spurgeon dev 16 korrik am
July 2023

Kështu e mblidhnin çdo mëngjes.

Eksodi 16:21

Përpiqu që ta ruash një ndjesi të varësisë së plotë në vullnetin e mirë dhe kënaqësinë e Zotit nëse do të vazhdosh ta shijosh Atë plotësisht. Asnjëherë mos u përpiq të jetosh me manën e vjetër dhe as mos kërko ndihmë në Egjipt. Gjithçka duhet të vijë nga Jezusi, ose përndryshe do ta pësosh për jetë e mot. Vajosjet e vjetra nuk do të mjaftojnë për ta ripërtërirë frymën tënde; koka jote duhet të vajoset me vaj të freskët që derdhet mbi të nga briri i artë i shenjtërores, ose përndryshe ajo do të bjerë nga lavdia e saj.

Sot mund të ndodhesh në majë të malit të Perëndisë, por Ai që të vendosi atje, duhet të të mbajë aty, përndryshe do të zhytesh më shpejt nga sa e ke menduar ndonjëherë. Mali yt qëndron i palëkundur vetëm kur Ai e vendos në vendin e duhur; në qoftë se Ai e fsheh fytyrën e Tij, shumë shpejt do të trazohesh nga halle e probleme. Në qoftë se Shpëtimtarit do t’i dukej e arsyeshme, nuk do të kishte asnjë dritare prej së cilës ti e sheh dritën e qiellit, që Ai të mos mund ta errësonte sa hap e mbyll sytë. Jozueu e bëri diellin të qëndronte në një vend, por Jezusi mund ta mbulojë atë në errësirë të plotë. Ai mund të largojë gëzimin e zemrës sate, dritën e syve të tu dhe fuqinë e jetës sate; në të Tijën dorë gjenden ngushëllimet e tua, dhe ato mund të largohen menjëherë prej teje nëse ky është vullneti i Tij.

Zoti ynë e ka caktuar që ne ta ndiejmë dhe ta njohim këtë varësi të vazhdueshme, sepse na lejon që të lutemi vetëm për “bukën e përditshme”, dhe na premton vetëm që forca jonë do të zgjasë aq sa do të jenë ditët tona. A nuk është më mirë për ne që gjërat të jenë kështu, që të mund të shkojmë sa më shpesh te froni i Tij dhe të kujtohemi vazhdimisht për dashurinë e Tij?

Oh, sa i pasur është hiri që na furnizon pa ndërprerje dhe që nuk e ndal dorën për shkak të mosmirënjohjes sonë! Shiu i artë nuk resht kurrë; reja e bekimeve qëndron përgjithnjë mbi banesën tonë. O Zoti Jezus, ne përulemi përpara këmbëve të Tua, duke qenë të ndërgjegjshëm se nuk mund të bëjmë dot asgjë pa Ty, dhe në çdo të mirë që kemi privilegjin të marrim [prej Teje], adhurojmë emrin Tënd të bekuar dhe njohim dashurinë Tënde të pashtershme!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin