spurgeon dev 19 korrik am
July 2023

“Zoti, Perëndia ynë, na tregoi lavdinë dhe madhërinë e tij.”

Ligji i Përtërirë 5:24

Plani madhështor i Perëndisë në të gjitha veprat e Tij është shfaqja e vetë lavdisë së Tij. Çdo synim tjetër më i vogël sesa ky, do të ishte i padenjë për Të.

Mirëpo, si do t’u shfaqet lavdia e Perëndisë krijesave të rëna si ne? Syri i njeriut nuk sheh asnjëherë në një drejtim të vetëm; me bisht të tij sheh gjithmonë drejt nderit të vet, gjithashtu ka një vlerësim shumë të lartë për fuqitë e veta, dhe nuk është i përgatitur për të soditur lavdinë e Zotit. Atëherë është e qartë se uni ynë duhet të largohet nga rruga, me qëllim që të krijohet hapësira e nevojshme për lartësimin e Perëndisë. Kjo është arsyeja se përse Ai shpesh i çon të Vetët drejt halleve dhe vështirësive, me qëllim që, duke u bërë të vetëdijshëm për marrëzinë dhe dobësitë e tyre, të mund të përgatiten për të soditur madhështinë e Perëndisë, atëherë kur Ai vjen për të sjellë çlirimin e tyre. Ai person, jeta e të cilit është një shteg i sheshtë e i drejtë, do të shohë shumë pak nga lavdia e Perëndisë, sepse ka mundësi të pakta vetëzbrazjeje, dhe për pasojë është shumë pak i përshtatshëm për t’u mbushur me zbulesën e Perëndisë. Ata që notojnë nëpër rrëke dhe përrenj të cekët, dinë shumë pak rreth Perëndisë së stuhive; mirëpo, ata që “bëjnë tregti mbi ujërat e mëdha” (Psalmi 107:23), “shohin veprat e ZOTIT dhe mrekullitë e tij në humnerat e detit” (Psalmi 107:24). Mes dallgëve oqeanike të pikëllimit, skamjes, tundimit dhe përbuzjes, ne do të njohim fuqinë e Jahveh-ut, sepse arrijmë të kuptojmë se ç’është vogëlsia e njeriut.

Prandaj, falënderoje Perëndinë në qoftë se je udhëhequr përgjatë një shtegu të vështirë, sepse është pikërisht kjo që të ka falur përjetimin e madhështisë dhe dashamirësisë së Perëndisë! Hallet e tua të kanë pasuruar me një thesar njohurie, të cilin nuk kishe se si ta fitoje ndryshe: sprovat e tua ishin si e çara në shkëmb brenda së cilës Jahveh-u të ka fshehur, ashtu siç bëri edhe me shërbëtorin e Vet Moisiun, që të mund të vështroje lavdinë e Tij tek të kalonte pranë. Lëvdoje Perëndinë, sepse nuk të ka lënë në errësirën dhe në padijen që mund të të shkaktonte begatia e pandërprerë, por se, në luftën e madhe të vuajtjeve, ti je aftësuar për të soditur rrezet e lavdisë së Tij në mënyrat e mrekullueshme se si Ai të trajton ty.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin