“Dhe ju nxisim, vëllezër, hiquni vërejtje të çrregulltve, ngushëlloni zemërlëshuarit, mbështetni të dobëtit, kini durim me të gjithë.” I SELANIKASVE 5:14

Durimi është një virtyt madhështor. Mirëpo ai është edhe sfidë e madhe! Ndërsa apostulli Pal e përmbylli letrën e tij të parë që u drejtoi selanikasve, e bëri këtë gjë duke u dhënë një sërë parimesh shumë të çmuara. Secili prej tyre është si një marga­ritar në një varëse, një e vërtetë e mençur për ta mbajtur në qafë ndërsa gjejmë shte­gun tonë përmes kësaj jete (Fjalët e Urta 3:3). Një nga ato që spikat mes tyre është urdhërimi për të qenë të duruar.

Në greqisht, Pali përdor fjalën makrothumeo, që fjalë për fjalë do të thotë “zemërgjerë” dhe që Shkrimi zakonisht e përdor për të përshkruar karakterin e Perëndisë (për shembull, Romakëve 2:4; II Timoteut 1:16; Jakobi 5:10). Të kesh durim, do të thotë të mos tregohesh gjaknxehtë me ata që dështojnë. Pali na thotë që të kemi këtë lloj durimi ndërsa i trajtojmë ata që janë përtacë, ata që i ka lëshuar zemra dhe ata që janë të dobët. Kur takohemi me secilin prej tyre, neve na jepet mundësia për ta jetuar këtë parim të perëndishëm.

Si mund ta fitojmë këtë lloj durimi? Ky durim nuk na vjen natyrshëm! Prandaj, së pari, ne kemi nevojë që të shohim drejt Perëndisë. Ne kemi një Perëndi që është “i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim [makrothumeo] dhe i madh në mirësi” (Psalmi 103:8). Ai i sheh zemrat tona rebele, e megjithatë na fal. Ai i sheh dështimet tona të përsëritura, e megjithatë nuk heq dorë nga ne. Ai i sheh dyshimet dhe ankthet tona, e megjithatë tregohet i butë me ne. Ne jemi thirrur për të pasqyruar durimin e Tij. Prandaj, së dyti, ne kemi nevojë që t’i kërkojmë ndihmë Perëndisë. Ky durim i mbinatyrshëm është diçka të cilën vetëm Fryma e Tij mund ta prodhojë në jetën tonë. Për shembull, Pali u lut që kolosianët të fuqizoheshin “me çdo fuqi, sipas pushtetit të lavdisë së tij, për çdo qëndresë dhe durim, me gëzim” (Kolosianëve 1:11). Secili prej nesh ka nevojë për dikë që ta bëjë këtë lutje për ne, ashtu siç kemi nevojë që ta bëjmë edhe për veten tonë. Secili prej nesh duhet të bëjë të njëjtën gjë për të tjerët, pasi kjo është një lutje të cilën Perëndia mezi pret ta plotësojë. Kur fuqia e Perëndisë çlirohet në jetën tonë, ne mund të durojmë atëherë kur ndihemi sikur duam të heqim dorë, prandaj mund të tregojmë durim atëherë kur ndihemi sikur do të shpërthejmë në zemërim.

Si do të reagosh ti ndaj bezdive të jetës së përditshme — ndërkohë që je duke pritur në radhë në dyqan ose në semafor kur makina përpara teje nuk lëviz? Si do të reagosh ndaj vëllezërve dhe motrave të tua që rrinë kot, që i ka lëshuar zemra ose që janë të dobët? Në ato situata dhe me ata njerëz, qoftë motoja jote kjo fjalë e vetme durim. Njerëzve përreth teje nuk është se do t’u bëjë shumë përshtypje njohuria jote teologjike, por ata sigurisht që do të vënë re padurimin tënd, gjë e cila u komunikon që ti mendon se koha dhe interesat e tua janë më të rëndësishme se të tyret. Mirëpo, nga ana tjetër, ata do të vënë re edhe durimin tënd, i cili u tregon atyre se ti i çmon interesin dhe mirëqenien e të tjerëve mbi të tuat (Filipianëve 2:3) — pikërisht siç bën edhe Ati yt qiellor.

Nuk ka dyshim që sot do të kesh mundësi për të treguar durim hyjnor kur të tundohesh për të shfaqur padurim njerëzor. Në ato çaste, dallo se sa i pamasë është durimi i Perëndisë ndaj teje dhe me siguri që durimi yt ndaj të tjerëve do të rritet.