“Se mëkati nuk do t’ju zotërojë, sepse nuk jeni nën Ligj, por nën hir.” ROMAKËVE 6:14

Në këtë jetë, ne nuk do të përjashtohemi kurrë nga tundimet. Në fakt, sa më shumë plakemi, aq më tepër zbulojmë se të njëjtat tundime — shpesh të maskuara ndryshe — janë duke na ndjekur, duke na kafshuar thembrat, në përpjekje për të na rrëzuar. Sikur të mos mjaftonte kjo, ato tundime shpesh shoqërohen nga një tufë tundimesh të reja!

Po, tundimi është realitet dhe ai është i pashmangshëm. Mirëpo pse është kështu?

Arsyeja e parë është se i njëjti hir që na pajton me Perëndinë, gjithashtu, na bën të jemi kundërshtarët e djallit, për të cilin Shkrimi na thotë se na e mbushi mendjen që ishte miku ynë para se ne të besonim në Krishtin. Kur hiri i Perëndisë na bën miqtë e Tij, në të njëjtën kohë na bën edhe armiq të armikut të Tij të madh. Edhe pse i Ligu nuk mund ta pengojë dot Perëndinë që ta shpëtojë popullin e Tij, ai do të bëjë çdo përpjekje — domethënë, do të sjellë çdo tundim — për të na kundërshtuar pasi të jemi shpëtuar.

Së dyti, kur lindim sërish, mëkati nuk ka më pushtet mbi ne, por ai vazhdon të luftojë kundër shpirtit tonë — dhe tundimi është një nga armët e tij më të mëdha. Ne tundohemi nga bota: gjithçka aty jashtë që na thotë: “Nëse mund ta arrish këtë, ti do të jesh i lumtur dhe do ta shijosh jetën.” Ne, gjithashtu, tundohemi edhe nga mishi ynë. Natyra jonë e vjetër mëkatare — e cila ende vazhdon të jetë e pranishme brenda nesh në këtë jetë të tanishme, edhe pasi ne besojmë në Krishtin — lufton një betejë të ashpër në praparojë kundër natyrës sonë të re.

Megjithatë, pavarësisht se sa të forta mund të jenë ftesat e të Ligut — dhe sigurisht që ato janë të forta — në vetvete, ato nuk e kanë fuqinë për të na bindur që t’i dorëzohemi tundimit. Djalli ka pushtet për ta sjellë botën te ne, mirëpo ai nuk e ka pushtetin për të na bërë të mëkatojmë.

Prandaj, mos u paralizo nga frika dhe as mos u bëj i vetëkënaqur në lidhje me tundimet me të cilat përballesh. Në luftën tënde kundër tundimit, nuk ka pse të vrasësh mendjen nëse do të fitosh apo do të humbasësh. Perëndia tashmë ka shpallur shah mat, sepse, siç shkruan edhe Gjoni: “…më i madh është ai në ju sesa ai në botë” (I e Gjonit 4:4). Ajo luftë ka marrë fund dhe fitorja është e sigurt. Ende mund të ketë beteja, mirëpo ato nuk mund ta ndikojnë rezultatin përfundimtar të luftës.

Me cilat tundime po përpleshesh në këtë kohë apo po u dorëzohesh? Kalo disa çaste për t’i identifikuar ato. Pastaj ngushëllohu në këtë gjë sot: pavarësisht se sa të fuqishme që mund të jenë ato tundime, djalli është një armik i mundur dhe Jezu Krishti mbretëron fitimtar! Fuqia e Tij në ty është e mjaftueshme për të të aftësuar që ta luftosh tundimin dhe vdekja e Tij për ty është e mjaftueshme që Perëndia të të falë!