spurgeon dev 24 korrik am
July 2023

“Qëndroni dhe do të shikoni çlirimin e ZOTIT.”

Eksodi 14:13

Këto fjalë ngërthejnë urdhrin e Perëndisë për besimtarin, sa herë që katandiset në një gjendje shumë të keqe dhe përballet me vështirësi të mëdha. Nuk tërhiqet dot prapa; nuk shkon dot përpara, i ka të mbyllura shtigjet në të majtë e në të djathtë; ç’i mbetet të bëjë tani vallë? Fjala e të Zotit për të është: “Qëndro!”. Do të bënte mirë që, në kohë të tilla, të dëgjonte vetëm fjalën e të Zotit, [duke e bërë veshin të shurdhër] ndaj këshilltarëve të tjerë të ligj që i pëshpëritin lloj-lloj pallavrash. 

Dëshpërimi pëshpërit: “Dorëzohu dhe vdis; hiq dorë nga gjithçka!”. Mirëpo, Perëndia dëshiron që ne të vishemi me guxim të hareshëm, me qëllim që edhe në kohët më të këqija të ngazëllehemi në dashurinë dhe besnikërinë e Tij. Burracakëria thotë: “Kthehu prapa; ktheju sërish sjelljeve të botës; nuk mund ta luash dot rolin e të krishterit—është tepër i vështirë për ty. Hiq dorë nga parimet e tua!”. Mirëpo, sado që të përpiqet Qoftëlargu të ta imponojë këtë mënyrë sjelljeje, nuk mund ta ndjekësh dot atë nëse je fëmijë i Perëndisë. Dekreti i Tij hyjnor të ka thirrur të kalosh nga një forcë te tjetra, kështu do të bësh, dhe as vdekja e as ferri nuk do të të kthejnë dot nga udha jote. Edhe sikur të jesh thirrur për të qëndruar për njëfarë kohe, kjo ndodh që të fitosh fuqi të reja për të ecur një rrugë të gjatë përpara, kur të vijë koha e duhur.

Rrëmbimi bërtet: “Bëj diçka! Lëviz! Të qëndrosh në një vend duke pritur, është përtaci e shkuar përtacisë.” Duhet të bëjmë diçka menjëherë—na takon neve ta bëjmë, prandaj mendojmë—në vend që t’i drejtohemi Zotit, i cili jo vetëm që do të bëjë diçka, por që do të bëjë gjithçka. Mendjemadhësia mburret: “Edhe sikur përpara teje të shtrihet deti, ec përpara dhe prit ndonjë mrekulli.”

Mirëpo, besimi nuk dëgjon as mendjemadhësinë, as dëshpërimin, as burracakërinë, dhe as rrëmbimin, por dëgjon Perëndinë tek i thotë: “Qëndro!”. Dhe ai qëndron i palëkundur si një shkëmb. “Qëndro”—mbaj qëndrimin e një njeriu trupdrejtë, i cili është gati për veprim, në pritje të urdhrave të reja, duke pritur me gëzim dhe durim zërin drejtues; dhe ke për ta parë se nuk do të kalojë shumë kohë dhe Perëndia do të të thotë ty, po aq qartë sa Moisiu i tha popullit të Izraelit: “Shko përpara!”.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin