“Nëse këto gjëra i dini, të lumë jeni po t’i bëni.” GJONI 13:17
Atë kujtohet ndonjë rast kur një i panjohur t’u afrua krejt papritur dhe të pyeti se çfarë beson në lidhje me Jezu Krishtin dhe besimin e krishterë? Imagjinoj që ke pasur vetëm pak përjetime të tilla, nëse vërtet ke pasur. Sigurisht që duhet të jemi gati për takime të tilla; apostulli Pjetër na thotë që të jemi gati për të dhënë një arsye për shpresën që është në ne (I e Pjetrit 3:15). Mirëpo mundësitë për të shpjeguar se çfarë besojmë shpesh nuk rezultojnë nga takimet e rastësishme me të panjohur, por nga mënyra se si jetojmë çdo ditë para atyre që na njohin mirë.
Mënyra se si jetojmë dhe ajo që besojmë duhet të reflektojnë lidhjen tonë me Krishtin. Kjo është një nga arsyet pse Pjetri thotë se të krishterët janë “popull për pronësi të Perëndisë” (I e Pjetrit 2:9). Lidhja jonë me Jezusin, si ata që janë në Të dhe që i përkasin Atij, është gjithëpërfshirëse. Kjo do të thotë që nuk e kemi lirinë për të besuar çfarë të duam; ne nuk jemi të lirë që të formojmë pikëpamjet tona për martesën, për seksualitetin, për financat ose për ndonjë gjë tjetër. Pikëpamja jonë tani duhet të reflektojë atë të Mesias dhe Mësuesit tonë, Jezusit. Mirëpo Ai nuk është i kënaqur që dishepujt e Tij thjesht ta dinë të vërtetën. Ata duhet që, gjithashtu, ta jetojnë atë: “Nëse këto gjëra i dini, të lumë jeni po t’i bëni.” Besimi duhet të na çojë te veprimi. Prandaj, nuk jemi të lirë që të sillemi ashtu siç na pëlqen. Sjellja jonë duhet të reflektojë sjelljen e Jezusit, Shpëtimtarit tonë sakrifikues.
Shumë fe bashkëkohore dhe kredo laike nuk ju kërkojnë asgjë nga stili i jetës suaj; ato ju lënë të lirë që të jetoni ashtu siç t’ju pëlqejë. (Në fakt, shumë njerëz e bëjnë këtë parimin e tyre udhëzues: bëj atë që të duket e drejtë.) Mirëpo thirrja për dishepullim të krishterë është krejt e ndryshme, pasi në thelb të saj gjendet thirrja për të ndjekur një Mbret, dhe ky nuk jeni ju. Thirrja për në jetën e krishterë nuk është që thjesht të besoni ungjillin, por që të “jetoni si qytetarë në mënyrë të denjë për ungjillin e Krishtit” (Filipianëve 1:27).
Të gjithë ne dështojmë. A keni ndonjë person që po ju ndihmon dhe dikë që mund ta ndihmoni për të identifikuar aspekte të sjelljes që nuk janë ende të denja për ungjillin? Kapuni krah për krah me një vëlla apo një motër në Krishtin, shkëlqeni dritën e fjalës së Perëndisë mbi njëri-tjetrin dhe përpiquni ta zbatoni të vërtetën në jetë!
Kisha është mjeti parësor i caktuar nga Perëndia për ta arritur botën e Tij. Ju jeni pjesë e saj. Mirëpo mos prisni që njerëzit përreth jush të pyesin në lidhje me ungjillin — dhe aq më pak që të pendohen dhe të besojnë — nëse ju nuk po e jetoni atë ungjill:
Një ungjill po shkruan ti,
Nga një kapitull çdo ditë,
Me veprat që bën,
Dhe fjalët që thua.
Atë që shkruan njerëzit lexojnë,
Qoftë pa besim a e vërtetë,
Më thuaj, sipas teje,
Çfarë ungjilli do të jetë?1
- Zakonisht i atribuohet Paul Gilbert-it. ↩︎