spurgeon dev 18 korrik pm
July 2023

Askush nuk e shtyn fqinjin e tij, secili ndjek shtegun e vet.

Joeli 2:8

Karkalecat marshojnë përherë në formacion, dhe megjithëse në numër janë sa një legjion, as nuk përplasen dhe as shtyhen me njëri-tjetrin, duke mos e prishur rregullin e radhëve të tyre. Ky fakt biologjik i jashtëzakonshëm tregon se sa thellë e ka përhapur Zoti frymën e rregullsisë në gjithësinë e Vet, përderisa gjallesat më të vogla janë po aq të kontrolluara prej saj, sa edhe sferat qiellore apo ushtritë e engjëjve. Besimtarët po ashtu do të bënin mirë të udhëhiqeshin nga i njëjti ndikim në mbarë jetën e tyre frymërore.

Për sa u përket hireve të të krishterëve, asnjë virtyt nuk duhet t’i zërë vendin forcërisht tjetrit dhe as ta shfrytëzojë tjetrin për përfitimin e vet. Dashuria nuk duhet ta mbysë ndershmërinë, guximi nuk duhet ta shpërfillë dobësinë, modestia nuk duhet ta shtyjë me bërryla energjinë dhe durimi nuk duhet ta vrasë vendosmërinë. Po ashtu, për sa u përket detyrave tona, asnjëra prej tyre nuk duhet të ndërhyjë te tjera. Kështu dobishmëria publike nuk duhet t’i bëjë dëm përshpirtshmërisë private; puna e kishës nuk duhet ta shtyjë adhurimin familjar në një qoshe. Është gabim t’i ofrosh Perëndisë një detyrë të njollosur me gjakun e tjetrës. Çdo gjë është e bukur në kohën e saj, por e kundërta nuk vlen.

E njëjta rregull vlen për pozitën tonë personale. Ne duhet të bëjmë kujdes që ta dimë se ku e kemi vendin, ta zëmë dhe ta mbajmë atë. Duhet të shërbejmë sipas aftësisë që na ka dhënë Fryma e Shenjtë, dhe të mos i fusim hundët në fushën e shërbesës së vëllezërve tanë. Zoti ynë Jezus na mësoi të mos i lakmojmë vendet e larta, por, përkundrazi, të jemi të gatshëm që të jemi të fundit mes vëllezërve dhe motrave. Larg nga ne fryma ambicioze dhe lakmitare; le ta ndiejmë forcën e urdhëresës së Mësuesit dhe të veprojmë siç na urdhëron Ai, duke marshuar në një hap me ushtrinë e Tij. Sonte, le të shqyrtojmë nëse po e ruajmë unitetin e Frymës në lidhjet e paqes, dhe qoftë lutja jonë që, në të gjitha kishat e Zotit Jezus, të sundojë paqja dhe rregulli!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin