spurgeon dev 23 korrik pm
July 2023

Gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.

1 e Gjonit 1:7

“Pastron”, thotë vargu—nuk thotë “do të pastrojë”. Janë shumë ata që mendojnë se mund të presin ta marrin faljen në çastin e vdekjes. Oh, sa mirë do të ishte sikur ta merrja pastrimin tani, në vend që të mbetesha peng i mundësisë së dyshimtë të faljes kur të vdes!

Disa mendojnë se një ndjesi faljeje është një arritje që vjen vetëm pas shumë vitesh përvoje të krishterë. Mirëpo, falja e mëkateve është një realitet i së tashmes—një privilegj që i takon kësaj dite dhe një gëzim që i takon kësaj ore. Me të besuar në Jezusin, mëkatari është plotësisht i falur. Vargu, i shkruar në kohën e tashme, gjithashtu tregon vazhdimësi. “Pastron” dje, “pastron” sot dhe “pastron” nesër. Kështu do të jetë përherë me ty, o i krishterë, derisa të kalosh lumin; mund të vish sa herë të duash te ky burim, sepse ai ende pastron.

Vër re gjithashtu se sa i plotë është pastrimi: “Gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat”—jo vetëm nga mëkati, por “nga çdo mëkat”. Lexues, nuk mund të ta komunikoj dot ëmbëlsinë e jashtëzakonshme të kësaj fjale, por lutem që Perëndia Frymë e Shenjtë të të japë një shije të saj! Të shumta janë mëkatet tona kundër Perëndisë! Qoftë e shtrenjtë apo e lirë shuma e faturës, si njëra edhe tjetra mund të shlyhen nga e njëjta mandatpagesë. Gjaku i Jezu Krishtit është një pagesë po aq e bekuar dhe hyjnore për shkeljet e Pjetrit blasfemues, sa edhe për mangësitë e Gjonit të dashur. 

Paudhësia jonë zhduket, të gjitha zhduken përnjëherë, madje zhduken për jetë e mot. Plotësi e bekuar! Çfarë teme e bukur për meditim përpara se dikush të bjerë të flejë!

Mëkate kundër një Perëndie të shenjtë;
Mëkate kundër ligjeve të Tij të drejta;
Mëkate kundër dashurisë së Tij, gjakut të Tij;
Mëkate kundër emrit dhe kauzës së Tij;
Mëkate të pamasa sa vetë deti—
Nga të gjitha ato, Ai më pastron.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin