spurgeon dev 27 korrik pm
July 2023

Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë?

Romakëve 8:33

Çfarë sfide e bekuar! Sa e pakundërshtueshme që është! Të gjitha mëkatet e të zgjedhurve u vunë mbi Kampionin e madh të shpëtimit tonë, dhe falë shlyerjes u hoqën prej nesh. Nuk ka më asnjë mëkat të regjistruar në librin e Perëndisë kundër njerëzve të Tij: Ai nuk sheh më asnjë mëkat te Jakobi, asnjë paudhësi tek Izraeli; ata janë të drejtësuar në Krishtin një herë e përgjithmonë. Kur u hoq njëherë e përgjithmonë faji i mëkatit, bashkë me të u largua edhe ndëshkimi i mëkatit. Për të krishterin nuk ka asnjë goditje nga dora e zemëruar e Perëndisë—madje nuk ka as edhe një vrenjtësirë të vetme nga drejtësia ndëshkuese. Besimtari mund të ndëshkohet nga Ati i tij, por Perëndia Gjykatës nuk ka asgjë tjetër për t’i thënë të krishterit, përveçse: “Ta kam hequr fajin: je i drejtësuar.”

Për të krishterin nuk ka ekzekutim me vdekje në këtë botë, aq më pak një vdekje të dytë. Ai është çliruar plotësisht nga çdo dënim, si edhe nga faji i mëkatit, po ashtu, fuqia e mëkatit është thyer. Mëkati mund të përpiqet të na e zërë shtegun dhe të na kërcënojë me luftë të përhershme; mirëpo, ai mbetet një armik i mundur për të gjithë shpirtrat që kanë përbashkësi me Jezusin. Nuk ekziston mëkat, të cilin një krishterë nuk mund ta mposhtë në qoftë se mbështetet vetëm te Perëndia i tij, për ta arritur këtë. Ata që vishen me të bardha në qiell, ngadhënjyen falë gjakut të Qengjit, edhe ne mund të bëjmë të njëjtën gjë. Asnjë epsh nuk është tepër i fuqishëm, asnjë mëkat shqetësues nuk është i rrënjosur tepër fort; ne mund të ngadhënjejmë mbi të gjitha këto me anë të fuqisë së Krishtit.

Duhet të besosh, o i krishterë—mëkati yt është dënuar tashmë. Mund të hedhë shkelma e të rezistojë, por është i destinuar të vdesë. Perëndia ia ka shkruar dënimin në ballë. Krishti e ka kryqëzuar atë, duke e gozhduar në kryqin e Tij. Shko tani dhe bëje atë të vdesë, dhe Zoti të ndihmoftë që të jetosh për lavdinë e Tij, sepse mëkati me gjithë fajin, turpin dhe frikën e vet është zhdukur [njëherë e përgjithmonë].

Këtu ka falje për shkeljet e kaluara,
Nuk ka rëndësi sa të zeza janë ato;
O shpirti im, shiko i mahnitur,
Dhe për mëkatet e ardhshme ka falje gjithashtu.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin