spurgeon dev 27 dhjetor pm
Dhjetor 2023

“ZOTi do të të udhëheqë vazhdimisht.”

Isaia 58:11

“ZOTI do të të udhëheqë.” Jo ndonjë engjëll, por Zoti do të të udhëheqë. Ai tha se nuk do të shkonte Vetë në shkretëtirë për t’i treguar udhën popullit të Tij, por se një engjëll do ta bënte këtë punë; mirëpo, Moisiu tha: “Në qoftë se prania jote nuk vjen me mua, mos na nis që këtej” (Eksodi 33:15).

I krishterë, Perëndia nuk të ka lënë të udhëhiqesh nga një engjëll gjatë shtegtimit tënd tokësor: Ai Vetë e udhëheq karvanin. Mbase mund të mos e shohësh shtyllën e reve dhe të zjarrit, por Zoti nuk do të të braktisë kurrë. Vëri re fjalët “do të”—“ZOTI do të të udhëheqë.” Këto fjalë e bëjnë të sigurt këtë fakt! Ne mund të jemi të sigurt se Perëndia nuk do të na braktisë! “Do të”-të e Tij të çmuara vlejnë më shumë se premtimet e njerëzve. “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis” (Hebrenjve 13:5).

Më pas vërej ndajfoljen “vazhdimisht”. Nuk kemi thjesht një udhëheqje me raste, por kemi një udhërrëfyes të përhershëm. Nuk do të lihemi herë pas here në mëshirë të arsyes sonë, që të endemi sa andej-këndej, por do të dëgjojmë vazhdimisht zërin udhërrëfyes të Bariut të Madh; dhe në qoftë se e ndjekim Atë hap pas hapi, nuk do të endemi, por do të udhëhiqemi në rrugën e duhur drejt banesës ku do të jetojmë përjetë. Nëse do të të duhet të ndryshosh pozitën tënde në jetë, nëse do të të duhet të emigrosh drejt një vendi tjetër, nëse të ndodh të jesh shumë i varfër, ose befas të ngrihesh në një pozitë me më shumë përgjegjësi se ajo që ke tani, nëse gjendesh mes të huajsh ose përfundon mes armiqsh, mos u dridh, sepse “ZOTI do të të udhëheqë vazhdimisht”.

Nëse jeton pranë Perëndisë dhe zemra jote ruhet e ngrohtë me dashuri të shenjtë, atëherë nuk do të ketë asnjë dilemë prej së cilës nuk do të çlirohesh. Nëse ecën në përbashkësi me Perëndinë, nuk do të shkosh në rrugë të gabuar. Ec me Perëndinë siç ecte Enoku, dhe nuk do ta ngatërrosh rrugën. Do të drejtohesh nga urtësia e pagabueshme, do të ngushëllohesh nga dashuria e pandryshueshme dhe do të mbrohesh nga fuqia e amshuar. “ZOTI”—dëgjoje se ç’po të them—“ZOTI do të të udhëheqë vazhdimisht.”


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin