“Dhe pashë qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, duke zbritur prej qiellit nga Perëndia…” ZBULESA 21:2

Në Jezusin, Perëndia ka ardhur nga qielli dhe ka zbritur te ne — dhe në fund të të gjitha gjërave, qyteti i shenjtë, Jerusalemi i ri, do të zbresë gjithashtu prej qiellit nga Perëndia.

Perëndia po përgatit një Jerusalem të ri, i cili do të përbëhet nga të gjithë besimtarët e të gjitha epokave dhe popujve — nga njerëz si ju dhe unë. Ne do të jemi banorë të qytetit dhe do të jetojmë në harmoni të plotë me njëri-tjetrin; do të shohim frytyrën e Perëndisë dhe do të vulosemi si njerëz që i përkasim Atij (Zbulesa 22:4). Kjo shoqëri do të jetë një turmë aq e madhe dhe madhështore, saqë askush nuk mund ta numërojë dot, dhe qytetarët e saj do të vijnë prej çdo kombi, fisi, populli dhe gjuhe (7:9).

Përshkrimi i kësaj turme të panumërt u dha si burim shprese dhe inkurajimi për kishën në kohën e apostullit Gjon, dhe i tillë duhet të jetë edhe për ne. Kisha e hershme ishte shumë e vogël në numër — shumë e parëndësishme sipas standardeve njerëzore — sikurse ka qenë edhe në shumë epoka gjatë gjithë historisë. Mirëpo Gjoni na thotë se, në fakt, kisha është shumë herë më e madhe, më e gjerë dhe më e rëndësishme sesa mund ta imagjinojmë ndonjëherë, pasi anëtarët e saj janë qytetarë të Jerusalemit të ri, që po udhëtojnë si shtegtarë drejt atij qyteti, derisa të qëndrojnë në rrugët e tij.

Një ditë, në atë qytet, besimtarë të panumërt do të adhurojnë bashkë dhe ne do të jemi dëshmitarë të përmbushjes përfundimtare të premtimit që Perëndia i bëri Abrahamit: “Pastaj e çoi jashtë dhe i tha: ‘Vështro me kujdes qiellin dhe numëro yjet në rast se mund t’i numërosh’… ‘Kështu ka për të qenë pasardhja jote’” (Zanafilla 15:5).

Tani për tani, krijimi karakterizohet nga përçarja dhe rrëmuja. Ne jemi të ndarë nga gjuhët, kombësia dhe kultura — nga armiqësitë e lashta dhe nga dyshimet e kohëve të fundit. Megjithatë, një ditë, e gjitha kjo do të zhbëhet. Perëndia po mbledh bashkë një komunitet të ri — një qytet me shumë raca dhe kultura nën sundimin dhe mbretërimin e Tij. Kur më në fund të jemi mbledhur të gjithë bashkë, ndërkohë që qielli do të zbresë mbi tokë dhe njerëzit e Krishtit do të ringjallen për të banuar në të, ne do të bashkohemi nga ungjilli i Jezu Krishtit, për shkak se ungjilli është për kombet.

A mund ta imagjinoni dot një ditë si kjo? Jo, jo plotësisht, sigurisht — ama, po, mjaftueshëm sa për t’ju ngritur në mes të sprovave dhe trysnive të kësaj jete, dhe për t’ju bërë që t’i hidhni tej të gjitha ato që ju pengojnë (Hebrenjve 12:1-2). Kjo botë nuk është shtëpia juaj; mirëpo një ditë, qyteti qiellor do të zbresë dhe ai do të jetë shtëpia juaj. Një ditë do ta shihni me të vërtetë atë që Gjoni e pa në vegimin e tij dhe atëherë do të jeni në shtëpi.