“Dhe ndërsa Pali po i priste në Athinë, po i acarohej fryma brenda tij ndërsa vërente qytetin që ishte plot me idhuj. Kështu, ai dialogonte në sinagogë me judenjtë dhe me ata që adhuronin Perëndinë, dhe në sheshin e tregut për çdo ditë me ata që rastisnin aty. Tani, edhe disa nga filozofët epikurianë dhe stoikë bashkëbisedonin me të…” VEPRAT E APOSTUJVE 17:16-18
Kur po u fliste intelektualëve të kohës së vet në qytetin e Athinës, Pali zbuloi se dëgjuesit e tij ishin të ndikuar nga dy ide themelore: stoicizmi dhe epikurizmi. Stoicizmi pohon se ngjarjet e botës janë përcaktuar nga fati i pamëshirshëm, i ftohtë dhe jopersonal, kurse epikurizmi mëson se e mira përcaktohet nga ajo që të sjell më shumë kënaqësi. Asnjë nga këto filozofi nuk vlen për bijtë e Perëndisë të Gjithëpushtetshëm.
Një nga tiparet më dalluese të krishterimit është mënyra se si ne jemi në gjendje për ta artikuluar pikëpamjen tonë për botën. Ndryshe nga pjesa më e madhe e kulturës rreth nesh, ne e dimë se ditët tona janë në duart e Perëndisë (Psalmi 31:15) — se as nuk jemi zënë në kthetrat e forcave të verbra dhe as nuk jemi duke u hedhur andej-këndej në oqeanin e rastësisë. Pavarësisht nëse njerëzit tërhiqen në marksizëm, hinduizëm, nihilizëm ose një nga filozofitë apo fetë e tjera të panumërta, të gjithë ballafaqohen me pyetje dhe pasiguri në lidhje me besimet e tyre. Mos janë kapur vallë në përleshjen për një shoqëri pa klasa apo në një cikël lindjeje dhe vdekjeje që nuk ka fund? Ndoshta janë të bindur se jeta nuk ka fare kuptim. Nuk ka rëndësi se cilat janë pyetjet apo besimet e dikujt, Perëndia siguron çdo përgjigje për të cilën ai ka nevojë. Në vend që të jetojmë një jetë të kapur nga fati i pakuptimtë dhe që nuk do t’ia dijë, ose nga pasiguria e pafundme, ne si besimtarë tani jetojmë me një shpresë që nuk na zhgënjen. Edhe ne, si Pali, tani jemi administratorë të të gjitha përgjigjeve që Perëndia na ka dhënë përmes fjalës së Tij — përgjigje të cilat duhet t’i ndajmë me botën. Ai na ka dhënë një siguri të madhe dhe emri i Tij është Jezus.
Prandaj, çështja nuk është nëse kemi një mesazh që mund t’u përgjigjet ëndjeve më të thella të çdo njeriu dhe kundërshtimeve të ndryshme të çdo filozofie apo feje tjetër: pasi realisht e kemi. Çështja është nëse do ta ndajmë atë mesazh. Kur Pali ishte në Athinë, ai pa atë që të tjerët nuk e panë. Ai nuk u kënaq me ndërtesat mbresëlënëse apo të mahnitej nga fama intelektuale e qytetit. Ai pa një qytet të humbur në adhurimin e idhujve dhe “po i acarohej fryma brenda tij”, pasi çdo herë që adhurohet një idhull, Zoti Jezus privohet nga lavdia që vetëm Ai e meriton. Dhe “kështu” pa kurrfarë konsiderate për reputacionin e tij, Pali dialogoi me banorët e qytetit dhe u shpalli atyre ungjillin e shpresës së ringjalljes (Veprat e Apostujve 17:18).
Pavarësisht se ku jetoni, në një mënyrë apo një tjetër ju e gjeni veten në një Athinë të kohëve moderne. Cilët janë idhujt që adhurohen nga njerëzit rreth jush? A acarohet fryma juaj nga kjo gjë? Ju keni një përgjigje që e kënaq ëndjen njerëzore në një mënyrë që nuk mund ta bëjë dot asnjë idhull. Ju mund të keni një mundësi për t’i sjellë lavdi Perëndisë. Me kë mund të arsyetoni sot dhe t’i thoni: “A mund ta dallosh se ajo që po adhuron nuk do të të kënaqë? A mund të të paralajmëroj për faktin që po e shpërfill Perëndinë që sjell kuptim dhe shpresë, por që nuk lejon që njerëzit të tallen me të? A mund të t’i tregoj përgjigjet që kam gjetur qëkur kam njohur Jezu Krishtin?”.