“…ecni në të, duke pasë qenë të rrënjosur dhe duke u ndërtuar në të, dhe duke u përforcuar në besim, ashtu siç morët mësim, duke mbushulluar me falënderim.” KOLOSIANËVE 2:6-7
Nëse vijmë vërdallë me një gotë të mbushur plot dhe, papritur, dikush përplaset me ne, çfarëdo që të jetë brenda saj, do të derdhet. I njëjti parim vlen edhe për karakterin tonë: nëse jemi të mbushur me hidhërim, mosmirënjohje, smirë ose xhelozi, atëherë nuk do të duhet ndonjë “përplasje” e madhe që ajo e cila është brenda nesh, të vërshojë jashtë.
Sikurse u shkroi Pali edhe të krishterëve kolosianë, ai i inkurajoi që të karakterizoheshin nga një zemër mirënjohëse — një karakteristikë thelbësore e jetës së krishterë. Forma foljore “duke mbushulluar”, të cilën Pali e përdor për ta përshkruar këtë mirënjohje, vjen nga fjala shumë e zakonshme greke, perisseuo. Në vende të tjera në Shkrim dhe në përkthime të tjera në anglisht, rrënja e kësaj fjale përkthehet si “duke u kapërderdhur”. Kuptimi i Palit është i qartë: ai i udhëzoi që kur njerëzit të “përplaseshin me” këta besimarë, ajo që do të derdhej prej këtyre të fundit, duhej të ishte falënderimi.
Kur burrat dhe gratë nuk janë transformuar nga Krishti, shpesh jeta e tyre karakterizohet nga mosmirënjohja bashkë me pasojat e saj, të cilat janë hidhërimi, ankesa, zemërimi dhe keqdashja. Megjithatë, në Krishtin, besimtarët e këmbejnë mosmirënjohjen me falënderim, hidhërimin me gëzim dhe zemërimin me paqe. Pasi kemi dëgjuar për hirin e Perëndisë në gjithë të vërtetën e tij dhe pasi jemi kthyer tek Ai me pendim dhe besim, tani mëkatet tona janë falur. Fryma tani banon në ne. Tani kemi një familje të re në kishën e Perëndisë. Tani na pret jeta e përjetshme. Përmes lutjes, ne kemi hyrje në dhomën e fronit qiellor. Me fjalë të tjera, ne kemi shumë arsye për të qenë falënderues. Falënderimi bëhet kënga dhe mbushullia e të krishterit.
Ky lloj falënderimi ka efekte domethënëse. Ai e kthen vështrimin tonë te Perëndia, duke e larguar kështu nga vetja jonë dhe nga rrethanat tona. Falënderimi na mbron nga pëshpëritja e djallit, e cila na shtyn drejt dëshpërimit dhe mosbesimit për atë që ka thënë Perëndia. Falënderimi na mbron gjithashtu edhe nga krenaria dhe na bën që t’i heqim nga fjalori ynë fraza si “Unë meritoj më shumë se kaq” ose “Nuk e meritoj këtë”. Po ashtu, ai na jep mundësi që të prehemi në njohurinë që Perëndia i përmbush qëllimet e Tij të dashura jo vetëm në përjetimet e këndshme dhe inkurajuese, por edhe në ato që janë trazuese dhe të dhimbshme. Vetëm me anë të hirit, ne mësojmë t’i bindemi nxitjes “Në gjithçka falënderoni…” (I Selanikasve 5:18, theksimi i shtuar).
Kundërhelmi për mungesën e falënderimit gjendet vetëm në bashkimin me Krishtin. A sheh në veten tënde ndonjë mbetje mosmirënjohjeje për atë që Perëndia ka zgjedhur të mos të ta japë? Sille atë te këmbët e kryqit, kërko faljen e Krishtit dhe lutu që Ai të të ndihmojë të shohësh të gjitha ato që të janë dhënë falas në ungjillin e Tij. Çdo ditë cakto kohë për t’i shkruar dhe për t’ia kujtuar vetes bekimet që ke marrë nga Perëndia. Atëherë do të jesh me të vërtetë i tejmbushur me falënderim.