spurgeon dev 17 korrik pm
July 2023

“Mos lini t’ju ikë as edhe një!”

1 i Mbretërve 18:40

Pasi profeti Elia kishte marrë përgjigje për lutjen e tij dhe pasi zjarri që kishte rënë nga qielli, e kishte konsumuar blatimin përpara gjithë popullit, ai u bëri thirrje izraelitëve të mbledhur, që t’i kapnin priftërinjtë e Baalit dhe me zë të ashpër thirri: “Mos lini t’ju ikë as edhe një [prej tyre]!”. Kështu, [ata i kapën dhe] Elia i zbriti në përroin Kishon, ku i theri. I njëjti fat duhet t’i presë edhe mëkatet tona—të gjitha ato janë destinuar për therje; asnjë prej tyre nuk duhet kursyer.

Edhe mëkati më i dashur për ne, duhet të vdesë. Mos e kurse edhe po qau e u lebetit! Godite me shpatë edhe në qoftë po aq i dashur për ty sa një bir i shtrenjtë! Godite, sepse Perëndia e goditi mëkatin pikërisht atëherë kur rëndonte mbi shpatullat e Birit të Vet! Me vendosmëri të palëkundur e plot ashpërsi duhet ta dënosh me vdekje mëkatin që dikur ishte idhulli i zemrës sate. A mos do të dish vallë se si do ta realizosh këtë? Jezusi do të bëhet fuqia jote. Në besëlidhjen e hirit, të është dhënë hir për ta mposhtur mëkatin; ke forcë të mjaftueshme për të ngadhënjyer në kryqëzatën kundër epsheve të brendshme, sepse Krishti Jezus ka premtuar që do të jetë me ty deri në fund. 

Nëse dëshiron të ngadhënjesh mbi errësirën, qëndro në prani të Diellit të Drejtësisë! Nuk ka vend më të përshtatshëm, për ta zbuluar mëkatin dhe për t’i shpëtuar fuqisë dhe fajit të tij, sesa prania e menjëhershme e Perëndisë. Jobi nuk dinte se si të çlirohej nga mëkati, përveçse kur sytë e tij të besimit nguleshin mbi Perëndinë, dhe pastaj ndiente neveri ndaj vetes dhe pendohej në hi dhe pluhur.

Ndodh që ari i kulluar i të krishterit shpesh e humbet shkëlqimin. Na nevojitet zjarri i shenjtë për të na hequr ndryshkun. Le ta mbajmë frymën drejt e te Perëndia! Ai është një zjarr që konsumon; Ai nuk do ta konsumojë frymën tonë, por mëkatet tona. Le të na nxisë mirësia e Perëndisë në xhelozi të shenjtë dhe në një hakmarrje të shenjtë ndaj atyre paudhësive që janë të neveritshme për sytë e Tij. Dil në betejë duke u veshur me fuqinë e Tij, dhe shkatërroje deri në palcë atë lukuni të mallkuar: “Mos lini t’ju ikë as edhe një!”.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin