“Atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr [kurrë] jashtë.”
Gjoni 6:37
Nuk ekziston asnjë afat kohor për sa i përket këtij premtimi. Nuk thotë vetëm: “Nuk do ta nxjerr jashtë një mëkatar që vjen tek unë për herë të parë”, por thotë: “Unë nuk do ta nxjerr [kurrë] jashtë.” Në origjinal thuhet: “Unë nuk, nuk do ta nxjerr jashtë”, ose “Unë kurrë, asnjëherë nuk do ta nxjerr jashtë.” Vargu në fjalë do të thotë që Krishti nuk do ta hedhë poshtë një besimtar herën e parë, dhe që, duke qenë se nuk e bën herën e parë, nuk do ta bëjë as herën e fundit.
Mirëpo, po sikur besimtari të mëkatojë edhe pas ardhjes te Zoti i tij? “...në qoftë se ndokush ka mëkatuar, kemi një avokat tek Ati, Jezu Krishtin, të drejtin” (1 e Gjonit 2:1). Po sikur besimtarët t’i kthehen sërish udhës së vjetër të mëkatit? “Unë do të shëroj shthurjen e tyre, do t’i dua me gjithë zemër, sepse zemërimi im u tërhoq prej tyre” (Osea 14:4). Por besimtarët mund të shtihen në ngasje! “...Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugëdalje, që ju të mund ta përballoni” (1 e Korintasve 10:13). Mirëpo, besimtari mund të bjerë në mëkat sikurse Davidi! Po, por Ai do ta [plotësojë lujtjen]: “Më pastro me hisop dhe do të jem i dëlirë; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora” (Psalmi 51:7).
Njëherë në Krishtin, në Krishtin përherë,
Nga dashuria e Tij asgjë s’më ndan dot asnjëherë.
Jezusi thotë: “Unë u jap atyre jetë të përjetshme dhe nuk do të humbasin aspak, përjetë, dhe askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime” (Gjoni 10:28). Çfarë i thua ti kësaj, o mendje e luhatur dhe e dobët? Kjo është një mëshirë e çmuar. Duke shkuar te Krishti, nuk po shkon te Dikush që do të të trajtojë mirë për pak kohë dhe pastaj do të të lërë në mëshirë të fatit, por po shkon tek Ai që do të të pranojë, do të të bëjë nusen e Tij, dhe ti do të jesh i Tiji/e Tija për jetë e mot. Mos lëngo më gjatë në frymën e skllavërisë ndaj frikës, por zgjidh frymën e birërimit përmes së cilës do të thërrasësh: “Abba, Atë!”. Oh, ç’hir fshehin këto fjalë: “Unë nuk do ta nxjerr [kurrë] jashtë .”
© dritez.al 2024