe shtiremi sikur jemi të lumtur. Për­kundrazi, Ai siguron bollshëm për ne. Nuk ka pse të kërkojmë falje për atë që Ai na jep; por duhet ta ndajmë atë me të tjerët.

Arsyeja pse Perëndia na jep gjithçka që kemi nevojë (dhe shpesh madje edhe më tepër!), është që edhe ne t’u japim të tjerëve. Pali na thotë se kur ne “[pasurohemi] në gjithçka”, kjo ndodh “për çdo lloj bujarie, e cila prodhon nëpërmjet nesh falënderim për Perëndinë”. Atë që e kemi marrë si dhuratë nga Perëndia, ne duhet ta japim si dhuratë nga Perëndia. Jakobi e kap këtë ide në një mënyrë sfiduese kur pyet: “Çfarë dobie ka… po të thotë dikush se ka besim, por të mos ketë vepra?!…” (Jakobi 2:14). Përgjigjja është e qartë: nuk ka fare dobi! Kur e përmbushim përgjegjësinë tonë për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë, jo vetëm që nxitim lavdërim për Perëndinë, mirëpo jemi edhe prova për realitetin e besimit tonë në Perëndinë.

Perëndia nuk na siguron vetëm burimet, por edhe hirin që na nevojitet për të qenë vërtet bujarë — që ta privojmë veten nga diçka, në mënyrë që të tjerët të bekohen (II Korintasve 8:1-3). Perëndia është Ai që “mund të bëjë të mbushullojë çdo hir ndaj jush, me qëllim që, duke pasur gjithmonë në gjithçka çdo gjë mjaftueshëm, të mbushulloni për çdo punë të mirë” (II Korintasve 9:8).

Një zemër bujare na mbron nga egoizmi dhe dëshira për të grumbulluar pasuri të mëdha për veten tonë. Gëzimi i bekimit të Perëndisë nuk gjendet në hedhjen e një themeli të mirë financiar, që të mund t’i kalojmë vitet e pensionit diku në një vend fantastik, që të lëmë pas një trashëgimi edhe më të madhe financiare ose që të ngushëllohemi me llogarinë e kursimeve. Përkundrazi, ne jemi thirrur për ta ndarë pasurinë që Ai na jep tani, në mënyrë që kur të tjerët ta gëzojnë atë, të gjejnë kënaqësinë e vërtetë në Perëndinë që është Siguruesi.

Nëse tregohemi të ndershëm, vetë arsyeja pse ne frenohemi për të ndarë bujarisht me të tjerët, është ngaqë mendojmë se, pasi t’i kemi dhënë gjërat tona, Perëndia mund të na lërë pa gjë. Megjithatë, Shkrimi na bind se i njëjti Perëndi që u kujdes për ne në fëmijërinë tonë, do të sigurojë për ne edhe në pleqërinë tonë (shih Isaia 46:4).

Gëzimi duhet gjetur në heqjen e prangave të skllavërisë që vjen nga gjërat që zotëron. Është privilegji dhe përgjegjësia jote që të jesh i pasur në vepra dhe i gatshëm për të ndarë me të tjerët, pavarësisht nëse të është dhënë shumë apo pak. Kërkoji Perëndisë të të japë hir për të dhënë me gëzim dhe pa hezitim, duke kujtuar këtë gjë: nuk mund të japësh dot më shumë se Perëndia.