dear pastor remember this (1)

Korrik 2024  


Ky artikull është pjesë e serisë "I dashur pastor"  

I dashur pastor,

Ndiej një hezitim për të ndarë me ty atë që na nevojitet të dyve për t’ia dalë mbanë për vite me radhë.

Përvoja ime më thotë se kjo fjalë ende e pashprehur, ushqimi për një shërbesë dhe për një jetë të gjatë e të frytshme, tingëllon tepër bazike për disa që sakaq e shpërfillin.

“Posi, sigurisht” thonë ata, “por duhet vazhduar me gjëra të tjera. Jepna mishin e fjalës!”

Të tjerët, kur e dëgjojnë këtë premtim të lashtë e të pandalshëm të Perëndisë, e gjykojnë si bosh; mbase të dobishëm për kohë më civile, por të padobishëm për betejat aktuale kulturore që po luftojmë.

Dhe ngaqë kjo që do të them është kaq e vjetër (Psalmi 25:6) sa të harrohet nga të rinjtë, disa madje do të kenë dyshime për ortodoksinë time, do të merakosen për përkushtimin tim ndaj ungjillit.

Mirëpo, pastor i dashur, kur të pyesësh veten se si do ia dalësh mbanë, duhet të mbash mend diçka, të cilën duhet të ma kujtosh edhe mua gjithashtu.

Kështu pra, po e them troç: Pastor, Perëndia të do!

Po e harruam këtë, do të heqim dorë, ose më keq (Psalmi 106:7).

Të praktikosh dashurinë e Tij

Fillo të epesh dhe të kesh parasysh dashurinë e qëndrueshme të Perëndisë, dhe zemra jote do të bëhet më e urtë (Psalmi 107:43).

Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, 
          dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona.
                                                                                                                                              — Psalmi 90:14

Mund t’ia dalësh mbanë për sa të jesh gjallë, të shkosh deri në fund me gëzim, nëse e di që je i dashur.

Në mëngjes ti zgjohesh copa-copa, i shpërqendruar, i kritikuar, i pakënaqur, i nxituar për t’u marrë me diçka. Shfaqe boshllëkun e shpirtit tënd! Mos u ndal vetëm duke u lutur: “Ndihmomë të besoj në dashurinë tënde të qëndrueshme”, por shko më tej me përjetimin për t’u “kënaqur” me të.

Kërko edhe të dëgjosh për dashurinë e tij të qëndrueshme (Psalmi 143:8) dhe pastaj, pastor i dashur, këndo për të (Psalmi 59:16).

Sa të kesh arritur të kapësh telefonin, të shohësh çfarë ke për të bërë, t’i përgjigjesh postës elektronike, të nisësh të studiosh apo të shkosh në takimin e parë të ditës, dashuria e tij e qëndrueshme të ka riformuar shikimin, të ka fuqizuar të ecësh me besnikëri në çfarëdo që të pret.

Sepse dashamirësia jote më rri përpara syve
                dhe unë po eci në të vërtetën tënde.
                                                                           — Psalmi 26:3

Pra, çfarë domethënë kjo për ty i dashur pastor (dhe për ata që u shërben)?

Rigjej historinë e vërtetë çdo mëngjes

1. Nise ditën duke kujtuar kush është Perëndia.

ZOTI është i dhembshur dhe mëshirëplotë,
               i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.
ZOTI është i mirë me të gjithë
               dhe plot dhembshuri për të gjitha veprat e tij.
                                     — Psalmet 145:8–9; 86:15; 103:8, 11, 17

2. Kujto se je në botën e Perëndisë.

…toka është e mbushur nga mirësia e ZOTIT.
                                                                              — Psalmi 33:5

3. Talljet dhe lajmet e këqija ktheji në vendin që u takon.

Pse mburresh me të keqen, o njeri i fuqishëm?
                 Mirësia e Perëndisë është e përjetshme.
                                                                                             — Psalmi 52:1

Midis vajtimit, inatit të drejtë apo frikërave në mendime, rigjej lajmin e mirë.

Dashuria e qëndrueshme e Zotit.
Tokën plot e mbush.
Gjithë ditën nuk mbaron.
Kurrë nuk heq dorë.

4. Domethënë, në mëngjes kujtohu se kush je.

Ai nuk kënaqet në forcën e kalit
               dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut.
ZOTI kënaqet me ata që kanë frikë prej tij,
                me ata që shpresojnë në mirësinë e tij.
                                                                                    — Psalmi 147:10–11

Shpresa jote farkëtohet nga dashuria e tij për ty, jo nga përpjekja jote. Gëzimi e kënaqësia e tij në ty nuk është sa për sy e faqe, por “e madhe” (Psalmi117:2).

5. Pra, përdor fjalën “ime”.

Ai është hiri im dhe kështjella ime,
                     streha ime e lartë dhe çliruesi im,
mburoja ime në të cilën gjej strehë...
                                                                 — Psalmi 144:2

Dashuria e tij për ty, pastor, nuk është e përciptë, por të përfshin ty siç je.
Ai e do popullin e tij, dhe ti je pjesë e tyre.

Po sikur?

Puna jote të duket e vogël apo e pasigurt? Apeloju dashurisë së tij për ty.

ZOTI do të kryejë veprën e tij tek unë;
                o ZOT, mirësia jote vazhdon përjetë;
mos i braktis veprat e duarve të tua.
                                                                    — Psalmi 138:8

Ndihesh sikur po dështon? Apeloju dashurisë së tij.

Kur thashë: “Këmba ime ngurron”,
                          mirësia jote, o ZOT, më ka përkrahur.
                                                                                 — Psalmi 94:18

Ndihesh i humbur, i tallur, i pambrojtur? Kërko dashurinë e tij.

Ku janë, o ZOT, mirësitë e tua të lashta…
                                                             — Psalmi 89:49

Dhe mirësia e tij ka marrë fund përgjithnjë
                          dhe fjala e tij ka munguar për brezat e ardhshëm?
                                                                 — Psalmi 77:8

Ka kaq shumë të panjohura për ty?

Kujdesu për shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate
                     dhe mësomë statutet e tua.
                                                                                — Psalmi 119:124

Nuk arrin të gjesh dot asnjë ngushëllim?

Mirësia jote qoftë ngushëllimi im, sipas fjalës që i ke dhënë shërbëtorit tënd.
                                                                                                                                                     — Psalmi 119:76

Ndihesh i hallakatur, i rraskapitur, indiferent?

Gjallëromë sipas mirësisë sate.
— Psalmi 119:159; 88

A do vetëm e vetëm ta përlëvdosh atë? Atëherë, i dashur pastor, dashuria e tij është shpresa jote!

Jo neve, o ZOT, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde
                                                                                                                 dhe për besnikërinë tënde!
                                                                                                                                       — Psalmi 115:1

Ke humbur e nuk gjen dot shpëtim? Kërko dashurinë e tij të madhe!

Kthehu nga unë, o ZOT, çliroje shpirtin tim;
                                          shpëtomë për hir të mirësisë sate.
                             — Psalmi 6:4; 109:21, 26; 103:4

Ndihesh i padenjë për ta adhuruar Atë? Ke të drejtë, po të mos qe për dashurinë e tij!

Por unë, për shkak të mirësisë sate të madhe,
                       do të hyj në Shtëpinë tënde...
                                                                                — Psalmi 5:7

T’i ka zënë sytë mëkati? Apeloju dashurisë së tij.

Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia;
                     por në mëshirën tënde më kujto...
                                               — Psalmi 25:7; Fjalët e Urta 16:6

Nuk ndien gjë tjetër veçse plagë të dhimbshme nga mëkatet e të tjerëve? Vështro dashurinë e tij.

Unë do të ngazëllej dhe do të kënaqem në mirësinë tënde,
                   sepse ti ke parë pikëllimin tim dhe i ke kuptuar ankthet e shpirtit tim.
                                                                                                             — Psalmi 31:7

Nuk ke asgjë që mund t’i ofrosh atij?

Kremtoni Perëndinë e qiellit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
                                                                                                                       — Psalmi 136:26

Shihni hirin e dashurisë së tij

Jezusi na fton të vëmë re zogun apo lulen, për të parë se si ai kujdeset për to, i cili kujdeset edhe për ne (Mateu 6:28–30).

Kur ju luteni, i drejtoheni në mënyrë intime Perëndisë si ati i mirë që nuk do t’u japë një akrep apo një gjarpër ku ju keni nevojë për bukë (Luka 11:11–13).

Kjo dashuri në Krishtin arriti të ndryshojë edhe dikë si Sauli i Tarsit, i cili mori stafetën e psalmistit në Krishtin.

Për Palin, dashuria e qëndrueshme e Perëndisë në Jezusin:

1. ka prioritet meditimin tonë. “I duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, mban çdo gjë. Dashuria nuk bie poshtë kurrë…” (1 e Korintasve 13:7–8).

2. formon lutjet tona për njëri-tjetrin. “Që… të kuptoni me të gjithë shenjtorët se cila është gjerësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia, dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni në gjithë plotësinë e Perëndisë” (Efesianëve 3:18–19).

3. është spiranca e identitetit tonë. “U kryqëzova bashkë me Krishtin; por rroj; jo më unë, po Krishti rron në mua; por ajo që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua” (Galatasve 2:20).

4. nxit pendimin tonë. “Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe zemërgjerësisë së tij, duke mos ditur që mirësia e Perëndisë të prin në pendim?” (Romakëve 2:4)

5. fuqizon bindjen tonë. “Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij të dashur” (Efesianëve 5:1).

6. na mundëson t’ia dalim, pavarësisht gjithçkaje. “Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit?” (Romakëve 8:35–39)

I dashur pastor, a nuk janë këto arsyet përse jeta e Jezusit është kaq e çmuar për ty?

“Shihni sa e deshi”, do të thoshin ata.
A nuk janë këto arsyet pse e vlerëson vdekjen e Jezusit?
“Fali ata”, tha ai.
A nuk janë këto arsyet përse ringjallja e Jezusit të bën guximtar?
“Vdekja, mëkati dhe mjerimet do të vdesin, por dashuria e tij mbetet.”
A nuk janë këto arsyet përse rikthimi i tij e bën zemrën të të lëngojë me ëndje?
Sepse ai është i dashuri i qëndrueshëm i shpirtit tënd.
Nuk do mend që ata që e njohën thanë për të:
“Dashuria e tij për ne nuk mbaron kurrë.” — Gjoni 13:1


Zack Eswine ësthë autor i librit “The Imperfect Pastor: Discovering Joy in Our Limitations through a Daily Apprenticeship with Jesus”.


Prof. dr. Zack Eswine (Regent University) është pastori udhëheqës i kishës “Riverside” në qytetin Webster Groves, Mizuri. Ai dhe e shoqja, Jessica, kanë katër fëmijë dhe janë bashkëthemelues të trajnimit “Sage Christianity”. Për më shumë informacion, vizitoni SageChristianity.com.

Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/dear-pastor-when-you-wonder-how-youll-make-it-remember-this/

Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2024

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin