“…toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të hash frytin e saj me mund tërë ditët e jetës sate.” ZANAFILLA 3:17
Vuajtja nuk është e panjohur për askënd. Qoftë kjo vdekja e një të afërmi, një diagnozë e rëndë, një konflikt në punë, një marrëdhënie e prishur, apo çdo gjë tjetër e ngjashme me këto, sprovat nuk përjashtojnë jetën e askujt. Në të gjithë Shkrimin, ne shohim tregime të panumërta vuatjeje. Ndërkohë që e jetojmë jetën dhe lexojmë Biblën tonë, bëhet pakundërshtueshmërisht e qartë se vuajtja është pjesë e ekzistencës njerëzore.
Sapo ta pranojmë këtë realitet, një nga pyetjet më kritike që bëjmë, është “Pse?”. Pse vuajnë njerëzit? Të gjitha fetë dhe botëkuptimet përpiqen të japin përgjigjet e tyre: “Dhimbja është thjesht iluzion”; “Nuk ka Perëndi; dhimbja nuk ka kuptim”; “Dhimbja është jashtë kontrollit të Perëndisë”; “Dhimbja është shpagim për veprat e së shkuarës në këtë jetë apo në jetën e mëparshme”. Të gjitha ato përgjigje kanë diçka të përbashkët: ato nuk na ofrojnë aspak shpresë. Mirëpo Vetë Perëndia na ofron një përgjigje më të mirë.
Edhe pse Ai mund ta kishte ndaluar Satanin, në mënyrë që ai të mos mashtronte, ose të mos kishte lejuar që Adami dhe Eva të mashtroheshin, ose madje ta kishte ndaluar gjithë vuajtjen. Përkundrazi, Perëndia zgjodhi ta përdorte vuajtjen për t’u mësuar burrave dhe grave kuptimin e dashurisë së vullnetshme dhe të bindjes së vërtetë, si dhe nevojën e tyre për një Shpëtimtar. Vetë liria jonë e bën të mundur nxënien e këtij mësimi. Perëndia nuk na krijoi që të ishim makineri. Ai donte që ne t’i shërbenim Atij lirisht dhe me dashuri, jo me forcë apo si detyrim. Megjithatë, në mënyrë tragjike, në atë liri, njerëzimi zgjodhi jetën e ndarë prej Tij, dhe kjo pati pasoja të tmerrshme. Kur mëkatojmë, ne tregojmë se nuk jemi të ndryshëm nga paraardhësit tanë të parë.
Perëndia e dinte se burrat dhe gratë kishin nevojë që të ballafaqoheshin me të vërtetën që rebelimi kundër Tij është marrëzi. Ja pse Ai i dëboi larg nga pema e jetës në Eden (Zanafilla 3:22-24). Ja pse bota nuk funksionon më ashtu siç u krijua që të funksiononte — dhe po kështu edhe trupat tanë (v. 16-19). Ashtu si një fëmijë rebel që e kupton marrëzinë e zgjedhjes së vet, kthehet me dëshirë në shtëpi, duke e vlerësuar edhe më shumë familjen, edhe ne mund të kthehemi lirshëm te Perëndia, duke e dëshiruar fort dashurinë e Tij. Perëndia lejoi që mëkati të hynte në botë me gjithë tmerrin e tij, që ne të mund t’i ndienim pasojat e zgjedhjeve tona dhe të mësojmë ta duam Atë edhe më tepër, ndërkohë që Ai e shfaq bukurinë e dashurisë së Tij në një botë të ligë.
Në mënyrë të shkëlqyer, C. S. Lewis-i e tha me këto fjalë: “Perëndia na pëshpërit në kënaqësitë tona, na flet në ndërgjegjen tonë, por na këlthet në dhimbjen tonë. Dhimbja është megafoni i Tij për të zgjuar një botë të shurdhër.”1
Perëndia nuk është autori i ligësisë, mirëpo Ai është sovran mbi të. Prandaj, ne mund të kemi këtë shpresë: do të vijë një ditë kur Perëndia do t’i japë fund gjithë ligësisë. Ndërkohë, Ai ka vendosur t’i lërë gjërat siç janë, në mënyrë që, përmes sprovave tona, të mund të mbahemi fort te Shërbëtori i Përvuajtur si Shpëtimtari ynë. Mos lejoni që zhgënjimet tuaja për jetën në një botë të rënë t’ju kandisin se Perëndia nuk është i pranishëm apo se Ai nuk kujdeset për ju. Përkundrazi, lërini ato që t’ju çojnë vazhdimisht te Shpëtimtari juaj, i cili premton se një ditë do t’i japë fund gjithçkaje të gabuar dhe shpalos para jush një përjetësi të tërë, në të cilën gjithçka është ashtu siç duhet të jetë.
- The Problem of Pain (Harper Collins, 2001), f. 91. ↩︎