spurgeon dev 11 korrik pm
July 2023

Tregojani bijve tuaj, dhe bijtë tuaj bijve të tyre, dhe bijtë e tyre brezit tjetër.

Joeli 1:3

Në këtë mënyrë të thjeshtë, me anë të hirit të Perëndisë, një dëshmi e gjallë e së vërtetës duhet të mbetet përherë e gjallë në vendin tonë: të dashurit e Zotit duhet t’ia kalojnë trashëgimtarëve të tyre dëshminë për Ungjillin dhe besëlidhjen, ndërsa këta të fundit pasardhësve të tyre. Kjo është detyra jonë parësore; ne duhet të fillojmë nga vatra familjare: predikues i mirë është ai që e fillon shërbesën e vet brenda mureve të shtëpisë. Natyrisht që duhet të rendim pas jobesimtarëve, duke mos lënë vend pa i kërkuar, por shtëpia është përparësia kryesore, dhe mjerë ata që e përmbysin radhën e përparësive të Zotit!

Të mësuarit e fëmijëve tanë është një detyrë personale; nuk mund t’ia delegojmë atë mësuesve të Shkollës të së Dielës ose motrave e vëllezërve të tjerë të gatshëm për të ndihmuar. Ata mund të na ndihmojnë, por kurrsesi nuk mund të na zëvendësojnë në këtë detyrim të shenjtë; miqtë dhe të afërmit janë vegla defektoze në këtë rast. Porsi Abrahami, nënat dhe etërit duhet t’i drejtojnë familjet e tyre në frikën e Perëndisë dhe t’u flasin pasardhësve të tyre për veprat e mrekullueshme të Shumë të Lartit.

Mësimdhënia prindërore është një detyrë e natyrshme. Kush është më i përshtatshëm për t’u përkujdesur për mirëqenien e fëmijës sesa ata që e sollën në jetë? Lënia pas dore e të mësuarit të fëmijëve tanë është diçka më keq sesa shtazarake. Adhurimi familjar është i nevojshëm për kombin, për vetë familjen dhe për kishën e Perëndisë. Duke përdorur një mijë e një mënyra, feja e kotë po përparon fshehurazi në vendin tonë, dhe një prej mjeteve më të efektshme për t’i rezistuar avancimit të saj, rëndom lihet pas dore—dhe ky është pikërisht udhëzimi i fëmijëve tanë në lidhje me besimin. Ka ardhur koha që prindërit të vetëdijesohen për rëndësinë e kësaj çështjeje. Është kënaqësi t’u flasësh për Jezusin bijve dhe bijave tona, aq më tepër që kjo është një vepër e cila ka marrë pëlqimin hyjnor, sepse Perëndia i ka shpëtuar fëmijët përmes lutjeve dhe qortimeve të prindërve. Dashtë Zoti që çdo shtëpi ku do të hyjë ky libër, ta nderojë Perëndinë dhe të shijojë buzëqeshjen e Tij!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin