“Prandaj, duke ngjeshur ijët e mendjes suaj dhe duke qenë të esëllt, shpresoni plotësisht në hirin që do të sillet mbi ju në zbulesën e Jezu Krishtit.” I E PJETRIT 1:13
Trajnimi për t’u bërë pilot përfshin orë të tëra përgatitjeje intensive. Një pjesë e këtij trajnimi ndodh në simulator, ku intensiteti i trajnimit është aq i lartë sa të stërmundon dhe të bën të djersitesh. Pse i nënshtrohen pilotët një trajnimi kaq rigoroz? Në mënyrë që të mësojnë se si të marrin vendimet e duhura kur kjo ka më shumë rëndësi.
Kur bëhet fjalë për dëlirësinë, shpesh ndodh që njerëzit të bien në mëkat, për shkak se përpiqen të marrin vendime jetësore pa u menduar dhe nisur nga ndjenjat e çastit. Mirëpo kjo nuk funksionon. Nëse duam ta ruajmë pastërtinë, ne kemi nevojë që të bëjmë zgjedhje që më parë dhe mbi bazën e fjalës së Perëndisë.
Ja pse Pjetri na thotë të ngjeshim “ijët e mendjes… duke qenë të esëllt”. Me fjalë të tjera, ne duhet ta mbajmë mendjen tonë nën kontroll — t’i kemi nën kontroll proceset tona të të menduarit — në mënyrë që të jemi në gjendje për të ndjekur atë që është e mirë dhe për t’iu larguar asaj që është e keqe.
Nëse nuk e përgatisim mendjen tonë për veprim, atëherë ne do të nënshtrohemi lehtë dhe do të rrezikojmë të biem në tragjedi. Do të kemi prirjen për të marrë vendime të vështira dhe jetëndryshuese pa menduar, të nxitur nga emocioni i çastit dhe kur dëshirat tona na këlthasin fort. Mirëpo një jetë e dëlirë nuk ndodh aksidentalisht; ajo është një akt vendosmërie absolute, i shtyrë nga Fryma e Perëndisë.
Kemi nevojë që të përkushtohemi ndaj dëlirësisë, siç bëri psalmisti kur tha: “Unë jam betuar dhe do ta mbaj betimin: të respektoj dekretet e tua të drejta” (Psalmi 119:106). Bëje zotimin tënd përpara se të jetë tepër vonë.
Ja një sugjerim se ç’lloj përkushtimi të bësh: vendos të jetosh në qendër të udhës së ngushtë dhe jo në buzë të saj. Djaloshi te Fjalët e Urta 7, i cili ra pre e tundimit nga “gruaja e tjetrit”, po jetonte në buzë të shtegut; ai po kalonte “rrugës pranë qoshes së saj dhe shkoi nga rrugica e shtëpisë së saj, në muzg…” (Fjalët e Urta 7:5, 8-9). Mësimi i Biblës është i qartë: mos shko në vendin e gabuar, në kohën e gabuar.
Nuk fiton asgjë duke jetuar buzë shtegut kur bëhet fjalë për dëlirësinë. Bëje zotimin tënd përpara se të ballafaqohesh me tundimin, në mënyrë që kur të vijë dita e ligë, të jesh gati të thuash: “Jo, tashmë e kam marrë këtë vendim.” Mbaje jetën tënde në qendër të udhës së ngushtë dhe vendos të qëndrosh atje. Ditën kur Krishti Jezus të kthehet dhe kur populli i Tij të qëndrojë me anë të hirit të Tij përreth fronit të Tij, asnjëri prej nesh nuk do të thotë se nuk ia vlejti barra qiranë që kërkoi shenjtërinë.