“…Atëherë ajo [Ruthi] erdhi ngadalë, i zbuloi këmbët dhe u shtri. Aty nga mesnata ai u zgjua përnjëherësh dhe u kthye; ja, një grua ishte shtrirë te këmbët e tij.” RUTHI 3:7-8
Jeta e krishterë nuk jetohet në një zonë rehatie. Te Ruthi 3, ne shohim që Ruthi ndërmerr një rrezik të madh teksa i afrohet Boazit për t’i kërkuar që ai të kujdeset për të si bashkëshorten e tij. Ajo, një grua pa burrë, shkoi në mes të natës në një lëmë të mbushur me burra, pasi kishin mbaruar festën e të korrave. Sapo Boazin e zuri gjumi, Ruthi shkoi tek ai në mes të natës dhe i zbuloi këmbët. Nëse do të kishte bërë një gabim apo ta kishin zbuluar, nuk e dimë se çfarë mund t’i kishin bërë këta burra apo se çfarë mund të kishin thënë njerëzit në lidhje me motivet e saj.
Këto ngjarje duken të çuditshme për sytë e shekullit të 21-të, mirëpo veprimet e pazakonta të Ruthit demonstrojnë një besim të sinqertë në kujdesin dhe mbrojtjen e Perëndisë. Në ligjin e Tij, Perëndia kishte udhëzuar që Boazi mund të vepronte si një i afërm shpengues — si mbrojtës dhe sigurues — për Ruthin. Në provaninë e Tij, Perëndia e kishte udhëhequr Ruthin në arën e Boazit, ku ai i kishte treguar asaj favor. Historia e saj na tregon vazhdimisht se si Perëndia sundon me provaninë e Tij mbi të gjitha rrethanat e paparashikueshme, për lavdinë e Tij dhe për mirëqenien e popullit të Tij.
Sikurse Ruthi, edhe ne, me raste, do të ballafaqohemi në jetë me rrethana në të cilat nuk mund të shohim dot përtej hapit të radhës. Shumë prej nesh janë të tunduar që të qëndrojnë në dhomën e pritjes, derisa të gjitha hollësitë të duken disi të qarta dhe të njohura. Ne duam të ndihemi të sigurt dhe t’i kemi gjërat nën kontroll. Megjithatë, nëse këmbëngulim që të mos lëvizim kurrë derisa të ndihemi gati, jeta jonë nuk do të demonstrojë shumë përparim frymëror dhe nuk do të shohim shumë nga puna e mrekullueshme e Perëndisë. Frika se mos shkojmë në drejtimin e gabuar na paralizon dhe nuk lëvizim fare.
Kur nuk kemi mundësi për të parë më larg se hapi i radhës ose kur në jetën tonë përballemi me kohë pasigurie — të cilat do të vijnë! — ne duhet t’i besojmë Perëndisë dhe të veprojmë mbi bazën e së vërtetës së fjalës së Tij dhe të besojmë në drejtimin e Frymës së Tij. Plani i Ruthit nuk ishte i pagabueshëm dhe i sigurt, megjithatë, ajo shkoi përpara, pasi i besonte Perëndisë, i cili e kishte treguar vazhdimisht besnikërinë e Tij ndaj saj.
A ke nevojë që të fillosh dhe të mendosh kështu? A ke nevojë që të shohësh përtej caqeve të zonës sate të rehatisë dhe drejt asaj që Perëndia mund të jetë duke të të thirrur? Nëse Ruthi ishte e motivuar nga besimi dhe bindja, çfarë të motivon ty? Çfarë ka në jetën tënde, pikërisht në këtë çast, që tregon besim? Mund të duhet të marrësh një vendim, të shkosh diku, të përqafosh një nismë ose të bësh një bisedë, për të cilat nuk i di të gjitha rrjedhojat, dhe gjithë sa mund të thuash është: “Nuk e kam idenë se si do të dalë kjo gjë, mirëpo kjo është ajo që Perëndia po më thërret të bëj.” Në këto situata, fjala e Perëndisë të bën thirrje që të veprosh me urtësi dhe pastaj të ecësh me besim, hap pas hapi, duke u mbështetur plotësisht tek Ai që vdiq për ty dhe i cili të premton se do të jetë me ty “të gjitha ditët, deri në përfundimin e epokës” (Mateu 28:20). Mos ia beso jetën tënde sigurisë së zonës sate të rehatisë, por udhëzimit të dorës së provanisë së Tij.