“…të gjitha këto bekime do të bien mbi ty dhe do të të zënë në rast se dëgjon zërin e ZOTIT, Perëndisë tënd… Por në rast se nuk i bindesh zërit të ZOTIT, Perëndisë tënd, për të respektuar me kujdes të gjitha urdhërimet dhe të gjitha statutet e tij që sot të urdhëroj, do të ndodhë që të gjitha këto mallkime do të bien mbi ty dhe do të të gjejnë.” LIGJI I PËRTËRIRË 28:2, 15

Në fushat e Moabit buzë lumit Jordan, izraelitët më në fund ishin në prag të hyrjes së tyre në tokën që Perëndia u kishte premtuar. Moisiu i foli popullit për herë të fundit, duke u përpjekur të sigurohej që ata të mos e prishnin marrëdhënien e tyre me Perëndinë përmes mosbindjes së tyre, siç kishte bërë brezi i kaluar. Ai u kujtoi atyre atë që Perëndia kishte thënë dhe kishte bërë në të shkuarën, dhe i këshilloi ata mbi bazën e ndërhyrjes madhështore të Perëndisë dhe të besnikërisë së Tij ndaj besëlidhjes, që të ishin një popull i veçuar për Perëndinë.

Përmes udhëzimeve të Moisiut, Perëndia vendosi përpara popullit të Tij dy zgjedhje shumë të ndryshme — dhe sigurisht që rrjedhojat ishin shumë të mëdha. Ai u dha premtimin e bekimit dhe pastaj u dha një fjalë paralajmërimi. Ai u bëri një pyetje shumë të thjeshtë: Si do të jetonin ata? A do ta respektonin besëlidhjen dhe të gëzonin bekimin e Tokës së Premtuar, apo nuk do të bindeshin dhe kështu të dëboheshin nga Toka e Premtuar?

Populli që ishte mbledhur në kufijtë e tokës, duhet ta ketë dëgjuar fjalën e Perëndisë dhe të ketë thënë: Oh, jo, ne kurrë nuk do të tregojmë një mosbindje e tillë! Megjithatë, shkojmë disa qindra vjet përpara dhe ku i gjejmë ata? “Atje, pranë lumenjve të Babilonisë, rrinim ulur dhe qanim, duke kujtuar Sionin… Si mund të këndonim këngët e ZOTIT në një vend të huaj?” (Psalmi 137:1, 4). Robër të një populli të huaj, izraelitët hedhin vështrimin pas dhe vrasin mendjen se si përfunduan në atë gjendje.

Si krijesa që jetojmë në një botë të rënë, ju dhe unë jemi shumë të cenueshëm, të tunduar dhe të sprovuar. Ne jemi gjithmonë vetëm një vendim larg nga mosbindja dhe nga braktisja e Perëndisë. Ne kemi një nevojë shumë të madhe për hirin mbështetës të Perëndisë. Tragjikisht, shumë prej atyre që dikur dukeshin të devotshëm, të përkushtuar dhe po shkonin drejt Tokës së Premtuar, tani thjesht janë penguar; ata janë rrëzuar në mosbesim. Gabimi më i rëndë që mund të bëjmë, është të mendojmë: “Oh, jo, kjo nuk do të më ndodhë kurrë mua!”.

Të Ligut i pëlqen të vijë dhe të na thotë se arsyeja pse Perëndia na e ka dhënë ligjin e Tij dhe pse i ka caktuar urdhërimet e Tij, është sepse Ai dëshiron të sjellë mjerim në jetën tonë, të na privojë nga argëtimi dhe t’i mbushë ditët tona me zemërthyerje dhe dhimbje. Kjo është gënjeshtra më e madhe nga të gjitha. Perëndia na e jep fjalën e Tij për të mirën tonë! Të gjitha paralajmërimet e Shkrimit na janë dhënë për të na rrethuar dhe për të na shpuar kur jemi buzë rrënimit. Të gjitha premtimet e Shkrimit na janë dhënë për të na ngritur lart kur jemi të druajtur dhe të pasigurt. Të gjitha urdhërimet e Shkrimit na janë dhënë për të na udhëhequr në bekimin e jetës së jetuar sipas udhës së Perëndisë, në praninë e Tij dhe në botën e Tij. Përkushtimi i Tij ndaj së mirës sonë duket më qartë në faktin që Biri i Tij erdhi për të mbajtur mallkimin e mosbindjes sonë, që ne të mund të shijojmë bekimin që Ai, dhe vetëm Ai, e meriton.

A e do Perëndinë? A e di se Perëndia të do? Atëherë vërjua veshin paralajmërimeve të Tij, bindju urdhërimeve të Tij dhe çmoji ngushëllimet e premtimeve të Tij.