“Dhe ashtu siç është caktuar për njerëzit që të vdesin një herë, dhe mbas kësaj vjen gjyqi, kështu edhe Krishti, si u ofrua një herë për të mbartur mëkatet e të shumtëve, do të duket për së dyti, pa mbartur mëkat, për ata që e presin me padurim për shpëtim.” HEBRENJVE 9:27-28

Statistika më e sigurt është që 100 përqind e njerëzve vdesin. Vdekja është gjëja e vetme e sigurt në jetë. Si të krishterë, edhe pse mund të kemi frikë prej kësaj gjëje, nuk ka pse të kemi frikë nga rezultati i saj.

Nuk ka pse të kemi frikë për këtë arsye: Jezusi nuk erdhi thjesht që ta shtonte lumturinë tonë ose të na ngrinte në një nivel më të lartë në jetë, apo të na jepte më shumë pasuri tokësore, por Ai erdhi për të shpëtuar mëkatarët dhe për të na shpëtuar nga gjykimi.

Bibla na mëson se gjykimi i Perëndisë dhe ndëshkimi i përjetshëm do të bien mbi ata që nuk i kanë emrat të shkruar në Librin e Jetës (Zbulesa 20:11-15). Prandaj, si mund të jemi të sigurt që emrat tanë do të jenë në faqet e atij libri? Ka vetëm një mënyrë: duke besuar në Zotin Jezus. Ne duhet të shohim drejt Krishtit, i cili do t’i falë dhe do t’i drejtësojë falas ata që vijnë tek Ai me pendim dhe besim. Të vish te Jezusi ka të bëjë me më shumë se thjesht pranimin intelektual, edhe pse ai është i nevojshëm. Nuk mjafton që thjesht të biem dakord mendërisht me doktrinën e krishterë. Ne duhet të pranojmë dështimin tonë për ta trajtuar Perëndinë në mënyrën e duhur. Ne e kemi mohuar dhe e kemi sfiduar Atë. Ne duhet t’ia dorëzojmë jetën tonë autoritetit të Tij të dashur dhe të mbështetemi plotësisht mbi atë që Krishti arriti në kryq, që kështu të pranohemi para Perëndisë.

Thelbi i çështjes nuk është nëse besojmë fakte të caktuara në lidhje me Jezusin ose Biblën, apo nëse e kemi pastruar tashmë stilin tonë të jetës. Çështja është kjo: A kemi arritur ndonjëherë në atë pikë etjeje frymërore sa të kemi thënë: “Zot Jezu Krisht, më jep ujin Tënd të gjallë, që të mos kem më etje”?

Po sikur Jezusi të mos na pranojë? Por sikur të mos jetë e thënë që të jemi në Librin e Jetës? Jezusi e trajtoi Vetë këtë frikë me një premtim, duke thënë: “…atë që vjen tek unë, nuk do ta nxjerr kurrë jashtë” (Gjonit 6:37).

A e dallon mirësinë e ftesës së Perëndisë ndaj teje? A e ke dëgjuar thirrjen e Perëndisë për të gjetur strehim në Jezusin? A e dëgjon atë sërish çdo ditë dhe a gjen strehë nën hijen e krahëve të Tij (Psalmi 57:1)? Thënçim edhe ne bashkë me shkrimtarin e himnit:

Siç isha erdha te Jezusi,
I lodhur, i këputur dhe plot trishtim;
Në Të e gjeta prehjen time,
Ai ma mbushi zemrën me gëzim.1

Nëse kemi gjetur strehë në Birin, ne mund ta dimë me siguri se Ai i ka mbartur mëkatet tona në vdekjen e Tij dhe se, kur Ai të kthehet, ne nuk do të përballemi me një dënim të frikshëm, por me një mikpritje të lavdishme. Atëherë mund ta dëgjojmë të vërtetën se “është caktuar për njerëzit që të vdesin një herë” dhe zemra jonë të jetë ende në paqe.

  1. Horatius Bonar, “I Heard the Voice of Jesus Say” (1846). ↩︎