“Bëj çmos që ta paraqesësh veten tënde të aprovuar para Perëndisë, si punëtor i paturpëruar…” II TIMOTEUT 2:15
Për lavdërimin e kujt po jeton ti? Prej natyre, ne e dëshirojmë aprovimin e të tjerëve. Mirëpo si besimtarë, aprovimi që duhet të dëshirojmë më shumë se çdo gjë tjetër është aprovimi i Vetë Perëndisë. Ia vlen të ndalojmë dhe të mendojmë mbi të vërtetën e mahnitshme se ajo që bëjmë sot, mund t’i sjellë kënaqësi Perëndisë që mban në ekzistencë gjithësinë (I Selanikasve 4:1), dhe se, një ditë, ata që kanë jetuar me mish e me shpirt për Të, Ai do t’i mirëpresë me fjalët e mrekullueshme: “…Të lumtë, skllav i mirë dhe besnik!…” (Mateu 25:21, 23). Thjesht imagjinoni t’i dëgjoni ato fjalë t’ju thuhen juve nga buzët hyjnore!
Prandaj, në ç’mënyrë duhet të jetojmë si dikush i “aprovuar” nga Perëndia — “si punëtor i paturpëruar”?
Së pari dhe mbi të gjitha, ne duhet të vendosim ta mbajmë besimin deri në fund. Kur Pali ishte në fund të jetës së tij, ai i tha Timoteut, “Ndeshjen e mirë e kam bërë; garën e kam përfunduar; besimin e kam mbajtur” (II Timoteut 4:7). Jeta e Palit nuk u karakterizua nga hove të shkurtra entuziazmi, të pasuara nga periudha inercie kronike. Ai e kuptoi se gara e besimit ishte një maratonë për gjithë jetën.
Nuk do të donit të njiheshit për hove të vogla aty-këtu. Në mënyrë të veçantë, ne nuk duhet të jemi nga ata që e bëjnë punën e Perëndisë vetëm kur të krishterët e tjerë i shohin. Përkundrazi, duhet të vrapojmë fort çdo ditë, duke kujtuar që syri i Perëndisë është gjithmonë mbi ne.
Ndërsa këmbëngulim në besim, ne mund të kujtojmë që na është premtuar “kurora e drejtësisë”, e cila është “vënë mënjanë” për ne dhe “të cilën do të [na] japë Zoti, Gjykatësi i drejtë, në atë ditë” (II Timoteut 4:8). Duhet të kujtojmë që nuk vrapojmë me forcën tonë. Përkundrazi, duhet të kemi siguri të plotë “se ai që filloi në [ne] një punë të mirë, do ta përfundojë deri në ditën e Krishtit Jezus” (Filipianëve 1:6). Perëndia premton se kurrë nuk do të na lërë dhe as do të na braktisë kurrë në këtë udhëtim (Hebrenjve 13:5). Nëse vija e finisht duket sikur është shumë larg, ne jemi thirrur që të mos i mbajmë sytë te shiriti, por te Jezusi, duke e ngulur shikimin drejt “filluesit dhe përfunduesit të besimit” tonë (Hebrenjve 12:2).
Mos e nënvlerëso kurrë ndikimin e një jete të vetme që jetohet për lavdinë e Perëndisë. Merr parasysh çastin kur do të qëndrosh para Atit tënd qiellor si një punëtor i aprovuar dhe do të jesh në atë vend ku do të thuash me përulësi: “Zot, dua të bëj më të mirën për të njohur aprovimin tënd në jetën time. ‘Jam vetëm një, ama jam një. Atë që mund ta bëj, duhet ta bëj. Dhe atë që duhet ta bëj, me hirin e Perëndisë do ta bëj.’”1
- I atribuohet Edward Everett Hale-it. ↩︎