“Dhe duke u përgjigjur, Jezusi u tha atyre: ‘Kini besim në Perëndinë! Me të vërtetë po ju them se cilido që t’i thotë këtij mali “ngrihu e hidhu në det!” dhe të mos dyshojë në zemrën e vet, por të besojë se çfarë flet ndodh, do të bëhet për të. Për këtë arsye po ju them: Për të gjitha sa luteni dhe kërkoni, besoni se i morët, dhe do të bëhen për ju.’” MARKU 11:22-24

Kur të lexojmë Biblat tona, ne do të hasim vargje të cilat duken shumë të qarta dhe të lehta për t’u kuptuar menjëherë. Nga ana tjetër, ka edhe vargje si ky!

“Për të gjitha sa luteni dhe kërkoni, besoni se i morët, dhe do të bëhen për ju”, thotë Jezusi. Në thelb, ne tundohemi ta anashkalojmë atë që thonë këto fjalë. Ne përpiqemi t’i groposim ato nën njëqind sqarime. Keqzbatimi i vargjeve si ky i ka trembur aq shumë disa prej nesh, saqë zor se i kushtojmë vëmendje inkurajimit dhe sfidës që ato përmbajnë.


Në këtë urdhërim të guximshëm, Jezusi u kujtoi ndjekësve të Tij që t’i besonin Perëndisë, sepse, në fakt, është themeli i besimit në Perëndinë që i jep rëndësi atij besimi. Ne nuk duhet të kemi besim në besimin ose besim në veten tonë, por besim vetëm në Perëndinë.


Metafora që përdori Jezusi — ajo për dikë që e urdhëron malin të hidhet në det — ndoshta ishte e njohur për dishepujt; kjo ishte e ngjashme me një shprehje të zakonshme rabi nike, për të arritur diçka që dukej e pamundur.1 Dishepujt nuk do ta kishin keqkuptuar Jezusin sikur ai po sugjeronte që ata mund ta hidhnin Malin e Ullinjve në Detin e Vdekur mbi një mijë e dyqind metra më poshtë, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ata do t’i kenë kuptuar fjalët e tij si një deklaratë proverbiale që tregonte se Perëndia dëshiron të bëjë gjëra të jashtëzakonshme për fëmijët e Tij.


Në të gjithë Librin e Veprave të Apostujve, ne zbulojmë prova të gjalla të mësimit të Jezusit mbi besimin dhe lutjen. Që në fillim, kur një lypës i çalë i kërkoi para Pjetrit dhe Gjonit, Pjetri i tha të çohej dhe të ecte (Veprat e Apostujve 3:6). Ndoshta teksa po i fliste këtij burri, Pjetri po kujtonte fjalët e Jezusit dhe po mendonte me vete: “Për të gjitha sa luteni dhe kërkoni… besoni…”

Kur Perëndia është objekti i besimit tonë, ne mund të kemi një besim të guximshëm — një besim që realisht beson se e pamundura është e mundur me Të. Ne mund ta dimë se po flasim me dikë që është në gjendje për të bërë shumë më tepër sesa mund të imagjinojmë (Efesianëve 3:20-21). Në thelb, Jezusi na thotë: Dua që ju të luteni në një mënyrë që tregon se, në fakt, ju besoni në një Perëndi i cili është shumë i urtë për të bërë gabime, i cili është shumë i mirë për të qenë mizor dhe i cili është shumë i pushtetshëm për t’u mposhtur nga forcat normale të gjithësisë.


Mos i lini mënjanë këto vargje me një mijë sqarime. Thjesht mbajini para syve tuaj për një çast. Kënaquni me të vërtetën që Perëndia është në gjendje për të bërë gjëra përtej asaj që mund të imagjinoni. Prehuni në realitetin që Ai nuk e njeh të pamundurën. Dhe pastaj lutuni.

  1. Alfred Edersheim, The Life and Times of Jesus the Messiah (Longmans, Green, and Co., 1898), vëll. 2, f. 376 (poshtëshënim). ↩︎